Lirohet nga spitali personi që iu ekspozua Noviçokut

  • 20 July 2018 - 20:03
Lirohet nga spitali personi që iu ekspozua Noviçokut

Një person nga Britania që ishte helmuar me agjenti nervor Noviçok është liruar nga spitali, pasi gjendja e tij shëndetësore është përmirësuar, kanë njoftuar autoritetet.

Zyrtarët shëndetësor thanë sot se Charlie Rowley, 45-vjeç, “është mirë” dhe mund të lirohet nga spitali në Salsbëri, dhe se lirimi i tij “nuk paraqet rrezik për askënd në publik”.

Rowley dhe partnerja e tij, Dawn Sturgess 44-vjeç, ishin sëmurë më 30 qershor, pasi i ishin ekspozuar Noviçokut në Ejmsbëri, rreth 20 kilometra nga Salisbëri, vend ku, ish-agjenti rus, Sergei Skripal dhe vajza e tij, Yulia, po ashtu ishin helmuar me këtë agjent nervor në muajin mars.

Sturgess ndërroi jetë më 8 korrik, dhe vdekja e saj po trajtohet si vrasje.
Policia ende po vazhdon që të hetojë se si Rowley dhe Strugess i janë ekspozuar këtij helmi.

Për helmimin e Skripalëvem Britania kishte akuzuar Moskën se qëndron prapa këtij sulmi. Por, Rusia ka mohuar këto pretendime.


 

 

(Kosova Sot)