Partitë në brazdën e Thaçit, veriu në dorën e Serbisë

  • 10 August 2018 - 07:36
Partitë në brazdën e Thaçit, veriu në dorën e Serbisë
Aliu: Kush i autorizon këta krerë të shtetit që t'ia japin krejtësisht ingerencat Serbisë, që përmes Asociacionit të menaxhojë veriun dhe asetet publike të Kosovës?

"Politika që është duke udhëhequr Thaçi më tepër çon ujë në mullirin e Serbisë fashiste dhe ka edhe një qëllim tjetër, të kamotshëm, që ky dallkauk për interesa të tij personale, vetëm që të dalë i palagur dhe të mos ndiqet fare nga Gjykata Speciale. Me këtë veprim Hashimi po e sjell Serbinë fashiste në Kosovë, që më vonë do të jetë problem i përjetshëm, si në fillim që erdhën në Kosovë për të kërkuar bukë e strehë dhe mbetën në trojet tona që ishim denbabaden", thotë analisti Reshat Badallaj për "Kosova Sot"

Njohësit e zhvillimeve politike të gjithë periudhës së pasluftës në Kosovë, analistët, deputetë nga opozita, por edhe qytetarët e anketuar, po i bëjnë përgjegjëse të gjitha partitë politike që ishin në pushtet që nga viti 1999 e deri më sot, që e lanë veriun e Kosovës de fakto në dorën e Serbisë dhe e shfrytëzuan atë vetëm për kontrabandë, krim ekonomik e veprime mafioze, dhe që asnjëherë nuk u kujdesën me këmbëngulje që ta trajtojnë si pjesë de-fakto e de-jure të Kosovës. Sipas analistëve, tani po të njëjtët liderë të këtyre partive politike, nga pozitat e krerëve të shtetit, pa autorizimin e askujt, as të votës qytetare dhe as të Kuvendit të Kosovës si institucion përfaqësues, po e përgatisin terrenin që t'ia japin krejtësisht ingerencat Serbisë, që përmes Asociacionit të menaxhojë veriun, asetet publike dhe gjithë pasurinë e Kosovës. Në fakt, sipas analistëve, këta qeveritarë, në krye me Hashim Thaçin, sipas analistëve politikë, po ia dorëzojnë Serbisë me të dyja territorin në veri, ku gjenden burime të rëndësishme, madje jetike për Kosovën. Ky dorëzim po bëhet përmes Asociacionit, pasi de fakto "ZAJEDNICA", që e ka përgatitur Beogradi zyrtar, me aprovimin blanko nga krerët e shtetit tonë, po e çon Kosovën drejt rrugës së Bosnjës, në një shtet jofunksional me të ardhme gjithnjë të kërcënuar e të pasigurt si dhe po e sjellin Serbinë me të dyja duart dhe të dyja këmbët në Kosovë,vetëm e vetëm për t'i shpëtuar pushtetarët, në krye me presidentin Thaçi, Gjykatës Speciale.

Dështimi i shtetit ligjor Deputeti Ali Lajçi thotë se është fakt që për gati dy dekada veriu i Mitrovicës ka qenë dhe po mbetet si një tokë e pashkelur për institucionet e shtetit të Kosovës, për shtet ligjor dhe zbatim të Kushtetutës, derisa krimi dhe kontrabanda nga e cila ka përfituar i gjithë rrjeti kriminal biznesor e politik në pjesën qendrore të Kosovës, prejardhjen e ka nga veriu i vendit, i kontrolluar nga serbët lokalë, lojal ndaj shtetit serb, dhe në bashkëveprim me strukturat mafioze brenda e jashtë territorit të Kosovës. "Për ta thjeshtuar këtë, një situatë të tillë e kemi atje që nga koha e UNMIK-ut, është folur e bërë zhurmë shumë herë që kjo pjesë e territorit të Kosovës të vihet nën kontroll dhe administrim të strukturave legale e ligjore të Kosovës, është bërë debat edhe në Kuvend, por rekomandimet e miratuara asnjëherë nuk janë zbatuar. Është e qartë që kjo gjendje e mosfunksionimit të shtetit ligjor i ka konvenuar shumëkujt atje dhe i konvenon akoma", u shpreh ai. "Tani, kur po flitet dhe po punohet edhe për Asociacionin, unë mendoj që kjo duket të jetë rruga e skenarit që përmes 'Zajednicës' të ndodhë de fakto ndarja e përgatitur dhe e akorduar nga Vuçiq e Thaçi, madje në këtë kontekst po duket që edhe janë dhënë premtime dhe janë marrë edhe obligime konkrete, të cilat tash me çdo kusht po duan t'i zbatojnë, në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën. Krejt kjo situatë e mosfunksionimit të shtetit të Kosovës në veri të Kosovës tani po provohet kinse të zgjidhet me një Asociacion të komunave serbe, që edhe ai është organizim antikushtetues, sepse me një taktikë të tillë edhe de jure hapet mundësia e ndarjes nga shteti i Kosovës, mbase më një shpresë, sikur që po thuhet, edhe për t'i shpëtuar eventualisht Gjykatës Speciale", tha Lajçi për "Kosova Sot"

QARRI: HASHIM THAÇI & CO BASHKË ME QEVERINË PO IA DORËZOJNË KOSOVËN ME TË DY DUART SERBISË

Këtë dyshim me bindjen e vet të fortë e ka edhe analisti politik Gani Qarri."Përgjegjësi për gjendjen në veri kanë të gjitha partitë politike që ishin në pushtet, nga viti 1999 e deri më sot, të cilat e lanë veriun e Kosovës de fakto në dorën e Serbisë, bashkëpunuan pareshtur me strukturat ilegale atje dhe e shfrytëzuan atë pjesë të vendit vetëm për kontrabandë, krim ekonomik e veprime të tjera mafioze dhe asnjëherë nuk u kujdesen me këmbëngulje që ta trajtojnë si pjesë de fakto dhe de jure të Kosovës", vlerëson ai."Shkaku i neglizhencës së të gjitha partive politike, që nga pas lufta e këndej, strukturat ilegale të Serbisë vepruan lirshëm dhe ende e mbajnë të uzurpuar gjithë veriun e vendit, duke pamundësuar, tash e atëherë kthimin e shqiptarëve në pronat dhe shtëpitë e veta si dhe penguan lëvizjen e lirë të tyre në atë pjesë të shtetit tonë, ani pse ato faktikisht janë të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës",tha Qarri për "Kosova Sot". Ai pohon se edhe në Bruksel të gjitha bisedimet, që nga fillimi i tyre, zhvillohen vetëm për çështje të brendshme të Kosovës, ndërsa serbët në veri, ka pothuajse dy dekada, që asnjëherë nuk kanë dhënë përgjegjësi për çfarëdo shkelje të ligjit apo vepër penale, kundër shtetit dhe ligjeve të vendit tani po i bllokojnë edhe institucionet e shtetit në qendër. "Madje, fatkeqësisht që nga inaugurimi i lëvizjes 'Srpska' në politikën vendore dhe Qeverinë e vendit, as në Kuvendin e Kosovës nuk mund të merren vendime pa pëlqimin e Beogradit, ndaj është plotësisht e qartë se kush i autorizon krerët aktualë të shtetit që tanimë të përgatisin terrenin për dhënien e të gjitha ingerencave Serbisë, e cila edhe në të ardhmen, përmes 'Zajednicës' do ta menaxhojë gjithë veriun, asetet më të rëndësishme publike, dhe krejt pasuritë e Kosovës në atë pjesë të vendit", vijoi më tej Qarri. "Kështu Hashim Thaçi & CO bashkë me Qeverinë po ia dorëzojnë me të dy duart Serbisë, pa asnjë pengesë të brendshme,territorin në veri, ku gjenden burime të rëndësishme, madje jetike për gjithë Kosovën dhe me aprovimin blanko të 'Zajednicës' së përgatitur nga Beogradi, krerët aktualë të shtetit, faktikisht po e dërgojnë Kosovën drejt rrugës së bosnjëzimit të pashmangshëm, duke e kthyer atë në një shtet jofunksional, përherë të kërcënuar me zhbërje dhe me të ardhme të pasigurt, vetëm e vetëm që pushtetarët e inkriminuar në krye me Thaçin, t'i shpëtojnë ndjekjes së Gjykatës Speciale, me të cilën vazhdimisht ata i shantazhon Serbia", tha Qarri për "Kosova Sot".

BADALLAJ: TË GJITHA BANDAT POLITIKE, QË ISHIN NË PUSHTET QË NGA PASLUFTA E DERI MË SOT, E LANË VERIUN NË DORËN E HASMIT

Po aq përgjegjës e bën tërë këtë kastë politike për kontributin e dhënë në humbjen e veriut të Kosovës, duke e lënë në duart e Serbisë, edhe analisti Reshat Badallaj."Të gjitha bandat politike, që ishin në pushtet që nga paslufta e deri më sot, nuk mund t´i ikin përgjegjësisë që veriun e Kosovës e lanë në dorën e hasmit. Janë vetëm gjepura që herë pas herë krerët e shtetit i plasojnë, që gënjejnë dhe mashtrojnë popullin që kinse veriu i Kosovës është nën administratën e Kosovës. Në fakt, kanë hise banditët dhe kryebanditët e majave të shtetit vetëm që ndajnë pazarin për t'u pasuruar hajnisht, me kontrabandë dhe duke e dëmtuar buxhetin e shtetit. Pa më të voglin dyshim që banditë e kryebanditët, disa drejtpërdrejt dhe disa indirekt, janë të lidhur ngushtë me kriminelët e veriut e që dirigjohen nga Beogradi. Me miliona litra të arit të zi, me qindra-mijëra maune futen në veri duke bërë kontrabandë dhe ky fitim shkon drejt e në xhepat e këtyre banditëve dhe kryebanditëve të majave të shtetit që e kanë rrjetin shumë të organizuar kriminal të nëntokës kriminale e që kapotë e kësaj kontrabande burojnë nga majat e shtetit", tha Badallaj për "Kosova Sot". Sipas tij, kontributin më të madhe në këtë ndarje po e jep presidenti i tanishëm i Kosovës, kryeministër i parë vendi me shpalljen e pavarësisë gjysmake. "Politikën që është duke udhëhequr Thaçi më tepër çon ujë në mullirin e Serbisë fashiste dhe ka edhe një qëllim tjetër të kamotshëm, që ky dallkauk për interesa të tij personale, vetëm që të dalë i palagur dhe të mos ndiqet fare nga Gjykata Speciale. Me këtë veprim Hashimi po e sjell Serbinë fashiste në Kosovë, që më vonë do të jetë problem i përjetshëm, si në fillim që erdhën në Kosovë për të kërkuar bukë e strehë dhe mbetën në trojet tona që ishim denbabaden. Sa për Qeveri, mos shpresoni gjë, se kjo bandë është sa për të vjelë buxhetin e shtetit që rrisin rrogat dhe pasurohen, sepse kjo bandë banditësh dhe këta nuk vrasin mendjen për veriun e Kosovës", vlerësoi Badallaj.

ALIU: TË GJITHA PARTITË POLITIKE KANË PËRGJEGJËSI POLITIKE QË E LANË VERIUN E KOSOVËS DE-FAKTO NË DORËN E SERBISË

Për këtë veprim antikombëtar e antishtetëror, i bënë përgjegjës liderët e të gjitha partive politike edhe analisti Bislim Aliu. "Gjithsesi, është e vërtetë e pamohueshme dhe për këtë ka mjaft fakte, që të gjitha partitë politike varg e vijë, kanë përgjegjësi politike, sepse ishin në pushtet që nga viti 1999 e deri më sot, e që e lanë veriun e Kosovës de fakto në dorën e Serbisë dhe gjithnjë atë e shfrytëzuan, vetëm për kontrabandë, krim ekonomik e vepra mafioze, dhe asnjëherë nuk u kujdesën dhe me këmbëngulje që ta trajtojnë atë si pjesë de fakto e de jure të Kosovës", u shpreh ai."Dhe, tani pyetemi, a thua, kush i autorizon këta krerë të shtetit, që tani ta përgatisin terrenin dhe t'ia japin krejtësisht ingerencat Serbisë, që përmes Asociacionit ta menaxhojë veriun dhe asetet publike të Kosovës? Është një veprim që po duket dhe nuk mund të mbulohet si 'Dielli me shoshë' që tani me të dyja duart po ia jep si dhuratë Serbisë Hashim Thaçi, bashkë me Qeverinë, territorin në veri ku gjenden burime të rëndësishme, madje jetike për Kosovën! Me këtë 'Zajednicë', që e ka përgatitur Beogradi zyrtar, me aprovimin blanko nga krerët e shtetit tonë po e çon Kosovën drejt rrugës së Bosnjës në një shtet jofunksional, me të ardhme gjithnjë të kërcënuar e të pasigurt, se dhe po e sjellin Serbinë, me të dyja duart dhe të dyja këmbët, në Kosovë, vetëm e vetëm për t'i shpëtuar pushtetarët, në krye me presidentin Hashim Thaçi, Gjykatës Speciale", potencoi Aliu për "Kosova Sot".

GURAZIU: E LANË VERIUN E KOSOVËS DE-FAKTO NË DORËN E SERBISË DHE E SHFRYTËZUAN ATË VETËM PËR KONTRABANDË, KRIM EKONOMIK

Ndërsa analisti politik Ragip Guraziu thotë se tani veriu i lënë pas dore veç ka filluar të marrë formën e parë të Republikës Serbe të modelit të Bosnjës, sepse atje po ndërtohen institucionet që i kontrollon Lista Serbe, e cila i përgjigjet vetëm qeverisë në Beograd, dhe injoron tërësisht institucionet e Republikës së Kosovës. "Kosova me këta njerëz po shkon sigurt drejt rrugës së Bosnjës në një shtet jofunksional me të ardhmen të kërcënuar e të pasigurt Përgjegjësi e të gjitha partive politike, që ishin në pushtet që nga viti 1999 e deri më sot, që e lanë veriun e Kosovës de fakto në dorën e Serbisë dhe vetëm dhe e shfrytëzuan atë vetëm për kontrabandë, krim ekonomik" , u shpreh ai. "Këto parti politike që edhe tash po qeverisnin me vendin, e kanë qeverisur edhe në të kaluarën. Asnjëherë nuk u kujdesen me këmbëngulje që ta trajtojnë veriun si pjesë de fakto e de jure të Kosovës, përderisa këta krerë shteti tani po e përgatisin terrenin që t'ia japin krejtësisht ingerencat Serbisë, që përmes Asociacionit të menaxhojë veriun, me të gjitha asetet publike dhe pasurinë e Kosovës. Në ballë të këtij veprimi është vetë Hashim Thaçi, i cili bashkë me Qeverinë po punon që t'ia dorëzojë tërë veriun e Kosovës në menaxhim 'ZAJEDNICËS', që e ka përgatitur Beogradi zyrtar, me aprovimin blanko nga krerët e shtetit tonë vetëm për t'i shpëtuar pushtetarët në krye me presidentin Thaçi Gjykatës Speciale", vijoi më tej Guraziu për "Kosova Sot".


Për veriun pati vetëm propagandë Prof. i së drejtës, Muhamet Kelmendi, thotë se çështja e krijuar aktualisht që ka marrë dimensione të gjëra dhe tronditëse dhe nuk është rezultat i tashëm dhe, sipas tij, rolin kryesor e ka në këtë tradhti kombëtare PDK-ja me Hashim Thaçin. "Krijimi i gjendjes ka filluar fillimisht para fillimit të bombardimeve, atëherë kur Franca kërkoi dhe bllokoi bombardimet me kushtin që në veri të vendit të vendoset ushtria e saj. Kjo gjendje vazhdoi pas luftës dhe me ndihmën e PDK-së, kryesisht të Hashim Thaçit, Franca arriti ta spastrojë veriun e vendit nga shqiptarët dhe të krijojë një territor të pastër serb", potencoi ai. "Tërësisht është krijuar gjendja nën përgjegjësinë e të gjitha partive politike dhe të qeverive që i kishte Kosova. Jo vetëm partitë politike, që bënë me veriun vetëm propagandë, por edhe qeveritë, si ajo e LDK-së, e PDK-së dhe kjo aktuale nuk morën kurrë masa konkrete. Ato toleruan dhe krijuan pushtet paralel në veri. Kështu ishte me PDK-në nën udhëheqjen e Hashim Thaçit dhe LDK-në nën udhëheqjen e Isa Mustafës, që veriut ia krijuan organet e pushtetit dhe e ndanë nga vendi. Janë të gjitha këto qeveri dhe parti politike që qeverisën me vendin që krijuan komunat serbe. Nën udhëheqjen e tyre u ndërtua administrata serbe, arsimi dhe çështjet e tjera, tipike serbe. E krijuan edhe partinë politike serbe", ka thënë Kelmendi për "Kosova Sot". Qytetarët kërkojnë llogari nga pushteti Përgjegjës e shohin tërë këtë kastë politike për situatën në veri të vendit edhe qytetarët e anketuar të cilët theksojnë që këta politikanë të inkriminuar, duhet të përgjigjen një ditë para ligjeve dhe Kushtetutës së shtetit për tradhti kombëtare, por edhe qytetari duhet të përgatitet që me votë t'i ndëshkojë në mënyrë demokratike në zgjedhjet e radhës. Një mendim të tillë e ka qytetari Ismet Gashi. "Unë mendoj që këtu fillimisht dikush ka pasur leverdi ekonomike, individuale e personale dhe pikërisht atë e ka shfrytëzuar Serbia, dhe tanimë është shumë vonë, dhe jam shumë i sigurt që dikush për këtë pjesë të territorit të Kosovës ka bërë edhe marrëveshje të fshehtë dhe tash po ajo marrëveshje disi duhet të dalë në sipërfaqe, por dikush duhet të japë edhe llogari, ata që e kanë bërë atë marrëveshje duhet të japin llogari. Tash për tash, populli si popull nuk është i njoftuar, por në bazë të asaj se çka po shihet dhe çka po flitet këtu diçka ka", shprehet ai. "Mendoj që llogari duhet të japin të gjithë këta që kanë qeverisur që nga pas lufta e deri më tani, edhe me votën e popullit, duke u ndëshkuar fillimisht me votë, por edhe në kohën dhe momentin e duhur duhet të përgjigjen edhe para drejtësisë, edhe para gjykatës. Madje, thuhet që nëse të ndëshkon gjykata ka shpresë që të shërohet i ndëshkuari, por nëse të ndëshkon populli, nuk shërohesh kurrë, e unë mendoj që ndëshkimi më i madh këtyre duhet t'u vijë nga populli në një të ardhme sa më të afërt", theksoi Ismet Gashi. Një mendim dhe gjykim identik ka edhe qytetari Ruzhdi Isufi, i cili të vetmen shpresë për të rikthyer veriun e Kosovës nën menaxhim të autoriteteve të Kosovës e ka tek ndihma e miqve ndërkombëtarë, pasi politika e papërgjegjshme e ka shfrytëzuar këtë pjesë të Kosovës për krim dhe kontrabandë, madje edhe për evazion të madh fiskal që e ka dëmtuar skajshmërisht buxhetin e shtetit me vite të tëra. "Parimisht mendoj se pasi jemi bërë shtet dhe pasi tani kemi Kushtetutë, kemi ligje dhe norma ligjore e shoqërore që e përcaktojnë përgjegjësinë e çdo individi, madje edhe të partive politike dhe të liderëve- udhëheqësish, të gjithë këta duhet të japin llogari pse nuk ka pasur dhe nuk ka rezultate. Unë kisha për ta ilustruar këtë kërkesë për llogaridhënie dhe përgjegjësi para ligjit me një shembull praktik që thotë një fjalë popullore që thotë: 'kur rren Shumari (pylltari) e polari është e arsyeshme', por pse rren kryetari, pra presidenti, kryeministri, ministri, kryekuvendari e deputeti unë nuk do ta kisha besuar kurrë, por ja që ndodhi edhe kjo. Unë parimisht jam asi tipi që i pëlqej shumë thëniet popullore dhe këngët, dhe këtë rast po e ilustroj edhe më një këngë popullore që thotë: Ku më je nisë ku më je tuj shkue... e un po ju them këtyre qeveritarëve e politikanëve ku jemi nisur e ku do të shkojmë... këtë ndoshta e dinë vetëm amerikanët dhe miqtë ndërkombëtarë, sepse ne me siguri që nuk po e dimë", vlerëson ai. "Tani, mendim im është që këta të papërgjegjshmit, e vetmja formë për t'i ndëshkuar është që e para ata të ndëshkohen në bazë të ligjit dhe Kushtetutës dhe e dyta, pasi jemi në demokraci pluraliste parlamentare, populli duhet t'i ndëshkojë të gjithë këta për të gjitha këto pazare jokorrekte dhe për këtë papërgjegjësi ndaj shtetit dhe qytetarit", theksoi Isufi, i bindur se qytetari do t'i ndëshkojë këta një ditë. 


(Kosova Sot)