30 ditë paraburgim për burrin e Valbonës, thotë se i vie keq për vrasjen e dyfishtë - Lajme - Kosova Sot
30 ditë paraburgim për burrin e Valbonës, thotë se i vie keq për vrasjen e dyfishtë

30 ditë paraburgim për burrin e Valbonës, thotë se i vie keq për vrasjen e dyfishtë

Gjykata Themelore në Gjakovë, të premten, ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit Pjetër Ndrecaj, pasi dyshohet për vrasjen e dyfishtë, e cila kishte ndodhur të martën mbrëma në fshatin Brekoc të Gjakovës.

Gjykatësi i rastit Shaqir Zika, gjatë së premtes, seancën dëgjimore e ka mbajtur në Spitalin Rajonal të Gjakovës “Isa Grezda”, në repartin e psikiatrisë, ku prezent ka qenë edhe prokurori i shtetit, Agron Matjani, avokatja e të pandehurit Fehmije Zhubi si dhe psikiatri Zef Komani.

Psikiatri Komani, i cili është shefi i Repartit të Psikiatrisë ka deklaruar se klienti ka kaluar një stres akut dhe i njëjti mund të merr pjesë në seancën dëgjimore.

Ndërsa, mbrojtësja e të pandehurit Fehmije Zhubi, lidhur me caktimin e masës së paraburgimit, deklaroi se e konsideron si vendim të ashpër dhe se sipas saj, propozimin për caktimin e kësaj mase, prokurori nuk e ka bazuar mirë.

I dyshuari ka shprehur keqardhje për rastin që kishte ndodhur dhe nuk ka asgjë tjetër për të shtuar.

Kurse, gjykatësi i procedurës paraprake Shaqir Zika, pasi e ka shqyrtuar shkresën e lëndës, i ka dëgjuar pretendimet e palëve ka ardhur në përfundim se kërkesa e prokurorit për caktimin e paraburgimit është e bazuar.

Ndryshe, të enjten nuk kishte arritur që të përfundonte seancë dëgjimore ndaj të dyshuarit Ndrecaj, pasi që ky i fundit ishte alivanosur në momentin kur prokurori Matjani, po e lexonte aktakuzën dhe aty i pandehuri e kishte kuptuar se përveç ish-gruas kishte vrarë edhe vajën e tij nëntë vjeçare.

Pas përkeqësimit të shëndetit të tij, gjykatësi Zika e kishte ndërprerë seancën dhe i dyshuari ishte dërguar për tretman mejkësor, fillimisht në spitalin rajonal të Gjakovës e më pas edhe në qendrën psikiatrike në Prishtinë.

(Kosova Sot)

15 minuta më parë
21/10/18