Çun Lajçi përsëri shkruan vargje prekëse për bijën e tij të vdekur

  • 15 August 2018 - 20:14
Çun Lajçi përsëri shkruan vargje prekëse për bijën e tij të vdekur

Aktori i njohur, Çun Lajçi po e vuan shumë mungesën e të bijës, e cila vdiq nëntorin e vitit të kaluar. Jo rrallë herë, ai shkruan vargje rrënqethëse për të bijën, Bubulinën.

 “A t’ka marrë malli oj Cakalinë?… bërtita. Çohu mori se t’erdha me erën e Ninit tand duerve t’mia! Dhe rashë n’gjuj mbi varrin tand e emnin n’drrasë ta putha. 

Mami filloi me qa tue ta ledhatua drrasën që t’rri si murg mbi kokën tande.

– O fola, bre, fola e t’thirra, se forcë deshta me i dhanë vetes e zemrën gur deshta me ba e mos me qa, por fyti m’u ngushtua e fjala s’doli e shi filloi me ra.

– Shi po bjen thashë, shi, por ti ma nuk lagesh. Ti nuk ke të ftoft ma. As gjumi s’të prishet nga bubullimat. Vetimat kot i ndriçojnë këto bjeshkë rreth teje, se ti i ke mbyllë sytë për t’mos i pa kurrë ma.”, ka shkruar ai mes tjerash.

Shkrimi i tij i plotë:

Ormani i vjetër

Zbritëm nga vetura, e tue u ngut t’mos na lagte shiu, ecëm nëpër varreza.
Të thirra, vërtet të thirra shumë herë, tue shikua drrasën me emnin tand mbi varr, e zemra veç që s’m’plasi.
Mami ecte tue u kollitë mbrapa e ngulfatun mallit.
Besoj t’m’kesh ndëgjua mirake. Apo jo?
Edhe nipat e Isuf Alisë do t’m’kenë ‘tije’, siç thonë rugovasit e mi për fjalën ndëgjua, kur t’thirra:
– Ku je oj Bubulinë? Çohu se t’erdhën babë e nanë! T’u kthyen nga Zvicra pleqtë mbushun xhepat, jo franga, po mall! Yt at t’u kthye plot art e gati gjuhën e harroi. Frengjisht foli nji javë, e kur gati u ba francez, u tha boll, m’lëshoni t’shkoj n’Rugovë, se Mali I Zi n’katunde gati zbriti e të varri i çikës po tutna gurin e kufinit don me lanë
Unë flas t’madhe, ti e din se kam qejf edhe kërshat me ushtua prej zanit tem!
– A t’ka marrë malli oj Cakalinë?… bërtita. Çohu mori se t’erdha me erën e Ninit tand duerve t’mia!
Dhe rashë n’gjuj mbi varrin tand e emnin n’drrasë ta putha.
Mami filloi me qa tue ta ledhatua drrasën që t’rri si murg mbi kokën tande.
– O fola, bre, fola e t’thirra, se forcë deshta me i dhanë vetes e zemrën gur deshta me ba e mos me qa, por fyti m’u ngushtua e fjala s’doli e shi filloi me ra.
– Shi po bjen thashë, shi, por ti ma nuk lagesh. Ti nuk ke të ftoft ma. As gjumi s’të prishet nga bubullimat. Vetimat kot i ndriçojnë këto bjeshkë rreth teje, se ti i ke mbyllë sytë për t’mos i pa kurrë ma. E unë babëziu thërras e flas me ty, me dheun tand e emnin me dy data:
– E gëzimit njena, e fort e trishtueshme tjetra!
Unë babëziu me nanëzezën mezi pritem me i krye xhirimet e para në Bernën e Zvicrës e me t’ardhë te varri me erën e qenushit tand.
– Po mirake, po, nuk u nisa xhades përpjetë pa u ndalë te Arjeta n’Qyshk e me përqafua Ninon tand, se deshta aromën e tij me ta pru te varri.
Hej, mbas nji muejit e pashë kafshën tande t’vogël e t’bukur. O Zot sa shumë u gëzua e sa shumë m’i lëpini gishtat e faqet.
Ngrykë e mora, nisoj siç e merrshe ti. N’qafë ma mbështeti kokën e vogël, nisoj si n’atë fotografinë tande që e bane gjatë xhirimit të filmit “Kodi i jetës” t’Ekremit. Sa shumë e përqafova e sa pak fola, se vajit i frigohesha. Jonida m’xhiroi tue përkëdhelë beterin.
Hej, video me Ninin e mua bani, si unë me ty dikur!
Në YouTube e ka vu, dhe ty sa herë t’merr malli, vetëm kliko te“Çuni e Nino picirruku” dhe kqyre se si shtrihet n’shpinë e si luen me ato dy arushat lodra që ia pate ble n’Shkup. Ke m’u knaq oj Bubë kur ta nijsh tue leh!
Edhe mami e përkëdheli. I foli dhe ai te kambët iu shtri:
– Ku je nuke?… Hajde nuke, hajde!…A je mërzitë a?
Oh sa shumë m’gjasoj ajo thirrje e mamit me ty moj e mira ime, sa pata përshtypjen se ty të pashë tue folë, nisoj sikur kur ktheheshim nga Izraeli.Ti miliona herë e thirrje kështu, apo jo mirashe!
Ishte dobësua pak dreqi. Sigurisht nga operimi e mërzia për ne. Po, Bubë, se kështu m’thojshe shumë herë kur e shetitshim parqeve të Prishtinës.
– Qeni vuen babë, kur ndahet nga i zoti. Prandaj kurrë mos gabo me ia dhanë dikujt. Ma mirë vraje!
U qyqe! Qysh me vra oj Bubë, t’thojsha, e gajaseshim tue ecë pas tij.
Kur u çuem, i thashë Jonidës, merre e shtine n’dhomë e mos t’na sheh kur t’nisemi, se mërzitet.
Ajo habitshëm na shikoi e qeshi. Veç që s’tha: po ku merr vesh qeni?
Por nga ngutia e harrova telefonin n’karrigen ku isha ulë dhe kur u ktheva me marrë ai picirruk dreqi e ndëgjoi zanin tim kur thirra, dhe para Arjetës erdhi e me dy kambët e vogla u katërrith n’dyert e oborrit.
E shiqova dhe i bërtita:
– Tung Ninush se shkova te Buba n’Drelaj!
Ai lehu me nji za krejt tjetër.
Thashë, çka ka ky që zani iu paska ndryshua?!
Dhe lehu e ciati e tue u katrith me kambët e para n’dyert e hekurit, sikur po m’thoshte: “Përqafoma nanushen time, Bubën time ma merr ngrykë se fort e dua. S’të harron klyshi yt. Nji ditë edhe unë me Jonidën e Arietën kam me t’ardhë të varri.”
Dhe erdhëm furishëm me ta pru erën e tij. Me duert e lëpime nga qeni yt, e lëmova emnin n’drrasën që varet si pelegrin mbi kryet tand.
– Shi po bjen e ne pleqtë po ikim Bubë, se zakoni i bjeshkëve asht i egër për kockat tona t’vjetra, t’thashë dhe ecëm tue qa jote amë e unë tue folë me shpirtna t’vdekun.
Shkuem n’shtëpinë e drunit që rri pëballë varrit tand, aty ku ti gjumin ditor e bane shumëherë.
Por shiu s’ndalej, as bubullimat e vetimat, as malli ynë nuk shuhej.
Ne u munduem ta mbysim dhimbjen atë pasdite, tue punua secili për vete. Jote amë tue i lye dritaret (e ma shumë duert e veta) me ngjyrë druni, e unë tue montua ormanin tand të vjetër që e solla shumë muaj ma parë nga Prishtina.
Po zemër, aty e ke ormanin e shtratin tand. Bile edhe kutinë e vogël me fioka që e mbaje te koka. Nga dhoma jote e Prishtinës i solla, që t’i keshë sa herë të merr malli.
Tani, lirisht natën mundesh me shtri trupin tand – hije, n’atë kauçin ngjyrë të gjelbër që vetë e pate zgjedhë tash e nji dekadë. Aty i ke gati të gjitha orenditë e dhomës tande – pos televizorit. Ai ma s’të duhet, se Eminemi s’ka me knua për ty kurrë ma!
Para territ shkuem te axhi Bali dhe u mundova përkunder mërzisë, me i ra sharkisë e kangën e Jashar Haxhës, që i lidhi 30 xhandar, me knua.
Hej more. I pruna shkijet deri te xhamia e kur m’ra n’mend se ti je tue pushua n’varrin e heshtun, u bërtita:
Ndal Miliç ku je nis me shkua
N’lypsh kaçak që ku m’ke mua!
Por mua s’po m’shkonte zani. Me zor isha tue knua! Isha mrrolë gati si Kaçeli i Fishtës, kur Oso Kuka s’i tha goja t’lumtë kur e kreu kangën. Andaj edhe e këputa zanin e natën e mirë ia lashë Lules e Baliut, i cili s’m’tha knofsh gjithmonë, siç m’thoshte herave tjera, e me sharki n’dorë, shkuem sokakut t’vjetër tue marrë frymë randë.
Nuk fjetëm Bubë, jo! Dhomat sikur e kishin hap gojën me na përbi!
Edhe ato e kishin marrë vesh se ti je n’bregun e xhamisë e neve sikur po na thoshin:
– Si bani gjumë ju cunga pleqë pa bijën tuaj! Ku e keni djalin…Pse ai s’ka ardhë?
Çohu, i thashë nanës tande, mos ta lamë vetëm Leartin. Dhe i shkrova: Na prit, se po kthehemi n’Prishtinë.
Hej…po neve kishim shkua me fjetë ore, me fjetë, e herët m’u çua e kafe me pi me vlla Isufin!
Ikëm si dy lakuriqë nate, e tue kalua kah vorri yt, secili n’vete t’përshendeti:
– Natën e mirë çupulinë, shifemi njiherë tjetër!

 

(Kosova Sot)