Trump: Gjyqi ndaj Manafortit është për të ardhur keq

  • 17 August 2018 - 21:55
Trump: Gjyqi ndaj Manafortit është për të ardhur keq

Ndërsa një juri gjyqtarësh vazhdoi të premten shqyrtimin e argumenteve të akuzës dhe palës mbrojtëse për të marrë një vendim, nëse ish-kryetari i fushatës presidenciale të Trump, Paul Manafort është fajtor për evazion fiskal dhe mashtrim financiar, Presidenti Donald Trump tha se gjyqi ndaj tij është “për të ardhur keq”.

"Unë mendoj se në tërësi, gjyqi ndaj Manafortit është një çështje tepër e trishtueshme. Ai punoi për mua për një periudhë shumë të shkurtër kohe. E dini që ai është një njeri shumë i mirë dhe unë mendoj se ajo që po i bëjnë Manfortit është për të ardhur keq”, - u tha të premten gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë Trump.

Juria prej 6 burrash dhe 6 grash u takuan për rreth 7 orë të enjten në një gjykatë të Virxhinias, gjatë të cilave ata i drejtuan katër pyetje gjykatësit, mes të tjerash, që të sqaronte kuptimin e fjalës “dyshim i arsyeshëm”. Sipas ligjit në Shtetet e Bashkuara, faji i një personi ndaj të cilit janë ngritur akuza, duhet provuar “përtej një dyshim të arsyeshëm, ose në të kundërt ndaj tij nuk do të ketë dënim.

Pyetjet e tjera kishin të bënin me detaje specifike lidhur me rastin e evazionit fiskal dhe mashtrimeve financiare.

Në fillim të ditës së enjte, gjykatësi T.S. Ellis i bëri përmbledhjen e çështjes jurisë, para se të fillonte shqyrtimin e çështjes me dyer të mbyllura.

Të mërkurën palët paraqitën argumentet mbyllëse. Prokuroria argumentoi se jeta luksoze e zotit Manaforti ishte "e mbushur me gënjeshtra". Prokurori Greg Andres i tha jurisë se "Paul Manafort gënjente në mënyrë që të fitonte sa më shumë para".

Por avokati mbrojtës Richard Westling tha se qeveria nuk arriti të provojë që zoti Manaforti ishte "fajtor përtej një dyshimi të arsyeshëm", standardi për t’u dënuar sipas sistemit ligjor amerikan. Zoti Westling sulmoi dëshmitarin kyç të prokurorisë, ish-nënkryetarin e fushatës presidenciale të zotit Trump, Rick Gates, duke e quajtur atë gënjeshtar dhe hajdut.

Gates kishte pranuar fajësinë para gjyqit të Manafortit, se e kishte ndihmuar atë të fshihte të ardhuar me vlerën e miliona dollarëve nga autoritetet e taksave dhe ai është në pritje të dënimit.

Paul Manafort akuzohet për fshehje të miliona dollarëve në llogari jashtë vendit, të fituara si rezultat i lobimit për ish-udhëheqësin ukrainas Viktor Janukoviç.

 

(Kosova Sot)