Monopolet kriminale e bëjnë Kosovën të pajetueshme

  • 19 August 2018 - 09:01
Monopolet kriminale e bëjnë Kosovën të pajetueshme

Monopolizimi kriminal i biznesit në Kosovën e pasluftës ka ndikuar me të madhe në koston e lartë që po paguajnë qytetarët në çdo sektor, si në telekomunikacion, aviacion, energjetikë, karburante, ushqim etj. Ndërkaq, analistët janë të mendimit se gati pas çdo biznesi dhjetëra e qindra milionësh rëndom fshihet patjetër një pushtetar i nivelit të lartë dhe i inkriminuar me një mafio-oligark plotësisht të kriminalizuar. Sipas ligjeve në fuqi, për këto parregullsi eventuale që bëjnë kompanitë, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës parasheh gjoba nga 10 mijë euro për menaxherët e kompanive, deri në 200 mijë euro për kompani, por rrallë ndodh që të penalizohet dikush. Afaristi Ramadan Maloku, anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, për gazetën “ Kosova Sot’, thotë se nuk ka asnjë dyshim se monopolet në ekonominë e një vendi janë kanceri i asaj ekonomie dhe Kosova nuk i ka shpëtuar këtij fenomeni. “Së këndejmi, roli i Autoritetit Kosovar për Mbrojtjen e Konkurrencës është jashtëzakonisht i nevojshëm. Prandaj, duhet theksuar se Autoriteti për Mbrojtjen e Konkurrencës luan një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e dispozitave që mundësojnë funksionimin e lirë të tregut, që është po ashtu një parim kushtetueses”, potencoi ai. Sipas tij, ky organ duhet që të jetë shumë më efikas dhe më ekspeditiv se sa që ka qenë deri më tani dhe funksionalizmi i këtij organi, që u bë vitin e kaluar përbën një lajm të mirë për mbrojtjen e konkurrencës.

Zhvatja e qytetarëve

Kurse, analisti tjetër i ekonomisë Artan Haziri, për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se në Kosovën e pasluftës kanë lulëzuan bizneset monopole.  “Nuk na kursyen mafio-oligarkia në asnjë sektor, e kjo ndikoi që jeta jonë në përgjithësi të ketë kosto më të  lartë”. Ai thotë se kjo ndodhi në telekomunikacion, energjetikë , etj. “ Shumë vjet e kemi paguar një minutë  thirrje telefonike me ‘Vala’  16 centë, e cila ishte shumëfish më shtrenjtë se në çdo shtet tjetër. Kjo është e tmerrshme, kur e mendojmë në çfarë standardi jetojmë”, u shpreh Haziri. “Në një shoqëri, ku nuk funksionon tregu i lirë, ku në çdo sektor mund të hyjnë bizneset të veprojnë lirshëm, aty krijohen monopolet dhe e kontrollojnë tregun në tërësi. Kjo e dëmton xhepin e konsumatorit dhe i shton milionat e mafio- oligarkisë”, vijoi më tej ai. Eksperti i ekonomisë Dardan Grapci, për “Kosova Sot”, thotë se Ligji për Konkurrencën në Kosovë ka për qëllim që të sigurojë zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë së tregut në Kosovë, duke ndaluar veprimet që kufizojnë, shtypin ose çrregullojnë konkurrencën, siç është abuzimi me pozitën dominuese, marrëveshjet e ndaluara në formën e karteleve dhe bashkimet apo përqendrimet  e ndërmarrjeve.  “Ka gjithsesi disa kompani, të cilat vetëm e kanë një pozitë dominuese në treg apo janë afër statusit të pozitës dominuese, dhe prej tyre ekziston rreziku potencial që mund ta keqpërdorin, që i bie se kemi të bëjmë abuzim me pozitën e tyre. Ngase, një treg jokonkurrues e dëmton përfundimisht konsumatorin, konsumatori është ai që humb si në kualitetin e shërbimeve ose cilësisë së produkteve, por edhe për çmimet që paguan”, shpjegon ai.

Qeveria ua zgjat jetën monopoleve

Eksperti i ekonomisë Lulzim Beqiri, për gazetën”Kosova Sot”, tha se Kosova është një shtet ku ekonomia udhëhiqet nga politika ditore, por edhe kjo politikë udhëhiqet nga politikanë me interesa ditore, me parti politike pa orientim të qartë politik dhe ekonomik. “Me parti dhe liderë që plot gojën e kanë orientim nga tregtia e lirë dhe kapitaliste, ndërsa në praktikë veprojnë me logjikën e orientimit socialist. E them këtë, sepse qeverisjet e deritanishme janë orientuar në buxhete të konsumit ku hyjnë pagat e nëpunësve publikë shumë më të larta sesa në sektorin privat, ky lloj absurdi ndodh vetëm në Kosovë”, theksoi ai. “Argument tjetër se sa qeveritë tona punojnë sipas ligjeve të tregtisë së lirë tregon më së miri se si i orientojnë politikat e tyre zhvillimore ku shumica të hyrave në arkën e shtetit janë të orientuara nga dogana dhe më e rënda, që më lehtë gjejnë konsumatorin produktet e importuara sesa prodhimi vendor”, shpjegon Beqiri. “Vendimi i Ministrisë së Infrastrukturës për vazhdimin e monopolit një kompanie të vetme tregon për rrugën e keqe që ka  marrë ekonomia kosovare. Këto ditë ia kanë dhënë edhe të drejtën e kryerjes së A-testeve, si dhe me Udhëzimin e ri administrativ i kanë hapur rrugë vazhdimit të monopolit në homologim edhe pas 2019-ës, çka shkel rënd konkurrencën  e lirë, dhe ekonominë e tregut. Sa e vështirë është të bësh biznes në Kosovë nuk mjaftojnë krekosjet e politikanëve, se kemi ligjet më të mira në botë, përderisa ato ligje janë vetëm në letër”, vijoi më tej ai. “Pasi shkatërruan PTK-në, ‘Trepçën’, konkurrencën  e lirë, në pritje të shkatërrimit  të ndonjë sektori tjetër, mjerë populli në dorë të kujt e ka lënë ekonominë”, ka thënë Beqiri.

Politika, dëmtuesja më e madhe e ekonomisë

Analisti i ekonomisë Mustafë Kadriaj, për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se meqë Kosova vepron sipas ligjeve te ekonomisë së tregut është e papranueshme që flitet e lëre më për të ekzistuar monopolet. “Monopolet kanë dëshmuar që nuk ofrojnë shërbime, përkundër çmimit të lartë që e kanë në shërbimin e tyre mund të kujtojmë distributorin e energjisë elektrike në ish- KEK, tani KEDS-i, po ashtu edhe kompania ‘Vala’ derisa ka qenë monopol me shërbim kanë pasur çmime të papërballueshme për shërbimet që ka ofruar. Po ashtu e kemi edhe homoligimin e veturave një monopol i pastër që e ka lejuar shteti kompaninë në fjalë”, u shpreh ai.  “Qeveritë e Kosovës të gjitha kanë dështuar në monopole duke i lënë të zhvillojnë aktivitetin e tyre pa u penguar që kjo njëherësh  bie ndesh edhe me direktivat e BE-së, sipas marrëveshjes së MSA-së. Pra, monopolet po dëshmojnë çdo ditë që janë të dështuar, sepse nuk nxiten nga konkurrenca,  kështu që degradohen çdo ditë. Në këtë drejtim duhet të reflektojnë institucionet e Kosovës, sepse janë të obliguara edhe me Kushtetutë që të orientojnë aktivitetin ekonomik në vend”, theksoi Mustafë Kadriaj.  Sipas tij, një gjë është e qartë që fajtori dihet, është politika në vend që për interesa të tyre po e dëmtojnë ekonominë në vend.

Konkurrenca e rrezikuar

Analisti politik Hazbi Kadriu, për gazetën “ Kosova Sot’, thotë se vetë fakti kur nuk ke konkurrent  në vend dhe jeni monopol, atëherë ju mund të vendosni me çmime si ju dëshironi. “Kjo po i ndodh edhe vendit tonë në sektorët kryesorë të vendit duke filluar nga ato administrative dhe të domosdoshme e deri tek ato të aviacionit etj”, u shpreh ai.  Sipas tij, ata që kanë fuqi politike arrijnë edhe të vendosin monopol dhe të diktojnë edhe çmimet e larta. Kurse analisti Bislim Aliu, për gazetën “ Kosova Sot’, thotë se mosfunksionimi si duhet i Autoritetit Kosovar për Mbrojtjen e Konkurrencës në Kosovë ka paraqitur një varg problemesh në ekonominë e tregut në vend, dhe këtë e dëshmojnë edhe vërejtjet e përfaqësuesve të shoqatave ekonomike që mbrojnë interesat e bizneseve. “Ata me të drejtë po e ngrenë shqetësim, se kompanitë të cilat janë dominuese në Kosovë, ka rrezik të keqpërdorin këtë pozitë dhe në mungesë të funksionalizmit të mekanizmit për mbrojtjen e konkurrencës së padrejtë, nuk mund të merren masa ndëshkuese”, u shpreh ai.  Sipas Aliut, në Kosovën tonë përherë po ndikon shumë monopolizimi kriminal i biznesit në koston e lartë që po paguajnë përherë qytetarët në çdo sektor; në telekomunikacion, aviacion, energjetikë etj.

 

(Kosova Sot)