Kur Aretha e bëri Barack Obamën të qajë me lot

  • 19 August 2018 - 15:01
Kur Aretha e bëri Barack Obamën të qajë me lot

Askush nuk e bartte gëzofin më mirë sesa Aretha Franklin. Asaj i pëlqente ta fërkonte gëzofin gjatë performancës, një traditë e muzikës ungjillore, e cila supozohet braktisjen emocionale. Në rastin e saj, gëzofi po ashtu i ndihmonte që t'ua rikujtonte publikut se ishin në prani të një mbretëreshe. Ajo ishte 'mbretëresha e muzikës soul' dhe askush nuk guxonte ta harronte këtë. Kur Beyonce e prezantoi Tina Turnerin si 'mbretëreshë', në eventin e ndarjes së çmimeve '2008 Grammy', Franklin e kishte marrë këtë si ofendim. Por, edhe pse askush nuk mund t'i a mohonte titullin e mbretëreshës, tani Franklin ka vdekur, në moshën 76 vjeçe, në shtëpinë e saj në Detroit. Mendohet se sëmundja e saj, kanceri i pankreasit, ishte pasojë e alkoolit, duhanit dhe mbipeshës, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Ikona e zezakëve të Amerikës

Për dekada të tëra, ajo ishte ikonë e zezakëve të Amerikës. Ajo këndoi këngën "Precious Lord" me rastin e varrimit të Martin Luther King Jr në vitin 1968 dhe, më shumë se 40 vjet më pas, performoi me rastin e inaugurimit të presidentit Obama në vitin 2009. Kur ajo performoi përsëri para tij, gjashtë vjet më vonë, presidenti u pa duke i fshirë lotët. Fituesja e 18 shpërblimeve 'Grammy dhe shitësja e dhjetëra miliona albumeve, Franklin nga shumëkush konsiderohej këngëtarja më e madhe e muzikës pas luftës së dytë botërore. Edhe pse ajo kishte lindur për hitet, si "Respect" dhe "You Make Me Feel Like A Natural Woman", gama e këndimit të saj ishte mahnitës, duke tejkaluar edhe zhanret si muzika ungjillore, popi, xhazi dhe R&B. Kur në vitin 1998 Luciano Pavarotti nuk ishte në gjendje që të performonte në ceremoninë e çmimeve "Grammy", për shkak të infektimit të fytit, Aretha doli në skenë dhe këndoi "Nessun Dorma" në vend të tij. Por, përkundër kësaj, Franklin kishte një shpirt të trazuar. 

Kisha e të atit u bë qendër orgjish

Produkt i një familjeje të ndarë dhe një babai flirtues, i cili kishën e tij e kishte shndërruar në ndejë orgjish, ajo ngeli shtatzënë për herë të parë në moshën 12 vjeçe dhe, derisa bëri 15 vjet, ajo kishte dy fëmijë, nga dy baballarë të ndryshëm. Gjatë pjesës më të madhe të jetës, luftoi kundër alkoolizmit. Duke pasur një pasiguri të thellë, ajo kishte grindje të shumta me të famshmit e tjerë, meqë i xhelozonte ata. Ajo po ashtu mundohej që të fshihte të gjitha problemet e saj personale dhe familjare, por të gjitha të palarat i dolën në shesh falë një biografie të paautorizuar, të botuar në vitin 2014, meqë autori i saj, David Ritz, kishte vendosur që ta publikonte 'rrëfimin e vërtetë', pasi, 15 vjet më parë, kishte shkruar një version të cilin këngëtarja e kishte 'sterilizuar' tërësisht. Franklin e quajti këtë libër 'rrenë përmbi rrenë', por askush, qoftë edhe familjarët dhe miqtë e saj më të afërt, nuk e mohuan atë. Clarence Franklin, i ati i saj dhe personi më me ndikim në jetën e saj, ishte një predikues tepër i suksesshëm baptist. I cilësuar si Predikuesi me zë të artë, ai u bë i njohur në tërë SHBA-në për faktin se i incizonte predikimet e tij, duke i shitur më pas në qindra mijëra kopje. Aretha ishte bërë vunderkindi i korit në kishën e t'et. Kur mbushi 7 vjet, ajo ishte në gjendje që ta luante në piano një vepër muzikore, pasi që e dëgjonte atë vetëm një herë. I ati i saj, që kishte miqësi edhe me Martin Luther Kingun, voziste një veturë "Cadillac" dhe mbathte çizme nga lëkura e aligatorit. Si pasojë e sjelljes së tij të shfrenuar, ai la shtatzënë një vajzë 12 vjeçe. Kisha e tij u bë qendër orgjish, apo sikur që thoshin ca të tjerë, 'cirk i seksit'. Të dehur nga alkooli dhe droga, njerëzit e pranishëm aty e shprehnin dashurinë e tyre në mënyrën më brutale fizike. Kjo bëri që, kur Aretha kishte vetëm gjashtë vjet, e ëma të largohej nga shtëpia, meqë nuk mundej më ta duronte sjelljen e tillë të burrit të saj. Ajo vdiq kur Aretha kishte nëntë vjet, ku fëmijët e çiftit më pas u rritën nga të dashurat dhe sekretaret e shumta të babait të tyre. Kjo bëri që edhe vet Aretha të interesohej për seks që në moshë të njomë. Kur kishte 12 vjet, pati një aferë me këngëtarin Sam Cooke, i cili kishte 23 vjet. Dy muaj pasi që mbushi 13 vjet, Aretha lindi djalin e saj të parë, duke e quajtur atë Clarence, në emër të babait të saj, gjë që ngjalli dyshime se mos ai ishte babai i vërtetë i djalit.

 

(Kosova Sot)