Të përzgjedhurit e politikës kanë ZAPTUAR PROKURORITË E GJYKATAT

  • 20 August 2018 - 08:08
Të përzgjedhurit e politikës kanë ZAPTUAR PROKURORITË E GJYKATAT
Miftari: Këta prokurorë janë vetëm kukulla nga teatri i mafisë politike, ku drejtor kryesor i mafisë dhe dështimit të shtetit është presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

"Për më shumë se dy dekada de-fakto e dejure nuk është arritur që të krijohet shteti i së drejtës, pikërisht për shkak të politikanëve të korruptuar, por dhe të inkriminuar me nëntokën kriminale dhe të sistemit të drejtësisë në Kosovë, që dirigjohet nga mafio-politikanët dhe e lidhur ngushtë me mafio-oligarkinë kosovare, që ka të shtrirë sikur një oktapod ndikimin e vet dhe kontrollin tërësisht në drejtësinë kosovare", thotë për gazetën "Kosova Sot" analisti Naim Kelmendi

Mosfunksionimi i mekanizmave të drejtësisë në vend ka sjellë një degradim total të funksionimit të shtetit ligjor, duke e shndërruar Kosovën gjithnjë e më shumë në një vend pa perspektivë, ku qytetarët e saj tashmë nuk shohim asnjë shpresë për të krijuar të ardhmen në vend,thonë analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë. Krejt kjo situatë ka ardhur pikërisht për shkak të mosfunksionimit të drejtësisë dhe kapjes së saj nga politika. Analistë dhe njohës të fushës së drejtësisë kanë potencuar, në prononcimet e tyre për "Kosova Sot",thonë se shteti ligjor funksion dhe realizohet në praktikë në qoftë se tre mekanizma të shtetit, që janë organet e ndjekjes, prokuroria dhe gjyqësia e policia, funksionojnë dhe zbatojnë drejtësinë. Por, sipas tyre, fatkeqësisht, këta tre mekanizma nuk po e kryejnë punë e tyre dhe tek ta shohim mjaft devijime, lëshime dhe veprime, të cilat nuk i ndihmojnë shteti ligjor.

Ka devijime, lëshime dhe mosndjekje të krimit Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se shteti juridik apo shteti ligjor, siç quhet në shkencën juridike, funksion dhe realizohet në praktikë në qoftë se tre mekanizma të shtetit funksionojnë, të cilët, sipas tij, janë organet e ndjekjes së krimit dhe korrupsionit, të ruajtjes së rendit dhe qetësisë, policisë dhe mekanizmave të tjerë të policisë. Pastaj, ka thënë ai, prokuroria, e cila është shumë e rëndësishme në drejtim të hetimit të krimit, korrupsionit dhe të formave tjera antiligjore dhe, siç ka thënë ai, së treti është gjykata. "Për fat të keq, në këta tre mekanizma shohim devijime, lëshime dhe veprime që nuk i ndihmojnë shtetit ligjor. Shohim njerëz, të cilët vijnë nga e kaluara e errët e tyre, e sistemit të kaluar apo njerëz të ndryshëm të kampeve të krimit politik dhe ekonomik, që shërbejnë në llogari të tyre dhe kjo më së miri na flet me dhënien dhe mosdhënien e dënimeve për rastet, qoftë në fushën politike, qoftë ekonomike, apo fushave të tjera ku është bërë shkelja e rendit juridik dhe ligjor", ka thënë profesori Muhamet Kelmendi, duke shtuar se në këtë sistem prokuroria, gjykatat dhe policia kanë devijime, lëshime dhe mosndjekje të krimit. Prandaj, sipas tij, kërkohet një spastrim total i forcave të tilla që në përgjithësi janë njerëz të cilët, përveçqë janë me të kaluar të errët, të dyshimtë dhe të korruptuar, janë ata që nuk mund ta justifikojnë pasurinë e tyre. Burjani: Njerëzit e korruptuar ua rrisin pagat gjyqtarëve tri herë me radhë, edhe pse kanë në sirtarë gati 400 mijë lëndë!

Kurse Blerim Burjani, analist dhe njohës i fushës së drejtësisë, ka potencuar për "Kosova Sot" se shteti ligjor është një çështje komplekse. Sipas tij, për shumë arsye Kosova ka pasur një fatkeqësi të madhe, luftën me Serbinë, sepse ishte vend i varfër, me shumë probleme, dhe bashkësia ndërkombëtare e ndihmoi mjaft shumë dhe, pavarësisht që miqtë ndërkombëtarë investuan shumë që Kosova të ndërtohet dhe të zhvillohet ekonomikisht dhe të jetë shtet i barabartë në regjion, zhvillimi institucional ligjor ngeli dhe Kosova ka përplot deformime në të gjitha fushat. Sipas tij, më i rëndi është funksionimi i dobët i shtetit ligjor, edukimi dhe vetëdijesimi i dobët për ndërtimin e një shteti ligjor. "Në Kosovë u ndërtua një logjikë e mbrapshtë individuale, ku një njeri udhëheq shtetin, pra s'ka demokraci, ka vetëm autoritarizëm, ka edhe nepotizëm, luftë për pasurim. Humbja e kredibilitetit para qytetarëve të kësaj skene politike është e madhe dhe është në duart e qytetarëve ta ndryshojnë skenën politike, të vendosin për një të ardhme të tyre dhe për një shtet ligjor", ka thënë ai. Burjani ka shtuar se nuk ka gjyqësi të pavarur, ku njerëzit e tillë janë përkëdhelës nga politika, ku, siç ka potencuar më tej ai, njerëzit e korruptuar ua rrisin paga gjyqtarëve tri herë me radhë dhe kanë në sirtarë gati 400 mijë lëndë, shumica të parashkruara në mungesë të trajtimit. "Në një shtet si Kosova, ku gjyqtarët dhe prokurorët kanë kontrata të dyfishta, pa ndryshim të qeverisjes nuk ka funksionim dhe ndjekje penale për njerëz të korruptuar", ka pohuar njohësi i fushës së drejtësisë, Blerim Burjani, për gazetën "Kosova Sot". 

MIFTARI: NJË SHTET QË ËSHTË I KAPUR NGA MAFIO-POLITIKA NUK KA SHPRESË!

Analisti Naim Miftari, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se Kosova është në krizë dhe telashe të madhe dhe atë që nuk e ka arritur Serbia duke zbrazur Kosovën nga shqiptarët, janë duke e arritur "shtetformuesit" tanë bashkë me Bashkimin Evropian, që në heshtje janë duke bërë asimilim dhe pastrim etnik modern ndaj popullit shqiptar, duke ua instaluar një klasë politike që si duket mision i ka vetëm keqpërdorimin e vjedhjen."Këta qëllimisht janë duke e varfëruar dhe izoluar popullin tonë, duke mos i lënë rrugë të tjera pos migrimit të detyrueshëm në mënyra të ndryshme në Evropë, por edhe më larg. Një vendi që i ikin kuadrot e shkolluara jashtë shtetit ai nuk është shtet dhe e pret dështimin edhe si shtet, por edhe si popull. Një shtet që është i kapur nga mafio-politika nuk ka shpresë, prandaj ikin mjekët, rinia, profesorët, ikin inxhinierët, punëtorët, prokurorët e policët, sepse ata vuajnë këtë gjendje jo të drejtë", ka pohuar Miftari. "Prokurorët Kosovës marrin 60% rrogë më shumë sesa prokurorët e rajonit, por nuk guxojnë të hapin raste të keqpërdorimeve multi-milionëshe. Këta prokurorë janë vetëm kukulla nga teatri i mafisë politike, ku drejtor kryesor i mafisë dhe dështimit të shtetit është presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Me ndihmën e mafisë ne kemi një kryetar mafioz që s'i jep askujt llogari sot, pasi nuk u zgjodh me vota të qytetarëve, por me marrëveshje mafioze, duke shfrytëzuar urinë për pushtet të kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa. Prandaj, askush nuk ka guxim që të ballafaqohet me njerëzit e tij, sidomos në salla të gjykatave. Kjo vlen sidomos për dëshmitarët që pasojnë keq, pasi si mbron askush nga institucionet e kapura nga krimi i organizuar", ka pohuar për gazetën "Kosova Sot" analisti Naim Miftari.

KELMENDI: SHTETI DHE E DREJTA JANË NË DUART E POLITIKANËVE INKRIMINUES DHE OLIGARKËVE MAFIOZË E TË INKRIMINUAR!
Analisti Naim Kelmendi ka thënë, në një prononcim për "Kosova Sot", se vendin në këtë gjendje të pashpresë e kanë sjellë politika e inkriminuar dhe pushteti i korruptuar, kështu që mjerisht këtu nuk ka sundim të rendit e të ligjit, prandaj, shton ai, as nuk ka drejtësi e shtet ligjor. Shteti dhe e drejta, ka pohuar Kelmendi, janë në duart e politikanëve inkriminues dhe oligarkëve mafiozë e të inkriminuar, e që të drejtën dhe ligjin në këtë vend e kanë si levë vetëm për interesa të tyre."Për më shumë se dy dekada defakto e de-jure nuk është arritur që të krijohet shteti i së drejtës, pikërisht për shkak të politikanëve të korruptuar, por dhe të inkriminuar me nëntokën kriminale të sistemit të drejtësisë në Kosovë, që dirigjohet nga mafio- politikanët dhe e lidhur ngushtë me mafio-oligarkinë kosovare që e ka të shtrirë sikur një oktapod ndikimin e vet dhe kontrollin tërësisht në drejtësinë kosovare", ka pohuar analisti Naim Kelmendi. Këtë, ka thënë ai, mund ta shpjegojë edhe fakti dhe e vërteta se për kaq vite nuk ka rastisur që ndonjë prokuror të ketë pësuar për shkak të ndjekjes së kriminelëve dhe luftës së krimit të organizuar e të korrupsionit. "Nuk ka mundur të ndodhë, ngase këta prokurorë nuk i kanë luftuar asnjëherë krimin e korrupsionin dhe as që janë përballur me luftën ndaj krimit dhe kriminelëve potencialë në politikë apo të mafio-oligarkisë dhe kokave të krimit, që tash e sa vjet dirigjojnë dhe kontrollojnë tërësisht jetën në Kosovë, madje duke e bërë edhe të dështuar sistemin e drejtësisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit", ka thënë ai në një prononcim për "Kosova Sot".