Tentohet shfajësimi i Mekajt, Badivuku mbahet në paraburgim

  • 29 August 2015 - 07:53
Tentohet shfajësimi i Mekajt, Badivuku mbahet në paraburgim

Drejtësia kosovare gjykon me dy standarde 

Prokuroria ka informacione se njerëz të caktuar brenda sistemit të drejtësisë, dhe jo vetëm, po mundohen ta zhdukin rastin 'Mekaj'

"Rasti i ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit, Sali Mekaj, të cilit, me gjithë akuzat e rënda për shpërdorim të detyrës dhe korrupsion, i ishte caktuar fillimisht vetëm masa e arrestit shtëpiak, ndërsa prokurores së Departamentit për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës, zonjës Vahide Badivuku, i është caktuar masa e paraburgimit nën dyshimet për marrjen e ryshfetit në vlerë prej vetëm disa mijëra euro. Në rastin e Sali Mekajt shfaqen hapur tendencat e gjykatës për lirimin e tij si të 'pafajshëm', duke i thjeshtësuar aktakuzën në 'shkelje të etikës', edhe pse provat kundër tij e thonë të kundërtën", ka thënë analisti Florim Zeqa

Prangosja e ish-kryegjyqtarit të Apelit, Sali Mekaj, dhe prokurores së krimeve të rënda të Mitrovicës, Vahide Badivuku, kanë ngjallur diskutime në Prokurori nga mënyra sesi janë trajtuar nga Gjykata. Sipas një burimi të besueshëm të gazetës, gjykata në këto raste ka përdorur drejtësi me dy standarde, duke lënë fillimisht në arrest shtëpie Sali Mekajn dhe së fundmi vetëm me masë ndalimi, ndërsa me masën arrestit me burg Vahide Badivukun. "Kjo është drejtësia e përditshme hipokrite, që japin gjykatat kosovare. Sikur të mos mjaftonte kaq, po bëhen tentime që rastin 'Mekaj' ta konsiderojnë thjesht si një rast disiplinor, ndonëse, në fakt ekzistojnë prova të shkeljeve penale, ngase ka shkelur ligjin", ka thënë një burim nga Prokuroria e shtetit. Ndërkaq, më 28 gusht, Gjykata e Apelit e ka thelluar skandalin, duke ia caktuar Sali Mekajt vetëm masën e ndalimit për t'iu afruar vendit ose personit të caktuar me kohëzgjatje prej 2 muajsh. Kjo masë u dha si zëvendësim i masës së arrestit shtëpiak. "Një kolegj i Gjykatës së Apelit, i përberë nga tre anëtarë të Gjykatës Supreme të Kosovës, dy vendorë dhe një ndërkombëtar, të deleguar me anë të një vendimi nga ana e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, anëtar i të cilit ishte edhe Sali Mekaj derisa i ishin vënë prangat për konzumim të veprave penale, ka aprovuar të enjten pjesshëm ankesën e të pandehurit Sali Mekaj kundër aktvendimit për caktimin e masës së arrestit shtëpiak prej dy muajsh, të cilin ia kishte caktuar Gjykata Themelore në Prishtinë më 19 gusht 2015. Kolegji i caktuar nga KGJK-ja vendosi që kjo masë të ndryshohet dhe e njëjta t'i zëvendësohet me masën e ndalimit për t'iu afruar vendit ose personit të caktuar me kohëzgjatje prej 2 muajsh. E njëjta masë e sigurisë i është shqiptuar edhe të pandehurës tjetër të këtij rasti, Vlora Goranit", thuhet në njoftimin e GJA-së. Ndërsa, më 24 gusht 2015 gjyqtarja Alltëne Murselli ka pranuar kërkesën e prokurorit të PRSK-së, Admir Shala, në lidhje me masën e paraburgimit prej 30 ditësh për ish-prokuroren Vahide Badivuku dhe dy persona të tjerë... (Më gjerësisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)