VV: Policia gënjen rreth arrestimit të Salih Zybës

  • 29 August 2015 - 13:23
VV: Policia gënjen rreth arrestimit të Salih Zybës

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj deklaratës së Policisë së Kosovës, e cila dje ka arrestuar aktivistin Salih Zyba.

"Sot Policia e Kosovës, duke e ndjekur rrugën e shpifjeve të kryeministrit dhe kryepolicit Isa Mustafa, bëri një deklaratë të gënjeshtërt dhe shumë tendencioze. Policia tha se Salih Zyba është arrestuar ngase ishte i dhunshëm. Por, nga xhirimet e kamerave të Komunës së Prishtinës si dhe dëshmitë e punëtorëve të sigurimit të Komunës, është e qartë që Salih Zyba ka qenë duke qëndruar bashkë me punëtorët e sigurimit, në oborrin e Komunës, ndërkohë që aty janë futur dy policë civilë", thuhet në kumtesën e VV-së, transmeton Kosova Sot Online.

Sipas VV-së, Salih Zyba, së bashku me punëtorët e sigurimit kanë shkuar për t'i pyetur se kush janë dhe çka po bëjnë në parkingun e Komunës, ndërsa policët civilë kanë filluar menjëherë të ofendojnë dhe pastaj ta godasin Salih Zybën dhe e kanë arrestuar atë, me ndihmën edhe të një patrulle policore që ka ardhur ndërkohë.

"Dhuna policore e kohës së masave të dhunshme, përherë është përcjellur edhe me propagandë policore që ka tentuar t'i demonizojë qytetarët që i arrestonin. Saktësisht e njëjta po ndodh edhe sot nën qeverisjen e Isa Mustafës.Isa Mustafa duhet të jap dorëheqje, në të kundërtën qytetarët do ta shkarkojnë atë!", thuhet në kumtesën e VV-së.

(Kosova Sot)