Shesin arin për t’i paguar kreditë

  • 29 August 2015 - 13:33
Shesin arin për t’i paguar kreditë

Unazë, varëse apo vathë. Këto janë stolitë prej ari që më së shumti shiten kohëve të fundit nga qytetarët e Kosovës.

Shitjen e stolive të çmuara, kosovarët po e bëjnë për t’i  paguar borxhet dhe kreditë.

Derisa, interesim për të blerë ari thuajse ka rënë krejt. Të vetmit që po u drejtohen artarive për të blerë ndonjë stoli janë mërgimtarët.

Kryetari i Shoqatës së Artarëve, Enver Pakashtica , ka thënë se ka ulje të kërkesës, dhe se “shpëtim” i vetëm ka mbetur diaspora, që sipas tij po e ngritë për 30 për qind shitjen në muajt e verës.

“Mundemi me ia ba qejfin vetës, por në fakt ka krizë” ka thënë Pakashtica.

Ai tregon se për shkak të krizës, kohëve të fundit më shumë blejnë ari sesa që shesin.

“S’po kanë njerëzit. Vijnë shesin ari sepse kanë obligime si kredi, apo kanë raste emergjente në familje” ka vazhduar Pakashtica.

Sipas kryetarit të Shoqatës, zeja e arit është e para që goditet kur ka ndonjë krizë, sepse, siç thotë ai, ari është “superluks”.

E, rastet kur qytetarët shesin arin për të kryer obligime të tjera, nuk janë të rralla. E tillë është arsyeja e B.I, i cili ka ardhur nga Vushtrria vetëm me qëllim që të gjej një çmim më të favorshëm për shitje.

“S’po kemi çka me ba, se koka vështirë me shit për zor, diçka që e ke ble për qef dikur. Po, borxhlija nuk po të vesin” tregon B.I.

Të dëshpëruar janë edhe gjithë shitësit e arit. Ata qëndrojnë ulur para dyqaneve dhe i shikojnë kalimtarët e rastit, duke shpresuar që ndonjëri prej tyre do të futet të blej diçka.

“Ka ditë që kurrkush nuk na e çelë derën” ka thënë një shitës, duke mos dashur t’i përmendet emri.

E një shitës tjetër nga Prishtina tregon se ky vit ishte më i dobët se vitet e kaluara.
“Çfarë pune, këtë vit s’ka pas kurrgjo” ka thënë shitësi tjetër, i cili njëjtë dëshiron të mbetet anonim.

Uljen e kërkesës së arit e konfirmon edhe Dogana e Kosovës me anë të statistikave të hyrjes së arit për në Kosovë.

Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganave të Kosovës, duke treguar për shifrat e hyrjeve, ka sqaruar se duke shikuar trendin, në këtë vit ka import më pak.

Për këta 8 muaj të këtij viti, në Kosovë kanë hyrë vetëm 2.36 kilogram ari, që kapë vlerën e 56,698 eurove. E, për këta muaj, në arkën e shtetit nga të hyrat e arit kanë shkuar gjithsej 15.648 euro, transmeton gazeta Fjala.

Ndërkaq, për vitin e kaluar gjithsej në Kosovë kanë hyrë 5,41 kilogram ari, që kapë vlerën e 124,293 eurove, dhe nga to në arkën e shtetit janë derdhur 34,304 euro.