Specialja tërësisht në duart e ndërkombëtarëve, thotë Kuçi

  • 29 August 2015 - 13:39
Specialja tërësisht në duart e ndërkombëtarëve, thotë Kuçi

Gjykata Speciale, zgjedhja e prokurorëve dhe gjyqtarëve, ngritja e aktakuzave, si dhe funksionalizimi i Dhomave të Specializuara dhe Prokurorit të Specializuar, është një proces i cili varet dhe është krejtësisht në duart e ndërkombëtarëve. Kështu ka deklaruar Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi.

Për të parin e drejtësisë në vend, sistemi i drejtësisë ka sfidat e tij, por se kjo ndodh me të gjitha vendet që janë pretendente për anëtarësim në Bashkimin Evropian, pasi që siç tha Kuçi "llupa që përcjell veprimet tona do të jetë edhe më e madhe".

Për Ministrin e Drejtësisë institucionet vendore tashmë janë të gatshme të marrin kompetencat nga EULEX, por se këtë të fundit nuk mendon se duhet ta " largojmë" nga Kosova në mënyrë të njëanshme, por se ky tranzicion duhet të ndodh në bashkëpunim. Sipas Kuçit dështimet e EULEX në Kosovë nuk duhet të shihen si sukses për Kosovën, ashtu siç edhe dështimet e institucioneve kosovare të drejtësisë nuk duhet të shihen si sukses i këtij misioni.

Se kur do të filloj së funksionalizuari Gjykata Speciale, të cilës me 3 gusht Kuvendi i Kosovës i dha dritën e gjelbër, sipas Kuçit tashmë mbetet në duart e faktorit ndërkombëtarë, si dhe gjithçka tjetër rreth këtij procesi është tek ata. Kuçi në një intervistë për kp, thotë se negociatat e gjithçka tjetër janë stopuar që me ngritjen e lëndës nga ana e opozitës në Gjykatën Kushtetuese, të cilët kërkojnë të marrin qëndrimin e këtij institucioni lidhur me ligjshmërinë dhe përputhshmërinë me Kushtetutën e vendit, nga votimi i 3 gushtit.

Ndërsa për emrat që kanë qarkulluar në ditët e para pas votimit nga ana e kuvendit për Specialen, Kuçi tha se nuk është në dijeni për asnjë emër për të akuzuarit e mundshëm, dhe me këtë proces sipas tij nuk do të duhej të spekulohej.