Arrin në 111 të vdekur numri i “anijes së vdekjes”

  • 29 August 2015 - 17:19
Arrin në 111 të vdekur numri i “anijes së vdekjes”

Njëqind e njëmbëdhjetë trupa u nxorën nga uji dhe dhjetëra të tjerë rezultojnë ende të zhdukur pas fundosjes një ditë më parë të një anijeje në brigjet e Libisë, sipas një bilanci të ri të publikuar sot nga “Gjysmëhëna e Kuqe libiane”.

Varka ishte mbushur me ujë pak para se të zbarkonte në brigjet e qytetit Zouara rreth 160 kilometra në perëndim të Tripolit. Në bord ndodheshin rreth 400 emigrantë të ardhur kryesisht nga vendet e Afrikës me shpresën për të arritur në brigjet e Italisë.

Zëdhënësi i “Gjysmëhënës së Kuqe” libiane, Mohamed al-Masrati citoi se numri i personave të shpëtuar ishte i pandryshuar dhe mbetet në 198 persona.

“Deri më tani 111 trupa janë gjetur dhe dhjetëra të tjerë rezultojnë të humbur”, u shpreh Masrati për median duke konfirmuar numrin 400 të personave në bord. Bilanci i mëparshëm raportonte për rreth 76 të vdekur.