Kadaj-Bujupi i kërkon kryeministrit të shkojë në shtëpi

  • 29 August 2015 - 23:01
Kadaj-Bujupi i kërkon kryeministrit të shkojë në shtëpi

Donika Kadaj-Bujupi, shefja e grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i ka kërkuar kryeministrit Isa Mustafa që të shkojë në shtëpi.

Përmes një postimi në profilin e saj në Facebook, ajo ka listuar një sërë, sipas saj, dështimesh të qeverisë së udhëhequr nga Mustafa, dhe ka thënë se Kosovës i duhet një kapitull i ri.

Kadaj-Bujupi, ka theksuar se kryeministri do të duhej te ishte duke dhënë llogari para Kuvendit për projektet e qeverisë së tij, e jo duke i fyer e sharë kundërshtarët e tij politik.

Në kohën kur kombit duhet dhënë sqarime për katër marrëveshjet e arritura në Bruksel, e të cilat nga ambiguiteti i interpretimit po hutojnë dhe shqetësojnë skajshmërisht të gjithë.

Ja postimi i saj i plotë:

Në kohën kur realiteti i humbjes së 10 mijë hektarëve tokë, tentohet të sqarohet me vetëm një deklaratë në Facebook.

Në kohën kur qeveria ka obligim kushtetues ta njoftojë Kuvendin sa herë që të nënshkruhet një marrëveshje ndërkombëtare (me Nenin 18, pika 3 e Kushtetutës së Republikës së Kosovës), Kryeministri i vendit, përmes rrjetit social dhe jashtë çfarëdo etike të komunikimit, “bombardon” me sharje e fyerje.

Definitivisht, vendit i duhet një kapitull i ri!

Pavarësisht, se a janë skandalet në komunikim përpjekje për t’i ikur temës kryesore dhe pyetjes se çka nënshkruan Mustafa, Thaçi e kompania në Bruksel dhe Vjenë, kjo ka pak ka rëndësi. Rëndësi ka që të gjithë, që nga shitësit ambulantë e deri tek “shtresat” e të të rehatuarve dhe partive në pushtet, rrudhin krahët dhe pajtohen se Kosova është keq.

Ndërkaq, kur numërojmë se çka humbëm dhe çka fituam, po del që historitë e vjetra, ku toka dhe shteti po falen për pushtet, vazhdojnë edhe në kohët moderne.

Nëse në Bosnjë, kompromisi u bë për ta ndalë luftën, kurse pasojat në shtetndërtim po shihen, cilat shkaqe e shtynë qeverinë tonë, pas 15 vitesh liri, ta defunksionalizojë shtetin edhe ashtu të brishtë?!

Andaj, Kryeministër, shko n’shpi!