Japoni, protesta rinore kundër legjislacionit për përdorimin e ushtrisë

  • 30 August 2015 - 11:23
Japoni, protesta rinore kundër legjislacionit për përdorimin e ushtrisë
Mijëra persona kanë protestuar jashtë Parlamentit japonez, kundër ligjit të ri që do t’i lejojë ushtrisë të dislokohet edhe jashtë vendit.

Ndryshimet do t’u lejojnë trupave japoneze të luftojnë jashtë vendit për herë të parë që prej Luftës së Dytë Botërore. Legjislacioni është kaluar tashmë në dhomën e ulët të Parlamentit të Japonisë, ndërsa pritet të miratohet edhe nga dhoma e lartë.

Bazuar mbi Kushtetutën e vendit, Japonia e ka të ndaluar të përdorë ushtrinë e saj për zgjidhjen e konflikteve të huaja, përveç se në rastet e vetëmbrojtjes. Por, një interpretim i ri i ligjit do të lejojë tashmë “vetëmbrojtje kolektive”, gjë që nënkupton përdorimin e trupave ushtarakë për të mbrojtur edhe aleatët nga ndonjë sulm i mundshëm.

Demonstratat po udhëhiqen nga studentët dhe të tjerë njerëz të rinj, të cilët thonë se kanë dalë në mbrojtje të Kushtetutës paqësore të Japonisë. Policia ka rrethuar rrugët për të siguruar rendin dhe mospërshkallëzimin e situatës, ndërsa ka bërë thirrje ndaj protestuesve të lëvizin së bashku, për të ulur sidoqoftë përçarjet dhe trazirat në qendrën e kryeqytetit.

Kryeministri Shinzo Abe thotë se ndryshimet janë të nevojshme për të mbrojtur Japoninë, por sondazhet tregojnë se shumica e popullsisë i kundërshton ato.

Plani është kritikuar edhe në një ceremoni përkujtimore të kohëve të fundit, që shënoi hedhjen e bombës bërthamore nga SHBA-të në gusht të 1945-s në qytetin e Nagasakit, që la të vdekur mbi 70 mijë persona./ Top Channel