Biserko: Kosova në UNESCO, garanci për ruajtjen e trashëgimisë kulturore

  • 30 August 2015 - 11:49
Biserko: Kosova në UNESCO, garanci për ruajtjen e trashëgimisë kulturore

Drejtoresha e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, Sonja Biserko, ka thënë për “Radio Evropa e Lirë” se përpjekjet e Beogradit zyrtar që të pengohet anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën e Kulturën (UNESCO) me pretekstin se shqiptarët i kanë shkatërruar tempujt dhe monumentet e shenjtë serbë tingëllon skajshmërisht cinik kur kihet parasysh se çfarë ka shkatërruar dhe djegur Serbia në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe në vetë Kosovën.

Objektivisht, pohoi Biserko, UNESCO është garanci për ruajtjen e të gjithë monumenteve kulturore kudo në botë.

Biserko theksoi se bashkëpunimi mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë është solid në nivelin joformal, e posaçërisht në rrafshin kulturor.

Organizata të shumta joqeveritare të të dy vendeve janë angazhuar në projekte me artistë të rinj, duke përfshirë projektin aktual të Komitetit të Helsinkit “Muaji i kulturës së Serbisë në Prishtinë”, i cili është paraprirë nga “Muaji i Kosovës në Beograd”.