Hungaria ndërton gardh me tela 175 km të gjatë

  • 30 August 2015 - 15:45
Hungaria ndërton gardh me tela 175 km të gjatë

Hungaria e përfundoi barrierën e saj në kufirin me Serbinë, lëvizje kjo që synon të mbajë larg refugjatët, e që ka tërhequr një valë kritikash ndërkombëtare.

Barriera 175 kilometra e gjatë përbëhet nga 3 radhë telash me gjemba. Ajo duhej të ishte gati më 31 gusht, por u quajt e mbyllur që në datën 29, dy ditë përpara afatit.

Një gardh i dytë, 4 metra i lartë, është duke u ndërtuar sakaq nga ushtria, për të përforcuar atë që Ministria e Brendshme hungareze e quajti “mbrojtje ndaj shkelësve të paligjshëm të kufirit”. Struktura në fjalë duhet të kompletohet deri në fund të muajit tetor.

Ngritjen e barrierave, qeveria e djathtë e kryeministrit Viktor Orban e njoftoi që në muajin qershor, e shkak u bë pikërisht shtimi i numrit të emigrantëve që tentojnë hyrjen në vend, shumë nga të cilët janë njerëz që u largohen konflikteve apo varfërisë së skajshme në Lindjen e Mesme dhe Afrikë.

Por ekzekutivi hungarez ka ndërmend të marrë edhe të tjera masa drakoniane. Ai po përgatit një projektligj, që me të gjitha gjasat do të marrë dritën jeshile të Parlamentit këto ditë, i cili parashikon dënime të ashpra për këdo që kalon kufirin.

Sipas këtij projektligji, shkelja e paligjshme e kufirit do të ndëshkohet me 3 vite burg, ndërsa dëmtimi i barrierës mbrojtëse bart në vetvete një dënim prej 5 vitesh heqje lirie. Nisma në fjalë parashikon edhe një zonë internimi për refugjatët në kufi. Forcat e policisë kufitare do të shtohen gjithashtu në numër, nga 1000 që janë aktualisht, në 3000 duke nisur nga 1 shtatori.

Vetëm këtë javë, në Hungari kanë kaluar nga Serbia rreth 10 mijë emigrantë. Vendi shihet nga emigrantët si një portë hyrëse për në Bashkimin Europian dhe zonën e lëvizjes pa viza të Schengenit, e shumica i kanë shpresat që të sigurojnë azil në vende perëndimore, si Gjermania apo Suedia, transmeton Top Channel.