Prokuroritë dhe gjykatat në "gjumë", mbyllen rastet e të inkriminuarve - Lajme - Kosova Sot
Prokuroritë dhe gjykatat në "gjumë", mbyllen rastet e të inkriminuarve

Prokuroritë dhe gjykatat në "gjumë", mbyllen rastet e të inkriminuarve

Aliu: As Prokuroria, as Policia, fare nuk i hetojnë rastet e mijëra të inkriminuarve në institucionet e Kosovës, duke filluar nga niveli qendror e deri tek ai komunal, sepse janë të lidhura ngushtë dhe bashkëjetojnë me krimin 

"Kësaj elite politike dhe kësaj drejtësie i duhet dhënë ndëshkimi i merituar, në mënyrë që demokracia, sovraniteti dhe drejtësia t'i kthehen popullit, sepse ai dhe vetëm ai dhe vullneti i tij janë legjitimiteti i vërtetë; vetëm populli dhe vullneti i tij janë të pasfidueshëm. Këtë në Shqipëri nuk e bën as politika dhe as drejtësia shqiptare, por po e bëjnë SHBA-ja dhe VETTING-u. Pastrimi dhe shfronësimi i kësaj elite politike dhe kësaj drejtësie jolegjitime politikisht dhe juridikisht, por të kriminalizuar e të korruptuar është i pashmangshëm falë VETTING-ut dhe SHBAsë", thotë analisti Skënder Kapiti për "Kosova Sot"

Analistët dhe njohësit e fushës së sundimit të ligjit po shprehen shumë kritikë në vlerësimin e tyre për punën e Prokurorisë dhe Policisë për krimet e rënda ekonomike, që nuk po i trajtojnë, nuk po i hetojnë fare rastet e mijëra të inkriminuarve në institucionet e Kosovës, duke filluar nga niveli qendror e deri tek ai komunal. Prokuroria nuk ka arritur akoma të zërë as edhe një "peshk të madh" nga krimi i organizuar, të cilët si në nivelin lokal, po ashtu edhe në atë qendror , po kërkojnë dhe po marrin haraç për shërbimet,që në një shtet me sundim të ligjit dhe ekonomi të lirë të tregut rregullohen me ligje e Kushtetutë në Kosovë. Sipas njohësve të kësaj fushe, nuk ka shans që pa paguar "haraçin" ta marrësh as edhe një leje të vetme ndërtimore, as licencë aktiviteti, në asnjë veprimtari të rëndësishme ekonomike e as përgjigje apo vendime administrative nga administrate, si në pushtetin lokal po ashtu edhe në atë qendror, edhe pse ligjet shumë qartë i obligojnë për këtë! Sipas analistëve, deri më sot nuk kemi asnjë të dënuar të nivelit të lartë politik, apo zyrtar në administratën komunale dhe atë qendrore, e as të mafio-oligarkëve që veprojnë dhe janë pjesë e "nëntokës dhe krimit të organizuar", që funksionon para hundëve e syve të prokurorëve të Prokurorisë Speciale, ndërkaq që ata nuk i hetojnë as 'ex officio' dhe as pas kallëzimeve penale nga qytetarët, duke u dalë në mbrojtje dhe duke bërë avokatinë e tyre, dhe nuk ngritin fare aktakuza kundër tyre!

KAPITI: KËSAJ ELITE POLITIKE DHE KËSAJ DREJTËSIE I DUHET DHËNË NDËSHKIMI I MERITUARSipas analistit Skënder Kapiti, gjendja në drejtësinë shqiptare, por edhe në atë kosovare është identike, e tillë, pasi elita politike dhe drejtësia shqiptare funksionojnë në marrëdhënie simbiotike korruptive, krimi, hajdutërie dhe abuzivizmi, si një grup interesi i ngushtë minoritar që kanë kapur shtetin, ekonominë, ligjin, drejtësinë dhe tërë sistemin. " Kjo elitë politike e ka humbur legjitimitetin, sepse vetëm ka gënjyer e mashtruar; vetëm ka nxjerrë probleme dhe nuk ka zgjidhur gjë; vetëm sa ka dështuar në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, atij ordiner dhe gjithfarë krimi tjetër; ka dështuar në ngritjen dhe në funksionimin e shtetit ligjor. Dhe, kjo politikë dhe drejtësi kanë shënuar këto 'arritje': e kanë mbajtur vendin dhe popullin në një gjendje ankthi e pasigurie juridike, ekonomike e mosintegrimi; e kanë vendosur Shqipërinë në krye të listës së vendeve evropiane, por edhe më gjerë për varfërinë, papunësinë, korrupsionin, krimin dhe për eksodin. Po kështu edhe sistemi i drejtësisë ka funksionuar në mënyrë të tillë, ku mbi 90% e shqiptarëve nuk besojnë të drejtësia", theksoi Kapiti për "Kosova Sot". Ai po ashtu konstaton se kjo politikë dhe kjo drejtësi nuk kanë legjitimitet, sepse ato legjitimitetin demokratik dhe atë juridik e kanë pronë të tyre dhe bëjnë çfarë të duan me politikën, me pushtetin, me shtetin, me sovranitetin dhe me shoqërinë, me paranë publike, me pasuritë kombëtare dhe me shoqërinë. Zgjidhja, sipas tij, vjen vetëm nëse zbatohet VETTING-u si mjet pastrimi i tërësishëm."Kësaj elite politike dhe kësaj drejtësie i duhet dhënë ndëshkimi i merituar, në mënyrë që demokracia, sovraniteti dhe drejtësia t'i kthehen popullit, i cili ai dhe vetëm ai dhe vullneti i tij janë legjitimiteti i vërtetë; vetëm populli dhe vullneti i tij janë të pasfidueshëm. Këtë në Shqipëri nuk e bën as politika dhe as drejtësia shqiptare, por po e bëjnë SHBA-ja dhe VETTING-u. Pastrimi dhe shfronësimi i kësaj elite politike dhe kësaj drejtësie jolegjitime politikisht dhe juridikisht, por të kriminalizuar e të korruptuar është i pashmangshëm falë VETTING-ut dhe SHBA-së", tha Skënder Kapiti për "Kosova Sot".

ALIU: PROKURORIA NUK KA ARRITUR QË TA ZËRË AS EDHE NJË 'PESHK TË MADH' NGA KRIMI I ORGANIZUAR
Analisti politik Bislim Aliu konsideron se sikurse Prokuroria, as Policia, fare nuk hetojnë rastet e mijëra të inkriminuarve në institucionet e Kosovës, duke filluar nga niveli qendror e deri tek ai komunal, sepse janë të lidhur ngushtë dhe bashkëjetojnë me krimin."Për këtë, Prokuroria nuk ka arritur që ta zërë as edhe një 'peshk të madh' nga krimi i organizuar, të cilët si në nivelin lokal, po ashtu edhe në atë qendror, po kërkojnë dhe po marrin haraç për shërbimet, e që në një shtet me sundim të ligjit dhe ekonomi të lirë të tregut, rregullohen me ligje e Kushtetutë", u shpreh ai për "Kosova Sot". "Deri më sot nuk kemi asnjë të dënuar të nivelit të lartë politik, apo zyrtar në administratën komunale apo atë qendrore, e as të mafiooligarkëve që veprojnë dhe janë pjesë e nëntokës dhe krimit të organizuar, që funksionojnë para hundëve të Prokurorisë Speciale, ndërkaq që ata nuk i hetojnë edhe pas kallëzimeve penale të qytetarëve, vazhdimisht duke u dalë në mbrojtje dhe as që ngritën aktakuza ndaj tyre", tha Bislim Aliu për "Kosova Sot".

Preteni: Politika jashtë gjyqësorit, prokurorë dhe titullarë të mekanizmave antikorrupsion jashtë politikës
Sipas ish- kreut të AKK-së Hasan Preteni, pas rastit të prokurorit Elezaj gjithçka është dekonspiruar sa i takon interferimit të politikës në drejtësi. "Pas deklaratës se prokurorit Elezaj, gjithçka është dashur të përfundojë. Kryeprokurori Lumezi është kapur nga politika, të gjithë prokurorët tjerë janë të kapur nga Lumezi. Nuk ka veprime hetuese pa kontrollin e Lumezit, edhe policët hetues dhe mekanizmat e tjerë hetues janë të shantazhuar nga Lumezi, e ai nga politika. Nuk ka shtete ku sundon ligji kur kjo ndodh si në Kosovë. Gjithçka do të ndryshojë kur nga Amerika z. Elezaj do të kthehet si kryeprokuror. Të gjithë kryeprokurorëve dhe kryegjyqtarëve duhet t'u hiqen privilegjet jetësore", u shpreh ai. "Me ardhjen e z. Elezaj si kryeprokuror do të 'vdesin' të gjithë prokurorët dhe hetuesit që i kontrollon Lumezi. Lumezi ka ndikim edhe tek mekanizmat e pavarur që kanë për mision luftën kundër korrupsionit (edhe Agjencinë kundër Korrupsionit, edhe hetuesve policorë). Me largimin e Lumezit duhet të largohet edhe ndikimin politike tek gjyqësori. Ky është hapi i parë. Të largohen të ndikuarit, të abrogohen të drejtat e titullarëve për privilegje jetësore. Politika jashtë gjyqësorit, prokurorë dhe titullarë të mekanizmave antikorrupsion jashtë politikës.Transparencë dhe llogaridhënie për titullarë. Kjo është formula e bërjes së drejtësisë së pavarur dhe funksionale e të barabartë për të gjithë", tha Preteni për "Kosova Sot".

BURJANI: PA KONFISKIM TË PASURIVE TË FITUARA KUNDËRLIGJSHËM NUK KA SHTET LIGJOR Sipas Blerim Burjanit, po ashtu njohës i kësaj fushe, sikur të mos ishte e ndikuar nga politika, Prokuroria duhet të veprojë sipas detyrës zyrtare. " Pse nuk vepron është çështje se si vlerëson ky institucion faktet apo provat. Ky organ është i pavarur dhe nuk nxitet të veprojë sipas thashethemeve, por do të duhej vepruar bazuar në indicet reale, pra të sakta për rrezikun e interesit publik", theksoi ai. "Një prokuror mund të shantazhohet e të kërcënohet nga njerëz politikë mbi rendin dhe ligjin. Dhe, dihet që shteti nuk ka krijuar mekanizma të fuqishëm në mbrojtjen dhe sigurinë e punëtorëve të drejtësisë", u shpreh ai. "Rritja e pagave është nga politika dhe sikur ata joshen të mos veprojnë në rastet politike, ku persona mbi rendin dhe ligjin lëvizin dhe bëjnë pazare pa problem nga askush. Shembulli është konkret, 'Vala' gjendet para bankrotit, që është shkaktuar nga kontratat e kundërligjshme dhe punësimi enorm, e që po e çon në bankrot. Mbipunësimi është partiak dhe familjar, janë pra ndër shkaktarët kryesorë, udhëheqja e 'Valës' bëhet nga politika. Pra, thjesht, s'ka pasur menaxhim profesional kurrë, por ka pasur menaxhim nga politika, e politika këtu dihet si bëhet ajo, si e tillë është përfituese, shkatërruese dhe nepotiste", vijoi më tej Burjani. "Ka shumë punë Prokuroria në Kosovë dhe do të ketë përplot kur një ditë këta njerëz përfitues nuk do të jenë në politikë. Këtyre duhet t'u konfiskohet edhe pasuria, sepse pa konfiskim të pasurive të fituara kundërligjshëm nuk ka shtet ligjor", potencoi ai për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)

20 orë e 25 minuta më parë
19/09/18