"Kosova Sot", media e vetme që nuk iu nënshtrua oligarkëve mafiozë

  • 14 September 2018 - 08:07
Berisha: "Kosova Sot" ka qenë mediumi i vetëm që pati guximin ta thotë të vërtetën dhe të flasë për bizneset mafioze me emër e mbiemër

"Mediat e varura ekonomikisht nga politika dhe bizneset e lidhura me politikën janë të detyruara t'i mbyllin sytë para aferave të ndryshme korruptive. Ndërsa, gazeta "Kosova Sot" ka qenë e vazhdon të jetë një pishtar i fuqishëm në ndriçimin e shumë aferave kriminale, në të cilat janë përfshirë eksponentët nga politika e biznesi", thotë analisti Zekim Istogu për "Kosova Sot"

Njohës të rrethanave ekonomike thonë se gazeta e përditshme "Kosova Sot" është gazeta e vetme që e bëri publike të vërtetën rreth mafio-oligarkëve. Veç saj, ajo ka qenë e vetmja që ka alarmuar e shkruar kundër monopoleve kriminale, të familjeve mafioze dhe mafiozeve në pushtet dhe biznes kriminal, që kanë kapur dhe mbajnë peng shtetin. Asnjë media tjetër,sipas analistëve, nuk denjoi që të merret me problemet më kruciale që lidhen pikërisht me nëntokën kriminale të mafio-oligarkëve të tejinkriminuar, të cilët po e sundojnë shtetin e Kosovës, vazhdojnë që të jenë mbi ligjin dhe mbi Kushtetutën. Ndërkaq, gazeta "Kosova Sot", pandërprerë dhe në baza ditore, arriti që t`ia bëjë të qartë popullit edhe me emra të përveçëm se e keqja e këtij shteti janë mafia e nëntokës kriminale, në të cilën bëjnë pjesë pushtetarët e inkriminuar të të dyja niveleve të pushtetit, si dhe mafio-oligarkët e tejinkriminuar. 

ZEQA: BINDSHËM E PARA
Analisti Florim Zeqa tha për "Kosova Sot" se ky medium po e feston ditëlindjen e 20-të më 11 shtator 2018 dhe në këto 20 vite që po i lëmë pas, duke filluar nga lufta për të vazhduar me kontributin e madh e të fuqishëm deri në krijimin e ndërtimit të shtetit si Republikë e Pavarur të Kosovës dhe duke prirë bindshëm si gazeta më e lexuar në Kosovë. "Kjo gazetë, e cila me politikën e saj plotësisht të pavarur editoriale ishte dhe mbeti një dritare e madhe e denoncimit të të këqijave dhe ia arriti të ringjallet dhe ringrihet dhe 20 vjet pas po vazhdon që të mbetet gazeta numër një në tregun e shtypit ditor në Kosovë", u shpreh ai.

KRIMINELËT AMNISTOHEN, VARFANJAKËT E PËSOJNË
"Te ne, në Kosovë, për fatin e keq, hetuesia dhe prokuroria janë dorëzuar, sepse po merren me shtresën e varfër dhe po i ndjekin ata që kanë vjedhur një qerre me dru, e në anën tjetër heshtin përballë kontrabandës me miliona", tha Fadil Berjani për "Kosova Sot"

ISTOGU:"KOSOVA SOT" ME DENONCIMIN E VAZHDUESHËM TË KRIMINALITETIT DHE KEQPËRDORIMEVE PO KRYEN PUNËN QË ËSHTË DASHUR TË KRYEJË PROKURORIA
Analisti i ekonomisë, Zekim Istogu, tha për "Kosova Sot" se media e lirë konsiderohet si armë e pathyeshme e një shoqërie që ka tendencë të ecë në rrugën e progresit."Nuk ka gjë më të fuqishme në shtytjen përpara të një shoqërie, sesa gazetaria e mirëfilltë investigative, sidomos për shoqëritë në tranzicion, e posaçërisht ato të dala nga lufta, si kjo jona. Fatkeqësisht në shoqërinë tonë mediat nuk janë krejtësisht të lira e as të mbrojtura sa duhet për të kryer punën me dinjitet. Si pasojë e këtij ambienti kaotik, mbijetesa e shumë mediave të shkruara dhe elektronike kanë rënë nën ndikimin material të klaneve të inkriminuara monopolitare", u shpreh ai."Mediat e varura ekonomikisht nga politika dhe bizneset e lidhura me politikën janë të detyruara t'i mbyllin sytë para aferave të ndryshme korruptive. Ndërsa, gazeta "Kosova Sot" ka qenë e vazhdon të jetë një pishtar i fuqishëm në ndriçimin e shumë aferave kriminale, në të cilat janë përfshirë eksponentët nga politika e biznesi. "Kosova Sot" ia ka dalë të publikojë para lexuesit dëshmi të pakontestueshme për zhvatjen dhe shfrytëzimin kriminal të parasë dhe pasurisë publike, nga politikëbërësit dhe pronarët e bizneseve të paprekshme nga ligji. Kjo punë e madhe kërkon guxim, vullnet, sakrificë, e mbi të gjitha profesionalizëm të madh për t'i dhënë lexuesit të vërtetën për krimin ekonomik dhe keqpërdorimet e pushtetit në dëm të ecjes përpara të shoqërisë sonë", vlerësoi analisti Istogu. Sipas tij, gazeta "Kosova Sot", me denoncimin e vazhdueshëm të kriminalitetit dhe keqpërdorimeve po kryen punën që është dashur të kryejë prokuroria. "Me ngritjen e këtyre aferave të ndjeshme kriminale "Kosova Sot" po bën një punë të madhe në vetëdijesimin e klasës politike, të biznesit dhe të shoqërisë civile, dhe po e ngrit moralin intelektual për t'u bërë pjesë e luftës kundër korrupsionit dhe kriminalitetit ekonomik, andaj suksese", ka thënë ai.

BERISHA:"KOSOVA SOT" GUXIMSHËM KA SHKRUAR PËR MONOPOLET E DEVOLLËVE NË FUSHËN E HOMOLOGIMIT DHE PRIVATIZIMET
Kreu i Sindikatës së Fabrikës së Amortizatorëve në Prishtinë, Ramush Berisha, tha se gazeta "Kosova Sot" ka qenë ky medium i vetëm në vend që në vazhdimësi në Kosovë pati guximin që ta thotë të vërtetën dhe të flasë për bizneset mafioze me emër e mbiemër. "Ky ka qenë mediumi i vetëm që më së shumti kanë shkruar për ish-Fabrikën e Amortizatorëve në Prishtinë, të cilën me ndihmën e pushtetarëve e privatizoi kompania që është në pronësi të oligarkëve Devolli", theksoi ai. Sipas Berishës, gazeta "Kosova Sot" ishte e vetmja që e pati guximin që t'i publikojë këto të palara të të gjitha garniturave të pushtetarëve tanë të pasluftës, që ishin implikuar në privatizimin e kësaj fabrike. Ai shton se "Kosova Sot" është gazeta që më së shumti dhe më guximshëm ka shkruar për monopolet e Devollëve në fushën e homologimit të automjeteve.

KADRIAJ: RREZIQET DHE KËRCËNIMET NUK E NDALËN GAZETËN "KOSOVA SOT" NË NDJEKJEN E KRIMIT TË ORGANIZUAR DHE MAFIOOLIGARKISË
Eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, tha për "Kosova Sot" se ky medium për 20 vite tregoi paanshmëri në lansimin e lajmit, vendosmëri, duke ndjekur krimin e organizuar dhe mafiooligarkinë në vend, pa marrë parasysh rreziqet dhe kërcënimet që i ka pasur nga grupet e lartcekura. "Kosova Sot" dëshmoi vendosmërinë që përkundër kushteve jo të mira arriti që t'i jetësojë 20 vjet në një vend me tranzicion politik dhe ekonomik çfarë kishte Kosova dhe me këtu u bë pjesë e shoqërisë dhe e lexuesit shqiptar brenda dhe jashtë Kosovës", u shpreh ai. Kurse lideri i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, për "Kosova Sot" përgëzoi stafin e redaksisë, duke theksuar se me shkrimet korrekte gazetarët i treguan popullit se kjo gazetë ka vlera."Ngase shkrimet tuaja për korrupsionin, zhvatjen e shtetit, kontrabandën, luftën kundër monopoleve, kanë qenë tema me të cilat hetuesia dhe prokuroria ishte dashur që të merret me to", vlerësoi ai. "Edhe zëvendëskryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, e thotë se në Kosovë ka kontrabandë me derivate të naftës, ngase po fiken dritat në dogana për të mundësuar kontrabandën me derivate. Por e keqja është se hetuesia dhe prokuroria nuk ndërmarrin asgjë. Dhe, në Evropën e civilizuar, si në Gjermani, të ishte folur në Bundestagun gjerman për korrupsion, kontrabandë, zhvatje të shtetit, hetuesia dhe prokuroria menjëherë do të merrnin masa", potencoi Berjani.

MISIONI I PËRMBUSHUR
"Me punën 20-vjeçare, gazeta "Kosova Sot" ka qenë medie që e ka përmbushur me sukses këtë mision të shenjtë: informimin e drejtë, të shpejtë, të saktë dhe në kohë të qytetarit", u shpreh Milazim Abazi për "Kosova Sot" 

Denoncimi i të këqijave
Xhevat Meha, financier, për gazetën "Kosova Sot", tha se e veçanta e këtij mediumi është dhe mbetet fakti se gazeta "Kosova Sot" për shumë vite është duke u dalë përballë në vazhdimësi këtyre strukturave kaq të fuqishme të krimit."Andaj është për të ardhur keq situata ku kemi mbërritur, sepse që nga paslufta Kosova me të madhe është duke përjetuar zhvillime negative, siç janë niveli shumë i lartë i krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kjo ngase te ne krimi i organizuar dhe korrupsioni janë shumë të fuqishme në Kosovë për shumë vite rresht, kjo është e vërtetuar me raportet e institucioneve të jashtme që konsiderohen si të pavarura nga zhvillimet në Kosovë", u shpreh ai. Bankieri Milazim Abazi për gazetën "Kosova Sot" tha se informimi i drejtë, i shpejtë, i saktë dhe në kohë, duhet që të jetë mision i çdo gazete dhe i çdo medie. "Vërja në pah e të këqijave, gjërave negative që e pengojnë zhvillimin e demokracisë dhe vetë jetën e qytetarit po ashtu duhet të jetë detyrë e mediave", vijoi më tej ai. Sipas Abazit, denoncimi i krimit politik dhe ekonomik, si dhe denoncimi i shkeljes së të drejtave dhe lirive të qytetarëve po ashtu duhet të jetë detyrë e shenjtë. Ndërsa eksperti i integrimeve evropiane, Nëntor Shaqiri, për "Kosova Sot" tha se kjo e përditshme ka filluar punën në kohën më të vështirë për gazetarinë kosovare, duke rrezikuar dhe sakrifikuar gjithçka në misionin e informimit të drejtë përballë barbarisë së pushtuesit serb."Gazeta "Kosova Sot", lidere në fushën e mediave të shkruara, ka arritur t'i përballojë ndikimit politik me të vetmin qëllim që të ruajë etikën gazetareske", u shpreh ai. Sipas Shaqirit, kjo gazetë me plot guxim vazhdon të nxjerrë në shesh keqpërdorimet e pozitave zyrtare dhe zhvatjet e grupeve kriminalo-politike.

(Kosova Sot)