Devollistani ua imponon kosovarëve Serbinë edhe në futboll

  • 14 September 2018 - 07:57
Devollistani ua imponon kosovarëve Serbinë edhe në futboll
Krasniqi: Sikur të kishte shtet të mirëfilltë, do t'i ndalonin dhe arrestonin Devollët, mirëpo kjo nuk do të ndodhë, ngase prapa Devollëve po qëndrojnë politikanët tanë më të lartë të shtetit 

"Me këto veprime kjo kompani e ka bërë shtetin e Kosovës si me qenë pjesë e Serbisë, aq më tepër kur dihet se serbët akoma po e konsiderojnë Kosovën pjesë të Serbisë. Siç dihet në Kuvendin e Kosovës çdo ditë po ka debate të ashpra ndaj politikës agresive serbe në Kosovë, kurse në anën tjetër janë bizneset tona që akoma po bëjnë tregti me Serbinë, duke e cenuar shtetin e Kosovës. Heshtja e autoriteteve kosovare është për çdo kritikë dhe duhet ndaluar transmetimin e këtyre ndeshjeve të kompanisë "Art Motion" dhe për të qenë më realë kësaj kompanie duhet t'i merret licenca e punës", vlerësoi ish-futbollisti i Kosovës, Faruk Statovci, për "Kosova Sot" 

Oligarkët "Devolli", përveç tjerash, përmes rrjetit të tyre kabllor "Art Motion", i cili është në pronësi të Devollëve, e kthyen Kosovën serish në Serbi, pasi që i ka blerë të drejtat televizive për të transmetuar Ligën e Kampionëve nga Radio Televizioni i Serbisë, për të lexuar dhe dëgjuar ndeshjet në serbisht, alarmojnë analistët dhe profesionisët e sportit. Një veprim i tillë nga analistët sportistë dhe qytetarët është kritikuar së tepërmi, pasi që me këto veprime të Devollëve ata po e vënë shtetin e Kosovës si pjesë të shtetit serb, duke blerë të drejta televizive sportive të UEFA-së për Kosovë. Analistë, qytetarë e sportistë pyesin se përse institucionet e shtetit po heshtin për këtë veprim të kompanisë "Artmotion", kompani kjo e Devollëve, të cilët bënë ujdinë me serbët, duke e konsideruar Kosovën akoma si pjesë të Serbisë. Eksperti i fushës së integrimeve evropiane, Jeton Kelmendi, për gazetën "Kosova Sot" thotë se nënshkrimi kësaj kontrate nga 'Art Motion' me RTS-në është një pranim ose kthim i Kosovës nën sovranitetin serb."Dhe, këtë e karakterizon edhe sjellja qyqare e Qeverisë dhe institucioneve tona që nuk reagojnë ndaj kësaj kompanie, që t'i merret licenca e punës", potencoi ai, duke fajësuar politikën që është bërë vasale e Serbisë. 

KRASNIQI: JANË DEVOLLËT ATA QË POPULLIT TË KOSOVËS DHE TË SHQIPËRISË PO I SHESIN KRUNDE PËR MIELL
Ndërsa mundësi i dikurshëm me përmasa ndërkombëtare, Mirsad Krasniqi, dikur kampion i kategorive të reja të ishJugosllavisë, për gazetën "Kosova Sot", thotë se korporata 'Devolli' po bën këso gabimesh fatale në dëm të shqiptarëve në vazhdimësi."Fillimisht janë Devollët ata që popullit të Kosovës dhe Shqipërisë po i shesin krunde për miell, andaj përderisa në Kosovë e Shqipëri do të jenë këta pushtetarë, Devollët do të bëjnë edhe më shumë kontrata të tilla. Por, sikur vërtet në Kosovë të kishte një shtet të mirëfilltë dhe ligjor, ata do të arrestoheshin e do të gjykoheshin. Por kjo nuk mund të ndodhë, prandaj shtetin tonë nuk mund ta quajmë Kosovë, por Devollistan, ngase tashmë e tërë Kosova po u përket më shumë Devollëve", theksoi ai."Sikur të kishte shtet të mirëfilltë me siguri se do t'i ndalonin dhe arrestonin Devollët dhe nga ata do të kërkonin përgjegjësi penale. Mirëpo, kjo nuk do të ndodhë ngase prapa Devollëve po qëndrojnë politikanët tanë më të lartë të shtetit që për pushtetarët tanë japin "tallin", apo hisen në para nga bizneset e tyre të shumta", vlerësoi Krasniqi. "Me këtë kontratë, Kosova është kthyer në Serbi, ndonëse duhet të jemi realë se as pushtetarët tanë të pasluftës kurrë nuk e kanë hequr Kosovën nga Serbia, sikurse që nuk e ka bërë as Serbia dhe nuk do ta bëjnë këtë kurrë pa ardhur një klasë e re politike e përgjegjshme dhe e ndërgjegjshme. Por, kjo nuk do të ndodhë edhe pa u vetëdijesuar ky popull, sepse edhe këtu është problemi, ngase popullata nuk po vetëdijesohet", tha Mirsad Krasniqi për "Kosova Sot"

Bandat e biznesit, bashkë me bandat e pushtetit
Analisti Reshat Badallaj-Zhuriani, për gazetën "Kosova Sot", thotë se nuk është aspak i habitur nga ky skandal."Me vite të tëra që shkruaj kam thënë se mafio-oligarkët shpirtshitur dhe shpirtzinj janë banda serbiane Devolli dhe këta vagabondë përmes Serbisë ngritën aktakuzë kundër meje në Köln të Gjermanisë dhe dështuan turpshëm dhe unë kërkoja pastaj që të mbahej ky gjyq, që kjo bande serbiane Devolli janë hajna, janë kriminelë, janë banditë shkuar banditëve, janë racistë. Pra, edhe tani po e them publikisht se këta u munduan t´i vrasin shqiptarët në masë me mallra të mykura e simptome kancerogjene, këta racistë të paguar nga Serbia shqiptarët i konsideruan kafshë, këta janë kontrabandistë që janë pasuruar me para të pista. Këta vagabondë dhe kriminelë dëmtuan buxhetin e Kosovës me miliona euro, duke i ikur tatimeve kinse për krunde qensh e derrash, që ia kishin shitur si miell shqiptarëve në sofër", u shpreh ai. Sipas tij, fajet për këtë krim të organizuar të kanaleve të nëntokës i kanë kryebanditët dhe banditët që nga majat e larta të shtetit."Fajin e kanë qeveritë kuislinge e hajdutësh, fajin e ka Kuvendi rrugaçësh, gjysmanalfabetësh dhe vagabondësh se si mund të lejohet që Devolli të dëmtojë buxhetin e shtetit, të sjellë mallra me simptome kancerogjene dhe të mos burgosen", vijoi më tej BadallajZhuriani. Ndërsa analisti Ragip Guraziu, për "Kosova Sot" tha se Kosovës po i kanoset sovraniteti nga vetë vendorët."Kësaj radhe kjo po ndodh përmes mafio-oligarkëve Devolli, që përmes rrjetit të tyre kabllor 'Art Motion' i ka blerë të drejtat televizive për të transmetuar Ligën e Kampionëve nga Radio Televizioni i Serbisë, për të lexuar dhe dëgjuar ndeshjet në serbisht. Dhe, kështu po e vënë shtetin e Kosovës si pjesë të shtetit serb", u shpreh ai.

BADALLAJ AKUZON BATON HAXHIUN "Merimanga e zezë e këtij skandali i rrjetit kabllor, "Art Motion", më besoni se prapa kësaj shpine fshihet Baton Fazli Haxhiu, sepse banditët e bandës serbiane janë të aftë për të vjedhur, për të dëmtuar Kosovën me urdhra të Serbisë dhe për t'i vrarë shqiptarët e për të zezat e tjera, ngase prapa qëndron Baton Haxhiu, që është shumë i rrezikshëm, sepse paguhet më së shumti në Serbi me para të majme. Andaj, e keqja më e madhe është se banditët e majave të shtetit, qeveria bandite kuislinge dhe hajdutësh, Kuvendi i rrugaçëve e vagabondëve dhe sistemi i kalbur gjyqësor, janë po në të njëjtën valle dhe ushqehen në të njëjtin grazhd", tha Reshat Badallaj-Zhuriani për "Kosova Sot"

STATOVCI: KOMPANISË "ART MOTION" DUHET T'I MERRET LICENCA E PUNËS!
Një veprim i tillë i vëllezërve Devolli ka irrituar tej mase sportistët e dikurshëm me nam të Kosovës, që kërkojnë ndërprerjen urgjente të kësaj kontrate, me të cilën po cenohet sovraniteti i shtetit të Kosovës. Kësisoj, futbollisti i dikurshëm i Kombëtares së Kosovës në futboll, Faruk Statovci, për gazetën "Kosova Sot", tha se mosreagimi i institucioneve të Kosovës pas marrëveshje që e bëri kompania "Art Motion" me Radiotelevizionin e Serbisë për të transmetuar ndeshjet e Ligës së Kampionëve dhe ato të UEFA Ligës, në gjuhën serbe, është veprim për çdo kritikë, ngase shteti i Kosovës pas kësaj kontrate ka qenë dashur të reagojë menjëherë dhe t'i ndalohet transmetimi i këtyre ndeshjeve, kurse veç saj duhej të pasonte edhe marrja urgjente e lejes së punës."Me këto veprime kjo kompani e ka bërë shtetin e Kosovës si me qenë pjesë e Serbisë, aq më tepër kur dihet se serbët akoma po e konsiderojnë Kosovën se është pjesë e Serbisë. Siç dihet, në Kuvendin e Kosovës çdo ditë po ka debate të ashpra ndaj politikës agresive serbe në Kosovë, kurse në anën tjetër janë bizneset tona që akoma po bëjnë tregti me Serbinë duke e cenuar shtetin e Kosovës", vijoi më tej ai."Heshtja e autoriteteve kosovare është për çdo kritikë dhe duhet ndaluar transmetimin e këtyre ndeshjeve të Kompanisë "Art Motion" dhe për të qenë më realë kësaj kompanie duhet t'i merret licenca e punës", vlerësoi Statovci.

Qytetarët akuzojnë kompaninë e papërgjegjshme dhe shtetin kriminal
Edhe qytetarët tanë duan që urgjentisht t'i shkëputet kontrata me Serbinë kompanisë "Art Motion". Ata vlerësojnë se mafio-oligarkët Devolli e kthyen Kosovën sërish në Serbi, përveç tjerash duke e bërë këtë përmes rrjetit të tyre kabllor "Art Motion", që është në pronësi të Devollëve, duke i blerë të drejtat televizive për të transmetuar Ligën e Kampionëve nga Radio Televizioni i Serbisë, për të dëgjuar ndeshjet në serbisht. Qytetari nga Prishtina, Hakif Hamiti, për gazetën "Kosova Sot", thotë se me veprimin e tyre, duke i blerë të drejtat televizive për të transmetuar Ligën e Kampionëve nga Radio Televizioni i Serbisë, për të lexuar dhe dëgjuar ndeshjet në serbisht, e themi lirshëm se pronarët e kësaj kompanie, Devollët, e kthyen Kosovën sërish në Serbi, përveç tjerash duke e bërë këtë përmes rrjetit të tyre kabllor "Art Motion". Sipas Hamitit, vërtet një heshtje e tillë e shtetit të Kosovës është për t'u habitur se si shteti i Kosovës po lejon familjarët Devolli që të bëjnë gjithçka, madje edhe duke e kthyer Serbinë në Kosovë përmes RTSsë. "Prandaj, jam i mendimit se institucionet kompetente duhet që urgjentisht ta ndërpresin këtë kontratë dhe veç saj edhe duhet që t'i merret leja e punës kompanisë "Art Motion", duke dhënë përgjegjësi penale para organeve të drejtësisë", ka potencuar Hamiti për "Kosova Sot"

(Kosova Sot)