Gjoba e Ramës mbush xhepat e oligarkëve, godet kosovarët

  • 14 September 2018 - 08:01
Gjoba e Ramës mbush xhepat e oligarkëve, godet kosovarët
Berjani: Rruga e Kombit dhe taksa rrugore rrisin çmimin e derivateve në Kosovë

"Fillimi i aplikimit të taksës rrugore nga ana e Shqipërisë do të ndikojë dukshëm në rritjen e çmimeve në Kosovë, sidomos për produktet që vijnë nga ana tjetër e kufirit. Çmimi është jashtëzakonisht i lartë për bizneset kosovare dhe mendoj se duhet të rishikohet tarifa edhe një herë, sepse bizneset e të dyja vendeve kanë nevojë për lehtësira, jo për barriera", vlerësoi analisti Lulzim Beqiri për "Kosova Sot" 

Autoritet e Shqipërisë kanë paralajmëruar se që nga dita e hënë, më 17 shtator, do të fillojë pagesa për Rrugën e Kombit, nga 5 euro për çdo kalim, përderisa për banorët e Kukësit me rrethinë më pak se 1 euro. Kostoja e lëvizjes Kosovë-Shqipëri pritet të rritet pas këtij vendimi që diskriminon kosovarët. Analistët e krahasojnë vendimin e kryeministrit Edi Rama që doli në mbrojtje të kontratës koncesionare për Rrugën e Kombit, e fituar prej oligarkut Shefqet Kastrati, njeriut që është pasuruar më shumë gjatë qeverisjes së majtë, me mënyrën si janë pasuruar Devollët me Hashim Thaçin kryeministër, por edhe me qeveritë e tjera të deritanishme, përfshirë edhe Shpend Ahmetin kryetar i komunës së Prishtinës. Sipas analistëve, është identike mënyra e të bërit biznes në Kosovë dhe në Shqipëri, ku krerët e shtetit punojnë për interesa personale dhe "tallit" kriminal që marrin nga mafio-oligarkët e tejinkriminuar. Sipas njohësve të ekonomisë, me këtë taksë pritet të ngrihen çmimet e transportit dhe të produkteve. 

KOMPANIA PASUROHET, QYTETARËT VARFËROHEN
"Qeveria e Kosovës dhe e Shqipërisë duhet të gjejnë një modalitet që rruga të mirëmbahet nga fondet e qeverisë, në mënyrë që Rruga e Kombit të jetë e lirë për kombin dhe jo e dëmtueshme, duke u bërë një aset për turizmin e Shqipërisë dhe jo një gjobë për të kaluar në atë rrugë. Qeveria e Shqipërisë do të mbledhë shumë miliona euro apo më mirë thënë kompania koncesionale do të mbledhë shumë miliona euro nga kjo taksë dhe do të varfërojë xhepat e tyre, e në veçanti kjo do t'i godasë xhepat e kosovarëve", tha Agim Shahini për "Kosova Sot" 

Biznesi në alarm
Kreu i AKB-së (Aleanca Kosovare e Biznesit), Agim Shahini, për gazetën "Kosova Sot", thotë se fillimi i aplikimit të taksës rrugore që është paralajmëruar se do të fillojë ditën e hënë, më 17 shtator, nga pala shqiptare, është një gjobë për bizneset që importojnë dhe eksportojnë. "Tashmë kjo do të kalkulohet në çmimet dhe shërbimet. Kjo taksë duhet që të jetë, por ajo taksë duhet që të krahasohet me vendet e regjionit. Ngase krahasuar me regjionin për 60 km autostradë është një nga më të lartat në regjion, ngase një transportues do të paguajë nga 3000 lekë të reja, kurse makinat e kosovarëve në dy drejtime do të paguajnë nga 10 euro", potencoi ai. Lideri i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, për gazetën "Kosova Sot", tha se Rruga e Kombit dhe taksa rrugore e rrisin çmimin e derivateve në Kosovë. "Sa u përket tarifave rrugore, ne, Shoqata e Naftëtarëve, jemi për pagesë të taksës, por çmimi duhet që të jetë i arsyeshëm. Dihet se naftëtarët e shfrytëzojnë shumë Rrugën e Kombit dhe se furnizimi i Kosovës me derivate bëhet kryesisht nga Shqipëria, përkatësisht Durrësi", u shpreh ai. Sipas Berjanit, ka kompani që gjatë një dite i bie që të paguajë në emër të taksës rrugore deri në 300 euro.

BERJANI: RAMA DUHEJ TË NA TRAJTONTE SI KUKSIANËT
"Fundja kjo është një kosto shtesë për importin e derivateve dhe kur kësaj kostoje i shtohet edhe ajo e transportit, është krejt normale që do ta rritë çmimin e derivateve. Ndaj mendoj se kryeministri Rama ka qenë dashur që edhe neve, kosovarëve, të na llogarisë sikurse që u është mundësuar qytetarëve të Kukësit dhe të jemi me një çmim të njëjtë për shfrytëzimin e autostradës", tha Fadil Berjani për "Kosova Sot"

Taksë diskriminuese
Deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës, Naser Rugova (LDK), për gazetën "Kosova Sot", thotë se së pari është i keq selektimi që u është bërë qytetarëve, që kosovarët për hyrjen në tunelin e Kalimashit duhet të paguajnë. "Ky është një kalkulim jo i mirë dhe do të rritë koston e transportit të udhëtarëve dhe mallrave, produkteve, ekonomisë dhe turizmit gjatë verës, por edhe gjatë tërë vitit", potencoi ai. "Këtë taksë e konsideroj një taksë diskriminuese dhe e menduar jo mirë në veçanti ndaj shqiptarëve të Kosovës. Autostrada paguhet kudo, por taksa duhet t'i dedikohet mirëmbajtjes së rrugëve dhe shembulli më i mirë që duhet të merret në këtë drejtim është Maqedonia", ka vlerësuar Rugova. Deputeti tjetër i opozitës në Kuvendin e Kosovës, Ali Lajçi (VV), për gazetën "Kosova Sot" thotë se marrë parasysh gjendjen shumë të rëndë ekonomike në të dyja vendet shqiptare, nuk ka qenë dashur që të aplikohet taksa për Rrugën e Kombit. "Në të dyja vendet qytetarët shqiptarë janë të varfër akoma. Së këndejmi mendoj se me këtë taksë do të duhet startuar vetëm pas disa viteve, por jo edhe tani, sepse vërtet këto taksa janë shumë të mëdha, sidomos për bizneset e Kosovës, duke mos i anashkaluar edhe qytetarët", u shpreh ai. 

Politikëbërësit krijojnë barriera
Analisti Lulzim Beqiri, për gazetën "Kosova Sot", tha se ekonomia e shqiptarëve është obligim për politikëbërësit e të gjitha trojeve ku banojnë dhe jetojnë shqiptarët. "Bashkëpunimi ekonomik në mes të Kosovës dhe Shqipërisë nuk është i kënaqshëm nëse e krahasojmë fuqinë blerëse në mes dy vendeve, siç dihet Republika e Kosovës shumicën e produkteve i importon nga Republika e Serbisë, çka sipas mendimit tim nuk ka justifikim, Kosova duhet të ketë për partner kryesor Shqipërinë dhe vendet e BE-së, gjithashtu edhe shteti shqiptar duhet që të ketë orientim konsumatorin kosovar. Kosova dhe Shqipëria kanë marrëveshje të mira të nënshkruara ndërmjet veti, mirëpo nuk janë aktualisht duke u zbatuar, për pasojë ka edhe probleme të mëdha në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, mendoj që duhet një implementim i dyanshëm i marrëveshjeve në mënyrë që të mos krijohen barriera në mes të bizneseve", u shpreh ai."Fillimi i aplikimit të taksës rrugore nga ana e Shqipërisë do të ndikojë dukshëm në rritjen e çmimeve në Kosovë, sidomos për produktet që vijnë nga ana tjetër e kufirit, çmimi është jashtëzakonisht i lartë për bizneset kosovare dhe mendoj se duhet të rishikohet tarifa edhe një herë, sepse bizneset e të dyja vendeve kanë nevojë për lehtësira jo për barriera", vlerësoi Beqiri. Ndërsa qytetari nga Prishtina, Ramadan Ferizi, për gazetën "Kosova Sot" thotë se taksën e rrugës doemos se duhet paguar, por me çmimet aktuale ajo është shumë e rëndë dhe e madhe për bizneset e qytetarët e Kosovës. "Andaj duhet të gjendet një modalitet i përafërt i taksave për autostrada, sikurse që është në shtetet e rajonit, si në Maqedoni, Serbi, Mal të Zi, Bosnje e Hercegovinë, Kroaci e gjetiu", u shpreh ai. Sipas tij, mënyra më e mirë do të ishte trajtimi i qytetarëve të Kosovës sikurse i banorëve të Kukësit.

(Kosova Sot)