Zeqa: Partitë politike me marrjen e pushtetit i shpërblejnë me tenderë kompanitë Mafio-Oligarkëve ekonomikë

  • 14 September 2018 - 15:07
Zeqa: Partitë politike me marrjen e pushtetit i shpërblejnë me tenderë kompanitë Mafio-Oligarkëve ekonomikë
Analisti politik Florim Zeqa konstaton se pikërisht si pasojë e mungesës së funksionimit të shtetit ligjor, Kosova po përballet me praktikat më të errëta të financimit të partive politike, ku njerëzit e botës së krimit financojnë partitë politike. "Kriminalizimi i të gjitha partive politike dhe udhëheqësve të tyre, me financimin nga paratë e pista të nëntokës kriminale dhe mosbërja transparente e burimeve financiare e të gjitha partitë politike kosovare, i vë në të njëjtët 'binarë' të financimit nga mafio-oligarkët ekonomikë. Mungesa e transparencës së financimit të partive politike është treguesi më i mirë se të gjitha partitë politike, pozitë dhe opozitë, kush më pak e kush më shumë, janë të financuara nga krimi i organizuar dhe bizneset e pista të lidhura me nëntokën dhe mafinë politike në Kosovë", u shpreh ai. "Për dallim nga opozita, partitë në pushtet, përveç financimit nga grupet e caktuara kriminale dhe bizneset e pista, e shfrytëzojnë buxhetin dhe mekanizmat e tjerë shtetërorë për blerjen e votave të qytetarëve gjatë fushatave zgjedhore. Partitë politike me marrjen e pushtetit i shpërblejnë me tenderë kompanitë e mafio-oligarkëve ekonomikë. Në këtë mënyrë i shtojnë pasuritë e paligjshme liderët kosovarë me klientelat e tyre e grupet kriminale që veprojnë në emër të tyre, duke blerë prona dhe duke investuar në biznese brenda e jashtë Kosovës, deri te marrja me valixhe të stilit mafioz të klaneve mafioze për t'i strehuar pastaj në xhirollogaritë e tyre jashtë shtetit, si në Zvicër, në Dubai e gjithandej globit, jo me rrogat nga shteti, por me zhvatjen e buxhetit dhe bizneset e përbashkëta kriminale me oligarkët ekonomikë", vijoi më tutje ai. "Rrëshqitja e partive politike nga vijat programore, parimet dhe konceptet politike, ka çuar edhe në degradimin e institucioneve shtetërore, në veçanti të Kuvendit, e kulmuar me legjislaturën e fundit, e cila shtetit të Kosovës i ka krijuar imazhin më negativ të mundshëm në sytë e opinionit ndërkombëtar, duke e bërë Kosovën shtetin më të degraduar dhe më të izoluar në botë. Ndalja e trendit të errët të financimit të partive politike dhe përdorimit të buxhetit të shtetit për mbrojtjen e pushtetit mbetet sfidë e sistemit të drejtësisë në vitet në vijim", tha Florim Zeqa për "Kosova Sot"