Thaçi nuk ka guxim të tregojë të vërtetën, po tregon "gjëegjëza" fëmijësh

  • 18 September 2018 - 07:50
Thaçi nuk ka guxim të tregojë të vërtetën, po tregon

Badallaj: Aq i hyri frika në palcë Hashim Thaçit nga Gjykata Speciale saqë filloi të shesë tokat tona,si të ishin pronë e babës së tij


"Ideja për shkëmbim të territoreve me Serbinë nuk është ide e Hashim Thaçit. Ai thotë se si e tillë kjo ide ka qarkulluar në opinion që nga fillimvitet e '90-ta, e lansuar nga qarqet millosheviqiane të Serbisë dhe është shkatërrim i shtetit të Kosovës. Riaktualizimi i kësaj teme është bërë sërish nga ish-nxënësi i Milosheviqit, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili po e shet këtë ide në tregun politik përmes zëdhënësit të tij në Kosovë, Hashim Thaçi, ish-udhëheqës politik i UÇK-së, aktualisht i ashtuquajtur president i vendit tonë", thotë analisti Florim Zeqa për "Kosova Sot" 

Duke parë insistimin e palëkundur dhe të vazhdueshëm të presidentit Thaçi për korrigjim, respektivisht shkëmbim territoresh me Serbinë, deputetë nga opozita dhe analistë politikë theksojnë se kjo sjellje e tij e papërgjegjshme në raport me shtetin ngjan sikur ai ta ketë privatizuar këtë, ta ketë bërë "leckë" me klanin 'Pronto', ndërkaq që tani po insiston edhe që ta cungojë territorin e Kosovës për interesat e tij, duke shpërblyer Serbinë armike. Analistët thonë se pavarësisht kundërshtimit të opinionit publik, kundërshtimit edhe nga faktori ndërkombëtar, kreu i shtetit po vazhdon të insistojë në këtë plan ogurzi, duke bërë zëdhënësin e Vuçiqit në Kosovë, me propozimin e tij të rrezikshëm për të shkëmbyer territoret me Serbinë, pra me një fjalë për t'ia dhënë veriun në këmbim të marrjes së Luginës së Preshevës, prandaj ai po e përsërit vazhdimisht mendimin e tij se përfitimi i Kosovës, nëse bëhet marrëveshja me Serbinë, siç ai e ka diskutuar tashmë prej vjetësh me Vuçiqin, atëherë shteti ynë fiton ulësen në OKB. Mirëpo, këtë finale nuk e beson askush, sepse sipas analistëve Hashim Thaçi kështu vetëm po i instrumentalizon e po i blen qëllimisht edhe gazetarët dhe disa nga analistët e shitur, duke e zhvendosur vëmendjen publike nga argumentet që janë kundër tij. Kjo, sipas analistëve, për faktin se pjesa dërrmuese e medieve janë nën kontrollin e tij politik. Analistët tërheqin vërejtjen se anëtarësimi në OKB kalon nëpër Këshillin e Sigurimit, ku Rusia dhe Kina janë kundërshtare të pavarësisë, dhe, pavarësisht nëse ndodh befasia, që Kina të moderohet në qëndrimin e saj, askush nuk garanton se Rusia do ta mbështeste anëtarësimin e një shteti të vogël ballkanik në OKB.

Projekt antishtetëror
 Deputeti Ali Lajçi tha se insistimin e pandalshëm të Hashim Thaçit për ta realizuar këtë projekt antishtetëror, VV-ja do të përgatitet ta pengojë, sepse ky nuk është gjë tjetër veçse degradim dhe shkatërrim i shtetit."Unë e kam thënë vazhdimisht dhe po e them prapë që merreni ju me mend tani se i kujt është ky interes dhe merreni me mend se cilat janë interesat e Serbisë për Kosovën, prandaj jorastësisht edhe këto projekte që po ndodhin janë në dëm të Kosovës. Unë e kam thënë që kur është fjala për bashkimin e Preshevës, Medvegjës e të Bujanocit, kjo është shumë e ligjshme dhe ne e përkrahim këtë, por pa shkëmbim dhe pa asnjë cenim të territoreve në cilëndo pjesë të Republikës së Kosovës", u shpreh ai."Po ashtu në themi që çdo tentim për këmbim ose korrigjim të kufijveterritorit, sidomos për realizimin e projekteve të Rusisë, Serbisë dhe aleatëve të saj, sa na përket neve nuk do të kalojnë, sepse e gjithë kjo zhurmë që po bëhet tani është po duket pazar pa hanxhiun, është për të ardhur deri të shkatërrimi tjetër, te shkatërrimi që vjen me Asociacionin. Të gjithë e dinë që këtë çështje ka kohë që e kanë marrë për obligim për ta bërë dhe kjo assesi nuk duhet të bëhet në frymën antikushtetuese dhe në dëm të shtetit të Kosovës", tha Ali Lajçi për "Kosova Sot".

BADALLAJ: PËR TË SHPËTUAR LËKURËN E TIJ, HASHIM THAÇI U KORIT DHE U BË TELLALL I ALEKSANDAR VUÇIQIT
Analisti politik Reshat Badallaj tha për "Kosova Sot" se tanimë pa më të voglin dyshim doli në dritë dhe u zbardh se Hashim Thaçi është shpirtshitur për interesa personale."Ketë nuk mund ta besojnë vetëm zagaret e tij, që i ka rrotull. Ç´është e vërteta, as vetë nuk e ka menduar Hashim Zeza se do t´i hasë sharra në gozhdë dhe do të vihet në siklet. Por, ky matrapaz në popull nuk mund ta shiste dushkun për gogla. Nuk kërkonte bashkimin e trojeve ose Bujanocin, Preshevën, Mdvegjën, por kërkonte që të ndryshojë kufijtë dhe miqve të tij t'ua japë Ujmanin e 'Trepçën', edhe pse Kosova fle mbi ar. Ose një pyetje krejt e thjeshtë, cili njeri në botë, qoftë edhe budalla me oke, do të besonte se Serbia do t'i falte ato pjesë, edhe pse janë tonat, por të okupuara padrejtësisht dhe nuk do merrte asgjë?", u shpreh ai. "Ky tregoi veten dhe shpirtin e zi se për të shpëtuar lëkurën e tij u korit dhe u bë tellall i Aleksandar Vuçiqit. Aq i hyri frika në palce nga Gjykata Speciale dhe filloi të shesë tokat tona si të ishin pronë e babës së tij, apo leckë. Të gjitha këto veprime tradhtare që i bën Hashimi i Brojës, i bën me urdhër të kumbarës së tij, Aleksandër Vuçiqit, kjo tashmë është parë në ditën me diell. Me një fjalë të gjitha ishin pallavra dhe dallavere, humbje kohe dhe se më askush nuk po i beson, prandaj ka filluar të hallakatet dhe të dalldiset, që do të thotë kjo tradhti kombëtare do të shpëtonte bishtin e tij nga Gjykata Speciale", vijoi më tej Badallaj për "Kosova Sot". "Politika e këtij matrapazi është shumë e dëmshme dhe nuk do të përfitonte askush pos Serbisë fashiste dhe ky matrapaz e ka mendjen te njëmilionëshi, kinse ky me probatinin e tij do shpallen si njerëz të paçes dhe do marrin çmimin Nobel dhe ky mashtrues për para ta jep edhe nderin e familjes. Për mua personalisht do të ishte e pakuptimtë, naive dhe shumë e dëmshme, që Kosova për mes pazareve do të japë 'Trepçën' dhe Ujmanin dhe do të anëtarësoheshim në OKB. Pra, kjo do të ishte kusht që ne të japim gjysmën e Kosovës. Po, kjo nuk është normale që e bën një matrapaz i sojit të këtij matrapazi dhe pazarexhie", tha Reshat Badallaj për "Kosova Sot".
 

PRIVATIZUESI I SHTETIT
"Po duket që tani se Hashim Thaçi po sillet sikur ta ketë privatizuar kaherë shtetin e Kosovës, shtet i cili tani po ngjan sikur një 'leckë' e klanit 'Pronto', duke vazhdua të insistojë në lojë bixhozi me territore, madje edhe duke bërë zëdhënësi besnik i Aleksandar Vuçiqit në Kosovë. Konsideroj se është një kalkulim tepër i gabuar i Hashim Thaçit, sepse anëtarësimi në OKB kalon nëpër Këshillin e Sigurimit, ku Rusia dhe Kina janë kundërshtare të pavarësisë dhe sado që supozojmë se Kina do të moderohet në qëndrimin e saj, askush nuk garanton se Rusia do ta mbështeste anëtarësimin e një shteti të ri, të vogël, nga Ballkani, në OKB", theksoi Ragip Guraziu për "Kosova Sot" 

Presidenti si Esat Pasha
Analisti politik Ragip Guraziu vlerëson se Kosova nuk guxon të futet në pazare kaq të rrezikshme, saqë duke shitur territor, konkretisht duke i falur Serbisë, të kërkojë ulësen në OKB, sikur që po pretendon ta bëjë tani Hashim Thaçi. "Fitimi i ulëses në OKB në këtë mënyrë, sikur po dëshiron ta bëjë Hashim Thaçi, Kosovës do t'i kushtojë shtrenjtë. Pra, presidenti Hashim Thaçi me qasjen e tij të gabuar po e degradon shtetin e Kosovës për interesat personale të tij. Ai duhet sa më shpejt të ikë nga politika se e ka fëlliqur tej mase atë vetëm e vetëm duke kërkuar rrugë dhe mjete se sit të shpëtojë nga Gjykata Speciale, apo nëse rrezikohet seriozisht nga kërcënimet e brendshme prej qytetarëve, mbase do të dalë Erdogani që ia ka siguruar azilin politik dhe me Serbi, edhe Rusi dhe Kinë e kështu me radhë, Thaçi në historinë kombëtare do jetë një Esat Pasha i dytë për tradhti kombëtare", u shpreh ai. Sipas Hysni Aliut, bisedimet Kosovë-Serbi kanë treguar se sa e pafuqishme janë Kosova dhe udhëheqësit e saj në raport me zhvillimet në arenën ndërkombëtare."Të kundërtën e bëjnë në raport me zhvillimet e brendshme, ku ata kontrollojnë gjithçka. Ata që i kanë përcjell bisedimet Kosovë-Serbi kanë vërejtur që këto bisedime janë përplot manipulime dhe gënjeshtra që i servohen popullit në Kosovë. Pasi që presidenti Thaçi s' ka guxim të tregojë se cili do të jetë përfundimi, ai tregon "gjëegjëza" fëmijësh (në formën qëlloja nëse mundeni çka po i bien) duke e fyer inteligjencën e njerëzve. Thaçi po thotë që ne s'do ta ndajmë Kosovën, por do ta marrim Luginën e Preshevës dhe ashtu Serbia do të na pranojë si shtet dhe do të pranohemi në OKB. Çka i bie kjo? Kjo i bie që Kosova, sipas kësaj logjike, do të hyjë në një union shtetesh. Unioni do të përbëhej nga Kosova-Serbia e ndoshta edhe prej Bosnjës, ku Serbia do ta "ruante fytyrën" , do ta kthente sërish Kosovën në Serbi, por tash si një Republikë gjysmë e pavarur me sovranitet të dyfishtë mbi të. Lugina do t'i jepej Kosovës si shpërblim për unionin me Serbinë dhe humbjen e sovranitetit të plotë. Së bashku të tria, pra Kosova, Serbia dhe Bosnja, do të hynin në BE në të njëjtën kohë. Do të ishte mirë që presidenti ynë ta demantojë këtë teori konspirative, sepse kjo prek mbarë kombin shqiptar, por njëkohësisht kam një kritikë të fortë për intelektualët kosovarë, të cilët s'po bëjnë asgjë për t'i ndryshuar gjërat", tha Hysni Aliu për "Kosova Sot".

ZEQA: VUÇIQ PO E SHET IDENË E SHKËMBIMIT TË TERRITOREVE PËRMES ZËDHËNËSIT TË TIJ NË KOSOVË, HASHIM THAÇIT
Sipas analistit politik Florim Zeqa, ideja për shkëmbim të territoreve me Serbinë nuk është ide e Hashim Thaçit. Ai thotë se si e tillë kjo ide ka qarkulluar në opinion që nga fillimvitet e '90-ta, e lansuar nga qarqet millosheviqiane të Serbisë dhe është shkatërrim i shtetit të Kosovës. "Riaktualizimi i kësaj teme është bërë sërish nga ish-nxënësi i Milosheviqit, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, i cili po e shet këtë ide në tregun politik përmes zëdhënësit të tij në Kosovë, Hashim Thaçi, ish-udhëheqës politik i UÇK-së, aktualisht i ashtuquajtur president i vendit tonë", u shpreh ai. "Pas privatizimit të shtetit dhe monopolizimit të plotë të institucioneve shtetërore, dhe pas bërjes "leckë" të sistemit të drejtësisë nga ana e Hashim Thaçit dhe klanit "Pronto", tani po insistojnë edhe që ta cungojnë territorin e Kosovës për interesa puro kriminale, për ta shpërblyer Serbinë armike! Nuk ka si të jetë ndryshe, kur insistohet pamëshirshëm t'i jepen Serbisë resurset ujore (Ujmani) dhe pasuritë nëntokësore ('Trepça') në këmbim të një pjese të Luginës së Preshevës dhe një ulëse të premtuar në OKB. Edhe sikur të kishim garanci, të cilat në fakt as që do t'i kemi ndonjëherë për anëtarësim në OKB, shkëmbimi territorial nuk do të ishte aspak një ide e mirë, por me pasoja tejet negative për Kosovën", vlerësoi Zeqa për "Kosova Sot". "Dhënia e veriut (Ujmanit e 'Trepçës') në këmbim të marrjes së Luginës së Preshevës do ta nxirrte Serbinë fituese absolute, ngase të gjitha luftërat në ish-Jugosllavi nuk janë bërë për popull, por për territore, përkatësisht pasuri nëntokësore dhe resurse natyrore të rëndësisë strategjike. Kështu Serbia gjakatare, edhe pas 25 viteve, falë arrogancës dhe injorancës së Hashim Thaçit dhe sejmenëve të tij, arriti ta rikthejë në agjendën evropiane ndarjen e Kosovës, ndërsa ky i fundit sikur është bërë një kuisling e lobuesi kryesor i Beogradit, kësaj radhe nga pozita e presidentit të Kosovës! Edhe më të dëmshëm se vetë presidenti Thaçi në këtë aventurë politike janë disa prej mediave nën kontrollin e presidentit, të cilat në forma të ndryshme po e promovojnë idenë e shkëmbimit të territoreve, përmes të ashtuquajturve "analist", që me pompozitet promovojnë raportet miqësore të Thaçit me Vuçiqin, duke e quajtur këtë të fundit mik të Kosovës. Ujku qengj nuk bëhet!", tha Zeqa për "Kosova Sot".

BISLIMI: NJË POPULL I TËRË KA MBETUR PENG I KOMPLEKSIT TË IMPOTENCËS SË NJË INDIVIDI - PRESIDENTIT!
Sipas politologes Liridona Bislimi, është një fatkeqësi e madhe që tani një popull i tërë ka mbetur peng i kompleksit të impotencës së një individi - presidentit. "Hashim Thaçit si kryeministër i faturohen disa nga dështimet e mëdha në procesin e dialogut me Serbinë, dështimet e mëdha në privatizimet e ndërmarrjeve publike, dështimet në integrimin e veriut e shumë të tjera. Mirëpo, duket se Thaçi president është i palëkundur që brenda vetëm dy vjetësh ta tejkalojë shumëfish Thaçin kryeministër. Ai prej që ka ardhur ai në pushtet Parlamenti dhe Qeveria kanë qenë pronë private, por edhe vetë PDK-ja është pronë private e Hashim Thaçit. Një shtet i tërë i shantazhuar nga presidenti! Qytetarët sot po e humbin busullën, kurse ndërkombëtarët besimin për shtetin e Kosovës. Këtë nuk ia kemi për borxh askujt e as këtij njeriu! Secila nga këto aventura të Thaçit president i kanë shkaktuar plagë të thella vendit, mbase të pariparueshme. Kosova është lehtë të thuhet se është shndërruar në një shtet ku nuk mund të ketë asnjë lloj parashikueshmërie politike. Ku rendi i gjërave mund të ndryshojë rrënjësisht brenda pak orëve Thaçi me veprimet e veta të deritanishme ka treguar se punon kundër interesave të shtetit dhe atë në favor të Serbisë", u shpreh ajo."Të gjitha këto vetëm pse presidenti mendon se mund të bëjë çka të dojë dhe kur të dojë me fatin e 1.8 milionë qytetarëve; natyrisht siç nuk po hezitohet të thuhet tashmë haptazi as nga vendorët e as nga ndërkombëtarët - për interesa dhe kalkulime personale të tij.Thaçi duhet të ndalet me çdo kusht me protesta të fuqishme dhe duhet një bashkim shumë i fuqishëm dhe i sinqertë opozitar nga të gjitha partitë politike opozitare, që të jenë më të zëshme në kundërshtimin e udhëheqjes së bisedimeve nga Thaçi dhe vetëm protestat në rrugë do të mund ta ndalonin atë", tha Liridonë Bislimi për "Kosova Sot". "Historikisht nuk kanë pasur njeri më të dëmshëm për interesat e shtetit se Hashim Thaçi. Udhëheqja e pafuqishme deri më tani ka qenë tragjike për Kosovën, udhëheqja e delegacionit të Kosovës nga Hashim Thaçi ka qenë tragjike për Kosovën, pra bisedime të dhimbshme ka bërë ky njeri për Serbinë dhe integrimin deri më këtë shkallë, më meritorët nga të gjitha palët është Hashim Thaçi për integrimin e Serbisë në BE. Këtë meritë e ka edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ku ish-kryeministri Isa Mustafa sa ishte në pushtet e ka sjellë në krye Hashim Thaçin, i cili është njeri që nuk e mbështet populli, është njëri i manipulimeve, njeri që nuk e do Kosova", tha Liridona Bislimi për "Kosova Sot".

Qytetarët në alarm për pronat
Edhe qytetarët e pyetur rreth këtij insistimi të vazhdueshëm nga ana e presidentit Thaçi theksojnë se nëse realizohet një plan i tillë, Kosova do të zhbëhet si shtet, do të humbë në planin e brendshëm, por edhe në relacionet ndërkombëtare, sepse tanimë shtetet më të fuqishme në botë e kanë njohur Kosovën brenda ishkufijve administrativë të përcaktuar me Kushtetutën e vitit 1974, sikur është përcaktuar edhe në dokumentin gjithëpërfshirës të Marti Ahtisarit. Qytetari Selver Lenjani nga Karaqeva e Kamenicës thotë se as presidenti dhe askush tjetër nga ekipi për bisedime nuk duhet të lajthitët për të nënshkruar marrëveshje në dëm të shtetit të Kosovës, sepse do ta paguajmë çmimin e shtrenjtë të humbjes së mbështetjes nga të gjithë miqtë ndërkombëtarë dhe Kosova do vihet në rrezik të ekzistencës si shtet, një dekadë pas shpalljes dhe njohjeve që kemi fituar. "As presidenti dhe askush tjetër të mos e marrë këtë guxim, të nënshkruajë diçka që është në dëm të integritetit dhe sovranitetit të shpallur brenda kufijve të dikurshëm administrativë të ish-Jugosllavisë, tani më kufij të njohur ndërkombëtarisht edhe nga mbi 100 shtete që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës", u shpreh ai."Hapja e kësaj teme për bisedime rrezik të veçantë tani paraqet për zonën kufitare të fshatit Karaqevë të komunës së Kamenicës, e ku ka kohë që qytetarët e kësaj anë janë të shqetësuar nga ndërhyrjet e xhandarmërisë serbe brenda territorit të Republikës së Kosovës. Derisa me rastin e Demarkacionit me Malin e Zi qeveritarët tonë deklaronin se askush nuk ka dokumentacion valid që e dëshmon pronësinë në favor të tyre dhe të shtetit të Kosovës, në rajonin tonë ne i posedojmë të gjitha dokumentet e vërtetuara dhe të verifikuara edhe me hartat kadastrale të komunës së Kamenicës për zonën kufitare të Karaqevës që po përgatiten për t'i kaluar Serbisë. Janë më së paku 170 pronarë të kësaj zone që tani po rrezikohen të atakohen me kalimin e pronave të tyre në Serbi, e që të gjitha parcelat private arrijnë së bashku shifrën prej rreth 50 hektarësh tokë të dëshmuar e dokumentuar me letra se janë prona të qytetarëve të Kosovës dhe të regjistruara me dokumentacion valid kadastral, që i takojnë komunës së Kamenicës. Ndryshe, nëse merren në konsideratë edhe tokat që janë pa pronar, atëherë shifra e përgjithshme mund të shkojë edhe më lart, rreth 100 hektarë, që rrezikohen tani edhe zyrtarisht t'i kalojnë në pronësi shtetit serb. Kjo nuk duhet të lejohet nga autoritetet e Kosovës derisa dëshmitë dhe faktet e pakontestueshme kadastrale janë në favorin tonë, 170 qytetarë me emër e mbiemër e numër të parcelës kadastrale në kadastrën e komunës së Kamenicës", tha Lenjani për "Kosova Sot", duke i vënë në dispozicion të gazetës të gjitha dokumentet që flasin pronat, të cilat rrezikohet të kalojnë së shpejti në Serbi. Kundër lojës me territore, kundër përsëritjes së faljes së tokës për interesa personale të individëve të shantazhuar, sikur është tani rasti i presidentit Thaçi, është shprehur edhe qytetari Izet Cakaj. "Është fakt që i gjithë opinioni publik po e kundërshton insistimin e presidentit që të hapet tema e korrigjimit të kufijve me Serbinë për të na çuar atje ku nuk duhet, në shkëmbim të territoreve në dëm të shtetit të Kosovës, sikur që ndodhi humbja e territorit edhe me Malin e Zi. Kosova dhe territori i saj nuk është pronë private e askujt, as e Hashim Thaçit, dhe unë mendoj që kjo qasje është tepër e rrezikshme dhe nuk është e drejtë, por derisa atë e kemi kryetar dhe ai po na udhëheq, kjo çështje është bërë një problem serioz, sepse nuk është në pajtueshmëri as me qytetarët dhe as me qëndrimet e partive të tjera politike që po e paraqesin këtë shqetësim serioz në Kuvendin e Kosovës. Unë mendoj që nuk duhet të lejohet kjo lojë, Kuvendi nuk duhet të humbë kohë për të vendosur më shpejt për vijat e kuqe të këtyre bisedimeve që po zhvillohen, mirëpo po më duket që edhe Kuvendi nuk po tregohet sa duhet aktiv, nuk po punohet sa duhet në këtë aspekt nga asnjë parti politike e përfaqësuar në Kuvend", theksoi Cakaj për "Kosova Sot".


(Kosova Sot)