Limaj:Fuqitë negociouse në dialog me Serbinë i ka Qeveria, e jo Presidenti

  • 18 September 2018 - 21:29
Limaj:Fuqitë negociouse në dialog me Serbinë i ka Qeveria, e jo Presidenti

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj ka folur për fazën finale të dialogut Kosovë- Serbi.

Limaj ka thënë se që nga viti 2012 në Kosovë ka munguar konsensusi për këtë temë.

Limaj thotë se votimi i delegacionit të qeverisë nuk ka pasur nevoje të shkoj në Kuvend, për votim por me këtë veprim, Limaj thotë se kanë dashur t’ia japin mundësinë opozitës për t’iu bashkuar këtij delegacioni i cili do të kthehej në delegacion shtetëror.

“Dialogu nuk është çështje partiake që e ndan pozitë- opozite, por është çështje nacionale që na përket të gjithëve. Marrëveshja përfundimtare me Serbinë nuk është sikur çështja e ligjit të pagave, por është shumë më madhore”, ka thënë Limaj në një intervistë për televizionin publik.

Më tutje, Limaj ka thënë se Kosova shkon për të dialoguar në Bruksel për të kërkuar njohjen e shtetit të Kosovës nga ana e shtetit serb, anëtarësimin në OKB dhe organizma tjerë ndërkombëtare.

“Kosova me mirëbesim shkon dhe i përgjigjet ftesës së Brukselit në këto tema. Çka nxjerrë Serbia, nuk është temë e jona. Çka vendos Serbia si kusht për ta njohur Kosovën, nuk e dimë. Atyre u takon. Kjo zhurmë nuk i ndihmon Kosovës. Ne nuk kemi një qëndrim zyrtarë se çka kërkon Serbia në këmbim të njohjes. Mos pritni nga zyrtarët shtetërore të spekuloj se çka kërkon Serbia. Deri sa s’ka propozim zyrtar nga Serbia s’kem pse flasim”, ka shtuar Limaj.

Sa i përket negocimit, Limaj ka thanë se kapacitetet negociouese i ka qeveria e jo presidenti, punët janë të ndara. 

“Fuqinë negociouese e ka ekipi i votuar në qeverinë e Kosovës. Delegacioni i votuar në qeverinë e Kosovës, do ta bënte procesin transparent, llogaridhënës në Kuvend. Prandaj është më rëndësi ta kemi këtë ekip”, ka shtuar Limaj.

Limaj ka thënë se është momenti që të lihen anash kalkulimet politike dhe të bëhen bashkë për dialogun.

 

(Kosova Sot)