Kina hakmerret ndaj tarifave të reja amerikane

  • 18 September 2018 - 23:19
Kina hakmerret ndaj tarifave të reja amerikane

Kina njoftoi të martën një rritje të tarifave ndaj importeve amerikane me 60 miliardë dollarë. Vendimi erdhi si kundërpërgjigje pas njoftimit të Presidentit Trump për vendosjen e tarifave shtesë ndaj importeve kineze me vlerë 200 miliardë dollarë duke filluar nga 24 shtatori.

 Zoti Trump paralajmëroi gjithashtu se "nëse Kina do të ndërmarrë veprime hakmarrëse ndaj fermerëve amerikanë apo industrive të tjera, Shtetet e Bashkuara do të zbatojnë menjëherë fazën tre të këtij vendimi, me tarifa në vlerën e 267 miliardë dollarëve".

Pekini njoftoi se nuk ka zgjidhje tjetër përveçse të hakmerret ndaj tarifave të reja prej 10 për qind ose 200 miliardë dollarësh ndaj mallra kineze të njoftuara nga Presidentit amerikan Donald Trump. Kjo rrezikon një përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve tregtare mes dy ekonomive më të mëdha në botë.

Autoritetet kineze njoftuan të martën, një rritje të tarifave ndaj importeve amerikane me 60 miliardë dollarë.

Në një deklaratë të shkurtër të ministrisë kineze të Tregtisë thuhej se "për të mbrojtur të drejtat dhe interesat legjitime të vendit në tregtinë e lirë ndërkombëtare, Kina nuk ka zgjidhje tjetër veçse të hakmerret".

Të hënën, autoritetet kineze patën paralajmëruar se nëse zoti Trump do të bënte përpara me vendosjen e tarifave, Kina nuk do të rrinte thjesht në pozita mbrojtëse.

Të martën zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Geng Shuang tha gjatë një konference për shtyp se bisedimet janë mënyra e vetme e duhur për të zgjidhur problemet si dhe akuzoi Shtetet e Bashkuara për të mungesë sinqeriteti.

"Kina ka theksuar në mënyrë të përsëritur se dialogu dhe vlerësimi i kujdesshëm që bazohet tek barazia, mirëbesimi dhe respekti reciprok është e vetmja mënyrë e duhur për të zgjidhur problemet ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve. Veprimet e ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara deri tani nuk kanë treguar sinqeritet dhe vullnetit të mirë", tha ai.

Javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara i bënë ftesë Pekinit për të rifilluar bisedimet më vonë gjatë këtij muaji në Uashington. Por tarifat e reja amerikane me vlerë prej 200 miliardë dollarësh hyjnë në fuqi në 24 shtator, duke i lënë palëve pak pak kohë për bisedime.

Ndërsa njoftoi tarifat e reja të hënën, presidenti Trump paralajmëroi se "nëse Kina do të ndërmarrë veprime hakmarrëse ndaj fermerëve apo industrive të tjera amerikane, Uashingtoni do të nisë zbatimin e menjëhershëm të fazën së tretë, që nënkupton tarifa shtesë ndaj importeve kineze, me një vlerë prej rreth 267 miliardë dollarësh". Në një postim në Twitter zoti Trump shkruante se vendimi i tij për të rritur tarifat e ka përmirësuar ekonominë amerikane. Tarifat shtesë prej 267 miliardë dollarësh pritet të mbulojnë të gjitha importet kineze në Shtetet e Bashkuara.

 

(Kosova Sot)