Dyfishohet mishi nga Belgjika, AUV nuk tregon a po kontrollohet

  • 20 September 2018 - 11:42
Dyfishohet mishi nga Belgjika, AUV nuk tregon a po kontrollohet

Pranverën e sivjetme u diskua shumë për cilësinë e mishit, pasi u bë publike se gjatë vitit 2017 sasi e madhe e këtij produkti erdhi i prishur nga Belgjika. Por, mish edhe në sasi më të mëdha është importuar sivjet nga ky shtet. Dogana bëri të ditur se importi i mishit nga Belgjika është dyfishuar, kurse Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë nuk ka treguar nëse po kontrollohet cilësia.

Në Belgjikë në fillim të këtij viti pati shpërthyer skandal në lidhje me cilësinë e mishit që e konsumojnë qytetarët, pas zbulimit se firma “Veviba”, një nga furnizuesit më të rëndësishëm, ka funksionuar në kushte të papranueshme sanitare, dhe ka manipuluar me përmbajtjen e mishit.

Këtë mish dhe produktet e tij me origjinë nga Belgjika dyshohej se e kishin konsumuar edhe qytetarët e Kosovës. Mbi këto dyshime, ishin mbyllur edhe kompanitë që bënë importin e këtij mishi.

Këta muaj të vitit 2018 janë importuar mbi 320 mijë kg mish nga Belgjika

Mirëpo, kosovarët nuk kanë hequr dorë ende nga mishi i Belgjikës. Madje, sipas statistikave të Doganës së Kosovës, sasia e mishit të importuar nga ky shtet veç është rritur.

Zyrtarë nga Dogana e Kosovës kanë treguar për FaktePlus se nga fillimi i këtij viti e deri tani, në vendin tonë kanë hyrë mbi 320 mijë kilogramë mish të ndryshëm nga Belgjika.

“Për këta muaj të vitit 2018, mishi dhe të brendshmet e ngrënshme të importuara nga Belgjika kanë arritur në 319 mijë e 603 kilogramë”, thuhet në përgjigjen e Doganës së Kosovës.

Kurse të dhënat e Doganës tregojnë se nga Belgjika për gjithë vitin 2017 në Kosovë kanë hyrë rreth 220 mijë kilogramë mish.

“Mishi dhe të brendshmet e ngrënshme, të shpendëve të kreut, të freskëta, të ftohta apo të ngrira: janë  219 mijë e 200 kilogramë. Mish i gjedheve, i ngrirë 10 mijë e 034 kilogram”, bëri të ditur Dogana.

AUV nuk tregon a po kontrollohet mishi. Marrë parasysh problemin e mëhershëm me cilësinë dhe tani rritjen e importit të mishit nga Belgjika, Fakte Plus ka kërkuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), një përgjigje lidhur me inspektimin që i behët mishit dhe produkteve të tij në tregun e Kosovës.

Por, zyrtarët e AUV-it për disa javë nuk kanë kthyer përgjigje dhe të tregojnë nëse po kontrollohet mishi në tregun e Kosovës në tërësi, e sidomos ai i importuar nga  Belgjika.

Kujtojmë se në shtatorin e vitit 2016, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë kishte njoftuar Agjencinë Federale për Sigurimin e Rrjetit Ushqimor (FASFC) në Belgjikë, se në Kosovë janë asgjësuar rreth 20 tonë të mishit me prejardhje belge.

Ky aksion i AUV-it në shtatorin e vitit 2016 do të shënonte nisjen e hetimeve nga autoritetet belge ndaj kompanisë “Veviba”, me bazë në Bastonjë të Belgjikës. Dy vite kishin zgjatur hetimet e FASFC ndaj kompanisë “Veviba”.

Dy vjet pas njoftimit të autoriteteve belge nga AUV lidhur me mishin e prishur që ishte asgjësuar në Kosovë, autoritetet belge në pranverën e sivjetme bënë të ditur se kanë kontrolluar 200 nga 2 mijë paleta me mish të kompanisë “Veviba”.

Hetimet treguan se nga 200 paletat e kontrolluara rreth 70 për qind e mishit ishte i dëmshëm. Sipas hetuesve belg, në disa raste mishi ka qenë me afat të skaduar, dhe se produktit të mishit të ngrirë i janë zëvendësuar etiketat duke ia shtyrë datën e skadimit të afateve për 1 vit më shumë.

Në Kosovë brenda një viti importohen mbi 40 milionë kilogram mish të të gjitha llojeve.

Sipas statistikave të Doganës, Kosova më së shumti importon mishin e shpezëve (pulë). Derisa origjina e mishit të importuar nga Kosova kryesisht është nga SHBA, Brazili, Argjentina dhe Holanda


(Kosova Sot)