Shkodra: Deputetët duhet të veprojnë për të parandaluar që dikush të bëjë tregti me tokat e atdheut

  • 20 September 2018 - 12:13
Shkodra: Deputetët duhet të veprojnë për të parandaluar që dikush të bëjë tregti me tokat e atdheut
Analisti Shefik Shkodra thotë se do të duhet vepruar pa vonesë deputetët për të parandaluar që dikush të bëjë tregti me tokat e atdheut."Për këtë populli i ka deputetët dhe Kuvendin e Republikës. Aty duhet të shqyrtohen të gjitha çështjet lidhur me kufijtë dhe për pazaret e tjera. Këta janë të paguar e të zgjedhurit nga populli për këtë vend që të japin përgjegjësi. Kushtetutën besoj se pjesa më e madhe e tyre e kanë lexuar. Dhe ata duhet ta dinë se kjo është akti më i lartë. Shkruan edhe për mbrojtjen dhe integritetin territorial të vendit. Po, më duket se shkruan edhe për detyrat e një kryetari të republikës. Me këtë akt juridik, unë nuk besoj se është e paraparë se mundet kushdo qoftë të prekë kufijtë shtetërorë. Pra, deputetët, Kuvendi, nëse nuk ka mundësi të bëjë ndalimin e kësaj afere, atëherë le të thërrasin mbledhje për ndërrimin e kushtetutës, në mënyrë që presidentit t'i jepet mundësia juridike të veprojë si të dojë në ndarje (a korrigjime të kufijve). Përndryshe, me këtë kushtetutë duhet ta kenë të qartë se askush nuk ka mundësi ta bëjë një gjë të tillë. Sa i përket leverdisë së Kosovës, absolutisht asgjë prej gjëje nuk do të ketë. Veç e dëmtuar dhe e rrënuar, më keq sesa që ka qenë. Këtë provë nuk do ta dëshironim, jo për inati, po për dashurinë e këtij vendi", tha Shkodra për "Kosova Sot"