MKRS me strategji për parandalimin e dukurive negative

  • 20 September 2018 - 12:35
MKRS me strategji për parandalimin e dukurive negative

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është në fazën finale të strategjisë së re nacionale për rini, e cila është hartuar me qëllim të parandalimit të përhapjes së dukurive negative që cenojnë sigurinë dhe mirëqenien e rinisë.

Strategjia për rini 2018-2022, është prezantuar sot në konferencën “Siguria Njerëzore, Problemi dhe Reagimi Institucional”, gjatë së cilës u fol për rolin e shoqërisë civile në parandalimin e esktremizimit dhe dukurive negative.

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi prezantoi strategjinë e re, duke thënë se kanë hartuar me qëllim të parandalimit të përhapjes së dukurive negative.

Ai tha se këtë vit kanë pasur kërkesa të shumta për përkrahje të projekte, por sipas tij, fokusi i MKRS-së ka qenë te projektet që kanë trajtuar çështjen e ekstremizmit.

Gashi po ashtu tha se kjo ministri do të jetë transparente në llogaridhënie.

Gashi: Strategjia e re ka për qëllim parandalimin e dukurive negative si ekstremizmi

 

“Tashmë jemi në fazën finale të hartimit të strategjisë së re, dhe për këtë qëllim e kemi të qartë edhe të specifikume edhe çështjen e parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm si një dukuri e cila viteve të fundit e ka ataku shoqërinë tonë, i ka ataku të rinjët tanë të cilët kanë ra pre e thirrjeve të ndryshme prej mediave por edhe prej rrjeteve të ndryshme sociale të cilat me apo pa dashje, janë bërë pjesë e këtyre luftërave”, ka thënë Gashi.

Ndërsa, drejtori i Departamentit të Rinisë në MKRS, Xhevat Bajrami, tha se po mundohen ta trajtojnë këtë fenomen përmes programeve që kanë për sigurinë njerëzore.

Bajrami: Do trajtojmë këtë fenomen përmes politikave të programeve për sigurinë njerëzore

 

“Tematika që jemi duke e trajtuar, siguria njerëzore, është një fenomen që edhe ne si shoqëri njerëzore e kemi hasur përditë, mirëpo, këtë fenomen ne po mundohemi përmes politikave dhe programeve që i kemi, politikën për sigurinë njerëzore, të jemi sa më të pranishëm tek ju dhe së bashku me ju t’i koordinojmë, me gjithë akterët tjerë, që edhe kjo politikë programore të zhvillohet në terren”, ka thënë Bajrami.

Kurse, Arianit Jashari, përfaqësues i të rinjve nga Kosova në RYCOO, tha se gjuha e urrejtjes është një nga shkaqet që çon deri te eksremizimi i dhunshëm. Ai theksoi rolin e shoqërisë civile në këtë çështje dhe kërkoi nga politikbërësit që kësaj të fundit t’i jepet hapësirë në hartimin e strategjive.

Jashari: Shoqërisë civile t’i jepet një rol i rëndësishëm në politikbërje

 

“Konsideroj se nuk është bërë sa duhet, konsideroj se shoqëria civile ka një rol të jashtëzakonshëm në hartimin e këtyre strategjive dhe mbështetjen e politikbërësve, në këtë rast institucioneve përgjegjëse, dhe po konsideroj se është momenti i fundit që shoqërisë civile t’i jepet një rol i rëndësishëm në politikbërje dhe në hartimin e këtyre strategjive”, ka thënë Jashari.

Konferenca ka vazhduar me debat mes të rinjve nga shoqëria civile dhe përfaqësuesit e MKRS-së.

(Kosova Sot)