Miftari: Ambasadori i ri ta ndryshojë qasjen

  • 20 September 2018 - 13:07
Miftari: Ambasadori i ri ta ndryshojë qasjen
 Njohësi i fushës së sigurisë dhe sundimit të ligjit, Naim Miftari, thotë se ambasadori Delawie ka mundur të bëjë shumë më shumë, që të japë kontribut më të theksuar në fushën e forcimit të institucioneve të drejtësisë, por ai nuk e ka bërë këtë sa duhet, sepse më shumë është marrë me disa tema të tjera, më pak të rëndësishme, kurse këto tone kritike i jep kalimthi vetëm pasi e përfundon mandatin. "Ambasadori në largim më mirë ka qenë mos me fol fare as mos me kritiku askënd, pasi vetë ambasadori ka shprehur shpesh interes aty ku nuk i takon një ambasadorit as me ligj, me ndikuar për shembull në demarkacion të gabuar. Sa u përket kritikave, vetëm mediatike për sundim të ligjit dhe për gjyqësorin, pasi Ambasada amerikane i di shumë mirë padrejtësitë dhe dështimet e drejtësisë dhe dështimin e sundimit të ligjit, shpresoj që ambasadori i ardhshëm do të jetë shumë më energjik dhe do të fokusohet aty ku duhet", vlerësoi ai. "Shpresoj se nuk do t'i përkrahë më politikanët e korruptuar, që pikërisht ata politikan me ndikimet e tyre në favor të kriminelëve e kanë dështuar shtetin. Po dua të shpresoj se ambasadori i ri amerikan do të kritikojë dhe do të veprojë më shumë, sidomos për sundim të ligjit dhe të drejtësisë, pasi pa këto dy komponentë kurrë nuk do të ketë zhvillim, drejtësi dhe barazi", ka thënë Miftari. 

AMERIKANËT ME NDIKIM TË MADH "Amerikanët mund të kthejnë këtë sistem për 360 shkallë në gjendje funksionale e të drejtë, kur është fjala te përmirësimi i sundimit të ligjit dhe zhvillimit ekonomik e politik për Kosovën. Kjo i duhet shumë Kosovës për të ardhmen, pasi deri sot Kosova po njihet vetëm për dështimet e shtetit dhe sidomos dështimin politik nga sistemi mafioz i sundimit të ligjit", tha Naim Miftari për "Kosova Sot".