Të pasurit kinezë vërshojnë tregun e patundshmërive në SHBA

  • 31 August 2015 - 20:57
Të pasurit kinezë vërshojnë tregun e patundshmërive në SHBA

Pas edhe një rënieje në bursën e Shangait dhe indeksit ‘Hang Seng’ më 6 gusht, Daniel Chang e dëgjoi tingullin e telefonit të tij mobil. Agjenti i patundshmërive ishte në një udhëtim afarist në Shangai dhe ishte në një darkë kur e pranoi një audio mesazh në aplikacionin e tij ‘WeChat’, transmeton Kosova Sot Online.

 

Image

E brengosur për pronën e saj

Ishte një kliente kineze e brengosur në lidhje një pronë të vlefshme 6 milionë dollarë (5.4 milionë euro), të cilën dëshironte që ta blinte në Nju-Jork. Ajo ishte atëkohë duke e vizituar Nju-Jorkun. “Nuk e di se a mund ta bëj këtë”, i kishte thënë atij përmes audio mesazhit. “Ka gjasa që të tërhiqem”. Ajo dëshironte pak kohë për të menduar, tha ajo, dhe ndoshta që t’i llogarisë edhe humbjet në bursën kineze. Pastaj, gjatë kalimit të javës, bursa në Shangai pati një rritje të shkurtër dhe jo të qëndrueshme, ndërsa juani zhvleftësoi me 3.2 për qind. Klientja e Chang-ut e shikoi edhe një herë apartamentin dhe e bleu atë. Ajo është një ndër klientët e Chang-ut të një grupi të pasanikëve kinezë të zënë mes dy zjarreve: t’i lënë asetet e tyre në Kinë me problemet shtesë në tregje dhe me zhvleftësime të juanit, ose që t’i investojnë në patundshmëri të cilat tani janë më të shtrenjta se vetëm disa javë më parë. “Shumë klientë të mi janë goditur rëndë nga tregu i kapitalit”, ka thënë Chang, i cili dikur ishte zëvendës-president në bankën private të ‘HSBC’-së për ‘Business Insider’ në një intervistë. “Por një gjë e tillë është vetëm duke i bërë ata që të jenë më të vendosur për të investuar jashtë Kinës”, transmeton Kosova Sot Online.

Image

Dëshirojnë të investojnë jashtë Kinës 

Kaosi i javëve të shkuara ka gjasa që të çojë deri te një shpejtim i shkallës së blerjeve të patundshmërive nga blerësit e pasur kinezë në SHBA dhe gjetiu. “Investitorët kinezë që dëshirojnë të investojnë jashtë shtetit mund të fillojnë me blerjet e tyre”, ka shkruar James McDonalds, drejtor i ‘Savills Research’ në Kinë, në një e-mail për ‘Business Insider’. “Disa prej tyre që nuk kanë menduar më parë për të blerë prona në SHBA, tani mund të jenë të interesuar për ta bërë një gjë të tillë”. Kinezët e shohin patundshmërinë amerikane si një rrezik relativisht të mesëm, investim për fitim të lartë, ka thënë Svenja Gudell, ekonomiste në sajtin hulumtues të patundshmërive ‘Zillow’. Kinezët e pasur tashmë janë grupi më i madh i blerësve të patundshmërive në Amerikë, ndërsa 16 për qind të shtëpive të blera nga blerësit e huaj gjatë vitit të shkuar janë të blera nga kinezët. Në vend të dytë janë kanadezët, të cilët kanë blerë 14 për qind të shtëpive. Këto shtëpi janë zakonisht prona më të shtrenjta, me një vlerë mesatare prej 830 mijë dollarëve (rreth 740 mijë euro). Blerësit vendorë paguajnë mesatarisht 345.800 dollarë (rreth 304 mijë euro) për një shtëpi familjare, sipas zyrës amerikane të regjistrimit. Ndërmjetësuesit në SHBA e kanë vërejtur ndryshimin në mesin e klientëve kinezë. Emma Hao, ndërmjetësuese për ‘Douglas Elliman’, që specializon në klientë kinezë, ka thënë për ‘Business Insider’ se tashmë ka vërejtur një rritje në urgjencë në mesin e blerësve të saj për të blerë pronë në SHBA para se juani të zhvleftësohet edhe më shumë. “Për shkak se janë të pasigurt në lidhje me ekonominë dhe politikën, me zhvleftësimin e juanit, bursa ka shënuar rënie dhe patundshmëria në Kinë është një flluskë e madhe – nuk ka tjetër ku të shkohet”. Blerësit kinezë të shtëpive gjithashtu preferojnë tregun amerikan të patundshmërive si një bazë për fëmijët që janë shkolluar jashtë shtetit, dhe si një mënyrë për të zgjeruar pronat. Andrew Wu, agjent i patundshmërive në ‘Daniel Gale Sotheby's’, i cili i mbledh blerësit kinezë të patundshmërive luksoze në Long Ajlend, ka thënë: “Ata janë duke kërkuar një vend të sigurt, ndërsa tregu i patundshmërive gjithmonë është konsideruar si i sigurt për blerësit kinezë”. SHBA-ja gjithashtu shihet si një vend më stabil politik dhe social, sipas Hao-s.

Fushata e presidentit kundër ryshfetit

Presidenti kinez, Xi Jingping, ka filluar që të përqendrohet në një fushatë kundër ryshfetit nëntorin e shkuar. Shumë pasanikë kinezë kanë lidhje me figurat politike dhe shumë prej tyre do të kërkojnë vend për të qëndruar larg vëzhgimit të qeverisë, ka thënë Hao. “Për shkak të hetimeve, shumë njerëz janë dërguar në burg, ndërsa njerëzit e politikës janë gjithnjë të lidhur me të pasurit – ata bëjnë biznes. Ata kanë nevojë për ndihmën e tyre”, ka thënë ajo.“Njerëzit janë të brengosur për pozitat e tyre”. Gjithnjë e më shumë blerës kinezë gjithashtu do të synojnë pronat banesore si investime, sipas Gudell, ekonomistes në ‘Zillow’.Ajo tha se pret që ta shohë një lloj ë ndryshëm të blerësit kinez duke kërkuar pronë në SHBA. Një reduktim në blerësit që kërkojnë shtëpi, por një rritje të atyre që kërkojnë prona për investim.  

(Kosova Sot)