"I thuaj Merkel-it që do të vijmë në Gjermani"

  • 31 August 2015 - 22:18

I thuaj Angela Merkel-it se do të vijmë në Gjermani. Kjo është deklarata e një djali të ri shqiptar nga Shishtaveci, i cili u intervistua nga televizioni publik gjerman “ARD”.

E interesuar për të ditur arsyen se përse shqiptarët zënë numrin më të madh të azilkërkuesve që shkojnë në Gjermani, gazetarja Kristine Beker. udhëtoi drejt Shqipërisë me një grup shqiptarësh të kthyer me avion, pasi refuzimit të azilit.

Ajo udhëtoi së bashku me shtetasin Besnik Kuburja, një azilkërkues i cili është kthyer nga Gjermania pas refuzimit të azilit. Rrugës drejt shtëpisë së tij në Elbasan, Besniku i tregoi gazetares se ishte papunësia ajo që e detyroi të largohej.

Në reportazhin që zgjat 6 minuta, gazetarja gjermane tregon se ka udhëtuar drejt Shishtavecit në Kukës, një prej zonave më prekura nga eksodi. Ajo i tregon një familjeje shqiptare, videon e Ministrisë së Brendshme gjermane, përmes së cilës thuhet se të gjithë azilkërkuesit do të kthehen, por ata thonë se nuk e besojnë.

“Nuk e besojmë. Thuaji Merkelit që do të vijmë” thotë një i ri.

Emigrimi masiv i ditëve të fundit, ka shqetësuar edhe ministrat e Brendshëm të Britanisë, Francës dhe Gjermanisë, të cilët kanë bërë thirrje për masa urgjente për të përballuar sfidën që ka krijuar përçarje mes vendeve evropiane.

Ministrja britanike Theresa May, Bernard Cazeneuve i Francës dhe Thomas de Maiziere i Gjermanisë, nxorën një deklaratë të përbashkët dje ku i kërkonin Luksemburgut që mban kryesinë e radhës së Bashkimit Evropian, që të organizojë një takim brenda dy javësh.

Takimi i ministrave të Brendshëm dhe atyre të Drejtësisë së BE-së, do të mbahet më 14 shtator në Bruksel në mënyrë që të “konsolidohet përgjigja evropiane”, transmeton Shekulli.