Policia parandalon vjedhjen me armë e maska

  • 31 August 2015 - 23:48
Policia parandalon vjedhjen me armë e maska

Policia e Fierit ka mundur të parandalojë një grabitje të armatosur pasditen e sotme në këtë qytet pas denoncimit të bërë përmes aplikacionit të lançuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, “Komisariati Dixhital”.

Policia e Fierit bën me dije se dyshohej për një vjedhje me armë dhe me maska, por që ka mbetur në tentativë, pasi është mundur të arrestohet në kohë autori, Arteo Muhaj, 25 vjeç, banues në Fier.

Veç arrestimit në flagrancë të shtetasit të dyshuar, janë sekuestruar gjithashtu edhe një pushkë automatike, dy karikatorë me 65 fishekë, si dhe dy maska.

Arrestimi, siç njofton përmes komunikatës Policia e Fierit, është bërë pasi më herët gjatë ditës së sotme, një qytetar anonim ka denoncuar përmes aplikacionit të Ministrisë së Brendshme për një person të dyshimtë, që lëvizte me një çantë dore në lagjet “8 Shkurti” të qytetit të Fierit.

Hetimet e mëtejshme për sqarimin e të gjithë ngjarjes do të zhvillohen në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor të Fierit.