Veseli thotë se Kosova nuk do ta cenojë integritetin territorial të Serbisë

  • 24 September 2018 - 12:19
Veseli thotë se Kosova nuk do ta cenojë integritetin territorial të Serbisë

Ballafaqimi me Serbinë dhe fitorja ndaj saj duhet ta bashkojë spektrin politik të Kosovës.

E, për të arritur një bashkim të forcave mes partive politike, kryetari i Kuvendit dhe i PDK-së, Kadri Veseli, thotë se është duke punuar.

Kreu i legjislativit thekson se do të mundohet që t’i ulë të gjithë liderët në një tryezë sikurse kishte bërë për demarkacionin, në mënyrë që arrihet konsensusi për procesin e dialogut.

Veseli ka ritheksuar edhe një herë qëndrimin se Kosova është unike dhe nuk do të ketë cenim të integritetit territorial.

Por, thotë se ëndërron që Presheva, Medvegja e Bujanoci t’i bashkohen Kosovën dhe nuk do të ndalet së punuari për ta, ani pse është kundër cenimit të integritetit territorial të Serbisë.

Kreu i Kuvendit fton të gjithë spektrin politik që të jenë bashkë në ballafaqimin final në dialogun me Serbinë tash kur Qeveria ka formuar një ekip negociator, por që ende nuk ka marr miratimin e Kuvendit.

Në lidhje për këtë konsensus, Veseli thotë se do të mundohet që të ulë të gjithë në një tryezë ashtu siç ka bërë për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, për të cilën thotë se kanë humbur tri vjet dhe ende po flasin për temën e cila tashmë do duhej të ishte e kryer qysh moti.

Veseli thotë se një pjesë e madhe e opozitës e  kuptojnë faktin se duke hapur betejën me pozitën, qoftë edhe me idenë e marrjes së pushtetit, për ta dëmtuar para qytetarëve, nuk fiton Kosova.

Këtë siç e quan ai “ta mundim Serbinë” Veseli e sqaron se vetëm së bashku mund ta mundin Serbinë në faktin e pretendimeve të tyre për destabilizimin e regjionit, për nxitjen e konflikteve.

Madje me këtë rast Veseli përmend edhe fjalimin e presidentit serb Aleksandër Vuqiq gjatë qëndrimit në Kosovë e që i quan “promovim i politikave të cilat kanë qenë gjenocidale”.

Në lidhje me lejimin e presidentit serb në Kosovë e që foli në superlativ për Sllobodan Millosheviqit, Veseli thotë se vendimmarrja është në partneritet me partnerët ndërkombëtarë dhe me këtë tregon se Kosova e pavarur nuk është precedent i destabilizimit, nuk është precedent i luftës, është precedent i paqes dhe i stabilitetit.

Veseli thotë se tema për ndarje e cila tash së fundi po diskutohet edhe në Kuvendin e Kosovës është e rrezikshme dhe e dëmshme.

Veseli ka përsëritur se Kosova ështënjë e pavarur  dhe sovrane duke shtuar se nuk do të lejojnë asnjë pushtet paralel në Kosovë, ndërsa nuk është përgjigjur drejtpërdrejt nëse është kundër presidentit HashimThaçi duke lënë të kuptohet se nuk përkrah korrigjimin e kufijve.

Në këtë intervistë Veseli ka folur edhe për të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc të cilat sipas tij nuk respektohen nga ana e shtetit të Serbisë.

Ai thotë se Kosova gjithnjë do të përkushtohet për popullatën e kësaj pjese që gjendet në territorin e Serbisë por nuk do t’i japin asnjë mundësi precedentit përmes së cilit Serbia mund të pretendojë se po cenohet sovraniteti i tyre.

Ai në këtë intervistë ka folur edhe për liberalizimin e vizave për Kosovën e që beson se do të ndodhë brenda këtij viti.

Ai premton se institucionet do të punojnë intensivisht që ta kenë rezultatin pozitiv për viza ndërkohë që nuk mendon se të rinjtë do ta lëshojnë Kosovën në rast të liberalizimit.

Veseli shpreson se në fund të vitit do të ketë vendimmarrje pozitive ndërkaq thotë se qytetarët e Kosovës e meritojnë që mos të jenë të izoluar.

 

(Kosova Sot)