Sot bëhet varrimi i 29-vjeçarit që u vra në Deçan, kryetari i Komunës në rolin e prokurorit thotë se ishte aksidentale

  • 24 September 2018 - 12:43
Sot bëhet varrimi i 29-vjeçarit që u vra në Deçan, kryetari i Komunës në rolin e prokurorit thotë se ishte aksidentale

Agonis Tetaj 29-vjeç nga fshati Llukë i Ulët i Deçanit u vra me armë zjarri mesditën e djeshme në vendin e tij të punës. Ditë e dielë, megjithatë ditë pune për Agonisin. Dyshohet se në drejtim të tij ka shtënë djali i pronarit të kompanisë “Gogaj-ag”, ku viktima punonte që disa vjet. I dyshuari kryesor Shaban Gogaj 18-vjeç u arrestua menjëherë nga policia besohet se edhe arma me të cilën kreu vrasjen ishte pa leje. Gogaj duket të jetë familje me ndikim në qytetin e vogël të Deçanit, pasi ende pa e dhënë fjalën Prokuroria, kryetari i Komunës, Bashkim Ramosaj, ngushëlloi familjen e viktimës duke thënë se vrasja ishte aksidentale.

“Aksidentalisht ndahet nga jeta në moshën 29-vjeçare Agonis (Isuf) Tetaj nga Lluka e Ulët.

Tragjedia që ka goditur familjen Tetaj, na ka prekur rënd të gjithëve.

Ngushëllime familjes Tetaj dhe të gjithë qytetarëve të Komunës së Deçanit” shkroi ndër të tjera mbrëmë Ramosaj.

Por, një përfundim të prerë sikur Ramosaj nuk e ka Prokuroria Themelore e Pejës e as policia. Në raportin 24 orësh të policisë theksohet se rasti ka të bëjë me vrasje dhe armëmbajtje pa leje.

Prokurori përgjegjës për media në Prokurorinë Themelore të Pejës, Ersan Qavolli, sqaroi për Gazetën Express se rasti po hetohet dhe është shumë herët të thuhet nëse është vrasje aksidentale apo jo. Pasi hetimet marrin kohë dhe nuk mund të konstatohet menjëherë.

“Prokuroria ka mbledhur të gjitha provat, rasti po hetohet si vrasje, lidhur me motivet dhe mënyrën e kryerjes së veprës nuk mujm mu prononcu për media, janë duke u zhvilluar të gjitha hetimet e nevojshme”, tha Qavolli.

Sidoqoftë, ngjarja tragjike për familjen Tetaj ndodhi dje në orën 11:10 në rrugën “Luan Haradinaj” në Deçan. Policia ka njoftuar se i dyshuari kryesor ndodhet në pranga pasi i njëjti ka qëlluar me armë zjarri viktimën duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse.

“Vdekja  është  konstatuar nga ekipi mjekësor në spitalin e Pejës. Nga i dyshuari është konfiskuar një pistoletë e cila është përdorur në rast, ndërsa gjatë kontrollit në objektin  e kompanisë së tij është gjetur dhe sekuestruar edhe një pistoletë me gaz.  Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore  për obduksion,  ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet tutje në raportin e policisë.

Familjarët që nuk kanë qenë të gatshëm të prononcohen për media, kanë lëshuar njoftimin për varrimin e Adonisit, aty thuhet se varrimi do të bëhet sot në orën 17:00 në varrezat e fshatit Llukë e Ulët të Deçanit. Edhe në këtë njoftim thuhet se vrasja ishte aksidentale.

Megjithatë gjithçka do të vendoset gjatë hetimit dhe vendimit përfundimtar të gjykatës pasi është herët të cilësohet nëse është apo jo aksidentale.

Viktima ishte baba i dy fëmijëve.

 

(Kosova Sot)