Deputetët nuk pajtohen me vendimin e KPM-së ndaj Art Motion

  • 24 September 2018 - 12:57
Deputetët nuk pajtohen me vendimin e KPM-së ndaj Art Motion

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka, në pikën e të ndryshme të komisionit parlamentar për Media është shfaqur kundër vendimit të Komisionit të Pavarur për Media për t’ia ndaluar operatorit Art Motion ransmetimin e ligës së kampionëve dhe Evropa Ligës në gjuhën serbe brenda territorit të Kosovës.

Zeka ka thënë se do të kërkojë shkarkimin e zyrtarëve që kanë marrë këtë vendim.

“Arsyeja pse e kom mbrojtur ‘Artmotion’ është që mos me paguar Kosova miliona euro nëpër gjykata të Arbitrazhit. Do të kërkoj shkarkimin e çdo zyrtari të KPM-së që ka qu dorën për me marr këtë vendim”.

Zeka ka deklaruar se KMP-ja nuk ka pasur të drejtë që në emër të komisionit parlamentar për Medie të marrë vendim kundër “Artmotion”.

“Nuk mendoj kryetar si ti e valoni. Se ju futbollin kumllat i vendosni në politikë. Kpm-ja ska pasur të drejtë të marrë vendim duke u thirrur në komisionin tonë. Masi jeni kaq të zotë pse spo ia ndalono radio televizionit të serbisë me u shfaq në Kosovë”.

Deputeti i LDK-së, Imet Rrahmani, ka kërkuar mbledhje të jashtëzakonshme të komisionit parlamentar për të vlerësuar transkriptat, pasi vlerësoi se kërkesa e komisionit parlamentar ndaj KPM-së është anashkalimi punës se komisionit të Kuvendit.

“Ta bëjmë një mbledhje urgjente, të shohim transkripten. Kjo kërkesë është anashkalimi i komisionit. Ne nuk kemi konstatuar, veç kemi ngrit dilema dhe s’kemi thënë që KPM-ja me ia ndalu as ‘Artmoton’ e as ‘Kujtesës’ transmetimin. Futja e këtij pasusi është shkelje nga ana juaj kryetar”.

Deputetja e PSD-së, Shqipe Pantina, tha se vlerësimin nëse është shkelur Kushtetuta apo jo me veprimin e Art Motion”, e jep vetëm Gjykata Kushtetuese.

“A është shkelë Kushtetuta e interpreton vetëm Gjykata Kushtetuese”.

Deputeti i LVV-së, Valon Ramadani, ka mbështetur vendimin e KPM-së, duke thënë se transmetimi i ndeshjeve nga Radio televizioni i Serbisë është shkelje e Kushtetutës së Kosovës.

“Unë mendoj që është anti-kushtetuese me u transmetuar një lojë futbolli ku merret nga Radio Televizioni i Serbisë kur kemi një kompani që ka fituar të drejtën nga UEFA për transmetim. KPM-ja ka marrë vendim të mirë”.

Kryetari i komisionit parlamentar, Nait Hasani, vlerësoi se UEFA duke i dhënë të drejtë kompanisë Art Motion për transmetimin e ndeshjeve nga Beogradi, është shkelje dhe cenim i territorit të Kosovës.

“Kemi shkelje nga UEFA e cila s’ka të drejtë t’i jap Beogradit e Beogradi t’i jap Kosovës. Këtu është shkelja kushtetues. Cenimi i territoreve është edhe përmes valëve. UEFA ka shkel territorin e Kosovës sepse na ka njoftë më 2016. Unë nuk mbroj interesat e kompanive private, mbroj interesat e shtetit”.

Mbledhja e radhës se komisionit u caktua për të enjten në orën 10, nëse Kuvendi nuk mban seancë.

 

(Kosova Sot)