Rama i nxjerr gazetarët nga kazani dhe i hypë në aeroplanin Lasgush-oglu

  • 25 September 2018 - 18:13
Rama i nxjerr gazetarët nga kazani dhe i hypë në aeroplanin Lasgush-oglu

?Kryeministri Edi Rama e ka nisur këto ditë një aeroplan me gazetarë të Tiranës drejt Stambollit. Zakonisht shefi i qeverisë shqiptare, përfaqësuesve të mediave, e ka të rezervuar shprehjen fyese “kazan”, por kësaj here ka zgjedhur t’i shëtis pak ata dhe me pas t’i përdorë për propagandë me anë të një videoje që e ka shpërndarë në kanalin e tij.

Për t’i çuar në Stamboll përfaqësuesit e medias shqiptare, është përdorur kompania e re turko - shqiptare “Air Albania”, pronë e Turkish Airlines dhe shtetit shqiptar. 

Pavarësisht se mban ngjyrat e shtetit shqiptar dhe mbishkrimin “Air Albania” kuq e zi, flota modeste e aeroplanëve, enterieri i tyre, nuk përmban asnjë fjalë në gjuhën shqipe. Të gjitha shenjat janë në anglisht dhe turqisht. Ditë më parë, në ditën e inaugurimit të kompanisë, për të cilën Rama kishte bërë marrëveshje me Erdoganin, kreu i qeverisë shqiptare kishte njoftuar se aeroplani i linjës Tiranë –Stamboll do ta mbajë emrin “Lasgush”, që turqit shumë lehtë mund ta përkthenin në “Lasgush – oglu” apo kush e di si, vetëm për ta dëshmuar se ata që japin paratë janë shefi. 

E nga udhëtimi i gazetarëve në Bosfor, Rama është kujdesur ta nxjerrë një video ku fokusohen fytyrat të gazetarëve, disa prej të cilëve mezi nuk kanë pritur një ftesë për të fluturuar në tokën e premtuar të Stambollit. Duke e shfaqur në kanalin e tij udhëtimin e ëndrrave të gazetarëve shqiptarë, Rama ka dashur t’i bëjë propagandë “kompanisë së parë” shqiptare, e cila u kontestua nga opozita, pasi zyrtarë të saj thanë se Shqipëria kompani të tillë ka pasur edhe në vitet 90’të. 

Një udhëtim në fundjavë në Stamboll mund të jetë i dëshiruar nga gaztearët për shkak të ngarkesës në punë, por po të kishte etikë minimale, ata nuk do të duhej t’i thonin po ftesës së Ramës pasi gjatë gjithë vitit fyhen dhe shahen nga ai.

 

(Kosova Sot)