Kryetari i Bujanocit takohet me deputetin e VV’së: Nuk duam të ndahet Lugina

  • 26 September 2018 - 14:47
Kryetari i Bujanocit takohet me deputetin e VV’së: Nuk duam të ndahet Lugina

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi ka pritur sot në takim deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu. Kamberi në një konferencë për media tha se kanë biseduar edhe për iniciativën që në Bruksel të shtrohet çështja e bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën.

“I tregova se ne jemi për idenë e bashkimit duke respektuar referendumin e 92-ës se ne kërkojmë që tërësia territoriale në këtë aspekt e Luginës së Preshevës të duhet të ruhet patjetër. Asnjë variant tjetër që nënkupton cenim të interesave të popullatës shqiptare nuk mund të ketë përkrahjen tonë”, tha Kamberi.

Ai shtoi se i ka kërkuar deputetit Aliu, që një marrëveshje të mundshme ta mbështesë edhe Vetëvendosja edhe spektri politik në Kosovë.

Ndërsa, Liburn Aliu tha se qëndrimi i VV-së është që çështja e shqiptarëve në Luginë të Preshevës të jetë kusht për bisedimet me Serbinë në Bruksel.

“Nuk do të kishte kuptim çfarëdo lloj bisedimi pa pasur të vendosura marrëdhënie reciprociteti mbi çështjen e të drejtave të shqiptarëve në Medvegjë, Bujanovc dhe Preshevë. E përkrahim edhe qëndrimin e udhëheqësve të këtyre komunave që të mos ketë ndarje të tyre”, tha ai.

Sipas Aliut, Lëvizja Vetëvendosje nuk pajtohet me kufijtë ekzistues të Kosovës.

“Kërkojmë nga Thaçi të bëjë marrëveshje konkrete me përfaqësues të të tria komunave në mënyre që të gjitha ta kemi të qartë se çfarë po thotë presidenti. Lëvizja Vetëvendosje nuk pajtohet me kufijtë ekzistues që janë, se këta janë të vizatuar nga të tjerët pa vullnetin politik të shqiptarëve. Padrejtësitë që janë bërë në histori duhet të ndryshohen dhe të korrigjohen”, tha ai.

 

(Kosova Sot)