Dështon tentimi i Kadri Veselit për t'u bërë faktor uniteti për dialogun

  • 11 October 2018 - 13:16
Dështon tentimi i Kadri Veselit për t'u bërë faktor uniteti për dialogun

Takimi i thirrur nga kryeparlamentari Kadri Veseli për unitet, dështoi të sjellë aty dy partitë më të mëdha opozitare. Veselit i shkuan partnerët qeveritarë dhe Alternativa e PSD, por munguan LDK-ja dhe Vetëvendosja. Për këto dy të fundit, Veseli pati një mesazh.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, foli për takimin që u mbajt për të diskutuar rreth dialogut me Serbinë, transmeton Gazeta Express.

“Sot kemi qenë bashkë për ta forcuar Kosovën në dialog. Kosova duhet të jetë me një qëndrim për platformën e dialogut. Kosova nuk duhet t'i lejojë Serbisë të tregojë forcë mbi ne, lidership ma shumë se ne dhe të tregojë partneritet më shumë se Kosova. Rezoluta të cilin e kemi propozuar përfshin gjithçka që opozita dhe pozita e ka folur”, ka thënë Veseli.

Veseli ka thënë se diskutimet për dialogun me Serbinë nuk janë çështje që duhet parë si shërbim ndaj një individi apo një partie. Ai tha disa fjalë edhe për VV-në dhe LDK-në që ia bojkotuan takimin.

“Kam një mesazh për LDK-në dhe VV-në: Nuk mund të jetë Kosova, proceset e saj dhe ballafaqimi me Serbinë fushëbetejë për luftën për pushtet, më e rëndësishme është territori dhe e ardhmja se çdo kolltuk i pushtetit”.


 

(Kosova Sot)