Listën e politikës nuk e rrëzon drejtësia e kapur

  • 12 October 2018 - 07:49
Listën e politikës nuk e rrëzon drejtësia e kapur
Preteni: Prokuroria Speciale është prokurori politike, e mbushur me joprofesionistë dhe njerëz nga politika

"Listën apo pastrimin e listës prej veteranëve të rrejshëm nuk e bën kjo drejtësi, kjo Prokurori dhe as kjo Gjykatë aktuale në Kosovë. Kjo është e thjeshtë, shumë e thjeshtë për t'u besuar, për vetë faktin se listat i kanë bërë politika dhe kooperacioni politik i partive kryesore në Kosovë, të cilat e kanë dominuar dhe e dominojnë sistemin korruptiv në Kosovë", thotë analisti Skënder Kapiti për "Kosova Sot".

Njohësit e fushës së të drejtës dhe analistët politikë konsiderojnë se loja e radhës që po ndodh me listat e veteranëve të luftës, hetimin dhe procedimin e tyre nga Prokuroria në Gjykatë, pastaj rikthimi i rastit për ripunim nga Gjykata në Prokurori është edhe një dëshmi e fortë se si sistemi i drejtësisë është i kapur nga politika dhe nëntoka kriminale. Sipas ekspertëve të kësaj fushe dhe analistëve, dyshohet që Prokuroria e ka dorëzuar qëllimshëm lëndën të paqartësuar për t`ia kthyer Gjykata, derisa tani vetë Gjykata mund të ketë marrë instruksione nga " sundimtarët" që serish t`a kthejë në Prokurori lëndën, duke luajtur kështu lojën e pingpongut për vite të tëra, dhe pa marr asnjëherë epilog deri në infinit. Tanimë është shumë e pritshme që të tejzvarritet edhe kjo lëndë, sidomos pasi mund te implikohen edhe politikanë të kalibrit më të lartë, të cilët kanë dalë në mbrojtje të kësaj liste edhe kriminale. Rreth këtyre shqetësimeve të ngritura nga ekspertët dhe analistët, gazetari i ka dërguar pyetje Prokurorisë Speciale dhe prokurorit të rastit, por nuk është kthyer përgjigje gjatë ditës. Analistët dhe ekspertët kanë dyshimet e tyre.

Sistemi i drejtësisë është tërësisht i kapur nga politika dhe nëntoka kriminale
Analisti Bislim Aliu konsideron se pa asnjë dyshim, rikthimi i lëndës së veteranëve të luftës nga Gjykata në Prokurori është një dëshmi tejet e fortë, se si sistemi i drejtësisë është tërësisht i kapur nga politika dhe nëntoka kriminale " Dhe kjo, sigurisht, do të zvarritet qëllimshëm, lënda e mashtrimit, me listat e veteranëve të luftës, pasi Gjykata Themelore e ka kthyer lëndën te Prokuroria, gjoja për qartësim. Mendoj dhe kam bindjen time të plotë se Prokuroria e ka dorëzuar qëllimshëm lëndën të paqartësuar, për t'ia kthyer Gjykata dhe për këtë, dhe madje për këtë ka marrë instruksione Gjykata edhe nga 'sundimtarët', që sërish ta kthejë në Prokurori, duke luajtur kështu lojën e pingpongut, për vite të tëra,", tha Aliu për "Kosova Sot".

Mjegullimi i rastit
Një tejzgjatje e pafund me këtë rast do të ndodhë edhe sipas njohësit të së drejtës, ekspertit Blerim Burjani."Komisioni i veteranëve do të ketë shumë arsye të forta të thonë se këto lista janë sjellë nga njerëz të ndryshëm direkt apo indirektë me post. Është vështirë për të gjetur fajtorin në këtë temë që do të mund të komplikohet mjaft shumë gjatë procesit. Pra, nuk ka ndonjë garanci të qartë se do të gjenden personat përgjegjës që e kanë pështjellur këtë proces, dhe kanë dalë kaq shumë veteranë", u shpreh ai. "Dihet që, një pjesë e madhe e njerëzve që kanë shkuar në luftë nuk ka pasur kohë as të regjistrohen se në cilën zonë kanë qenë dhe nuk ka pasur kushte që të regjistrohen saktë. Pra, tani mund të ketë shumë arsye për të pështjellur akoma më shumë këtë proces dhe mos të ketë asgjë nga kjo punë. Më mirë do të ishte, që vetë veteranët t'i heqin prej listës të gjithë ata që nuk kanë qenë drejtpërdrejt në luftë dhe as nuk kanë qenë në logjistik apo tërthorazi në aktivitete të luftës. Kjo mund të bëhet vetëm nëse ka gatishmëri dhe bëhen të sinqertë që ata vetë t'i heqin një nga një dhe kështu të ruhet etika e luftëtarëve të vërtetë në luftë. Përndryshe, procesi mund të marrë kohë, mbi një apo dy vjet, dhe të mos ketë zgjidhje", tha Burjani për "Kosova Sot". Ndërsa, analisti Hidajet Ahmeti mendon se ndryshimi i gjendjes mund të ndodhë vetëm nëse politika dhe drejtësia u kthehen problemeve të brendshme të rregullimit të sistemit të fuqishëm të së drejtës dhe të mos vazhdojnë të prodhojnë tema të parëndësishme të tipit madhor që shpërqendrojnë diku tjetër edhe vëmendjen e qytetarit. "Në vazhdimësi po zhvillohet një lojë politike, e cila po shpërqendron opinionin publik prej problemeve reale dhe po zvarrit procesin me listat e veteranëve mashtrues në pafundësi. Gjykoj se politika po e vazhdon instrumentalizimin e sistemit të drejtësisë në shërbim të grupeve të caktuara politike", theksoi ai.

MIFTARI: NUK KA DREJTËSI ME KËTË PROKURORI, ME KËTË PUSHTET DHE ME KËTO PARTI POLITIKE QË MË SHUMË NGJAJNË NË KLANE TË MAFISË
Sipas Naim Miftarit, edhe rasti i veteranëve është duke u gatuar që të dështojë, sikurse shumë raste të tjera të krimit të organizuar, që janë dështuar qëllimshëm nga këto institucione të kapura nga politika. "Jo vetëm rasti i luftëtarëve të rremë politikë, por në Kosovë kanë dështuar të gjitha proceset e rënda deri më sot, jo vetëm një, por të gjitha me këtë Prokurori, me këtë pushtet dhe me këto parti politike që më shumë ngjajnë në klane të mafisë sesa që ngjajnë në parti të mirëfillta politike", potencoi Miftari. "Me kësi keqqeverisjeje do të dështojnë të gjitha rastet e ardhshme, dhe mos të harrojnë se rasti i veteranëve nuk është rasti më i madh i dështuar gjyqësor. Le ta kujtojmë dhe mos ta harrojmë aferën 'Toka',pastaj aferat qindra milionëshe në KEK, pastaj shitja e aeroportit, KEC-it, pastaj vjedhjet në 'Trepçë', rasti 'Z- Mobile', 'Alkateli'... Këtu bëhet fjalë për miliarda vjedhje sistematike nga vetë pushteti vendor dhe stafet ndërkombëtare, duke mos e anashkaluar as autostradën me 'BektelEnkan'", tha Naim Miftari për "Kosova Sot".

AHMETI: KOSOVA, NË RRUGË PA KRYE
"Rruga që është duke vazhduar nuk u ndihmon proceseve eurointegruese dhe procesit të konsolidimit të shtetësisë. Presioni qytetar, vullneti politik,por edhe presioni ndërkombëtar është rruga e vetme për ta ndërtuar shtetin", tha Hidajet Ahmeti për "Kosova Sot".

PRETENI: NJË PROKUROR I PROKURORISË SPECIALE PËR 4 VJET E KA NGRITUR VETËM NJË AKTAKUZË
Ish- kreu i AKK-së, Hasan Preteni, njëherësh ish- epror i karrierës dhe epror i lartë i UÇK-së, tha për "Kosova Sot" se së pari po vihet krejtësisht në pikëpyetje çfarë Prokurorie Speciale është që, sipas tij, i ka rënë kredibiliteti dhe besueshmëria në pikën zero, sepse për këtë po iu tregon puna. Kështu pastaj shkojnë varg e vi edhe gjykatat. Preteni thekson se Gjykata Themelore, që i trajton lëndët nga Prokuroria Themelore, po ia kthen lëndët se nuk janë përgatitur profesionalisht dhe ligjërisht. " E kam potencuar shumë herë se Prokuroria Speciale është Prokurori Politike, e mbushur me joprofesionistë dhe njerëz nga politika. Me prokurorë që paguhen shumë, me prokurorë që janë militantë partiakë dhe me prokurorë të shantazhuar. Për vitin e kaluar i kanë ngritur më pak se 10 aktakuza. Ka prokuror që nuk e ka ngritur asnjë aktakuzë. Para disa vjetëve është raportuar se një prokuror i kësaj Prokurorie për 4 vjet e ka ngritur vetëm një aktakuzë! Prokurori që ishte dashur të ishte me të vërtetë specialist. Nuk ka pasur nevojë Kosova për këtë Prokurori", shprehet ai. "Nëse veç ka pasur interesim për përkushtim në luftën kundër krimit dhe korrupsionit është dashur të formohet edhe Gjykata Speciale ( jo si e Hagës), që do t'i gjykonte vetëm rastet e Prokurorisë Speciale. Prokuroria Speciale rastet i dërgon në Gjykatë Themelore. Prokuroria Speciale në rastin e veteranëve ka dëshmuar se si ajo punon që 10 e më shumë vjet. Në fillim tha se nuk ka aktakuzë, por vetëm raport, pastaj tha se është draft-akuzë, pastaj e ngritën kinse aktakuzën dhe e dërguan në Gjykatën Themelore, Gjykata e nivelit të parë për joprofesionalizëm dhe për mosrespektim të ligjit po u jep ligjërata 'speciallcave'. Këta parapolitikanë të veshur me petkun provizor të prokurorit janë në shërbim të politikës. Tani, politika po kërkon kthim në pozicionin nul, prokurorë, prokurorë flini, flini, flini!", thotë me plot ironi Hasan Preteni për "Kosova Sot".

KAPITI: LISTAT E RREJSHME I KA BËRË POLITIKA
Sipas Skënder Kapitit, rasti i listave të veteranëve të Luftës së UÇK-së, publikimi i mëhershëm mediatik i këtij rasti, si dhe tashmë kur në këtë proces është përfshirë edhe drejtësia në Kosovë, tregon atë se çfarë politike dhe se çfarë pushtete funksionojnë dhe e kanë kapur Kosovën. "Listën apo pastrimin e listës prej veteranëve të rrejshëm nuk e bën kjo drejtësi, kjo Prokurori dhe as kjo Gjykatë aktuale në Kosovë. Kjo është e thjeshtë,shumë e thjeshtë për t'u besuar për vetë faktin se listat i kanë bërë politika dhe kooperacioni politik i partive kryesore në Kosovë, të cilat e kanë dominuar dhe e dominojnë sistemin korruptiv në Kosovë", vlerësoi ai për "Kosova Sot". Kjo, sipas Kapitit, do të thotë se përderisa opinioni publik dhe më gjerë konstaton karakterin politik, nepotik e familjar të lëshimit dhe të pajisjes me dëshmi të atyre të cilët nuk e meritojnë dëshminë e veteranit, këtë liste nuk mund ta hetojnë, ta gjykojnë dhe ta pastrojë drejtësia politike që është montuar dhe funksionon në Kosovë.

(Kosova Sot)