Qysh është PDK-ja, ashtu është edhe shteti

  • 12 October 2018 - 07:56
Qysh është PDK-ja, ashtu është edhe shteti
Hertica: Klani mafioz i PDK-së ka bërë shumë dëme dhe dyshoj që ky klan mafioz do të laget ndonjëherë, pavarësisht se çfarë kanë bërë dhe çfarë janë duke bërë

"Kadri Veseli nuk po gënjen, por po mashtron, sepse do që anëtarët dhe populli të besojnë se PDK-ja është parti demokratike dhe jo parti e krimit të organizuar, i njohur tashmë me nofkën 'Pronto'. Sundimtarët e PDK-së janë marioneta të shërbimeve armiqësore, që gjatë luftës janë shquar për sabotazhë, komplotistë dhe profiterë...", thotë Ibrahim Kelmendi

Analistët e politikës dhe qytetarët vlerësojnë se pohimet e drejtuesve, se gjoja në PDK po mbahen zgjedhje të brendshme, janë vetëm një lojë dhe një tallje me qytetarët e vendit. Ndërkaq analistët vlerësojnë se Kadri Veseli me PDK-në po e gënjen popullin se po bën reforma, kur dihet se hajnat më të mëdhenj janë në kupolë të shtetit dhe të "partisë shtet" dhe se si shteti dhe partia janë të kapur nga mafio-politika kriminale. Analistët janë të zhgënjyer se si denjon Kadri Veseli që ta quajë PDKnë "lokomotiva e proceseve politike që nga viti '99 e deri më sot", kur realisht ,sipas tyre, PDK-ja dhe klani 'Pronto', si dhe klane të tjera të nëntokës kriminale, janë pikërisht nga kjo parti politike sunduese. Sipas analistëve, PDK-ja me "komandantët" dhe agjentët e SHIK-it dhe ata të UDB-së është pikërisht ajo që dha kontributin më të madh të degradimit, të kapjes totale dhe kriminalizimit të (pu)shtetit. Analisti politik Ilir Fetahu për gazetën "Kosova Sot" thotë se kohët e fundit e kemi parë se PDKja tashmë ka filluar procesin e brendshëm zgjedhor, por fatkeqësia e kësaj partie është se slogane si 'Dekada e re' janë të tejkaluara. "Ndaj konsideroj se PDK-ja duhet që të zgjedhë njerëzit e saj të mundshëm më të mirë dhe urojmë që ta bëjë këtë", vlerëson ai.

Kjo klasë politike të pensionohet
Sipas Fetahut, PDK-ja automatikisht duhet që të kalojë në opozitë, sepse si parti ka nevojë imediate që të jetë në opozitë e madje që të bëhet një opozitë e fortë."Tash e 10 vjet janë po të njëjtat figura që e kanë konsumuar dhe e kanë bastarduar aq shumë këtë parti, saqë vetëm duke qenë në opozitë dhe duke bërë reforma të thella në këtë parti do të mund të sjellë freski në këtë subjekt dhe që do të ketë refleksione edhe në Kosovë", u shpreh ai. "PDK-ja do të ketë reforma, sepse edhe ato kuadro të vjetra që në një farë forme e shantazhojnë PDK-në dhe Kosovën e kanë parë edhe vetë dhe janë të ngopur me zhvatje dhe gjëra të tilla dhe veç saj edhe atyre kuadrove të vjetra u nevojitet që të futen në një normalitet të ri të jetës dhe që të shkojnë qetë në shtëpitë e tyre dhe të marrin kuadro të reja e të shkolluar dhe me perspektivë, duke sjellë njerëz normalë dhe civilë që i ka Kosova", vijoi më tej Fetahu. Ai shton se definitivisht duhet që të ndërrohet skena politike në Kosovë dhe të bëhen reforma të thella në çdo subjekt politik, sepse fundja ato reforma do të kenë efekte edhe në institucione. 

KELMENDI: SUNDIMTARËT E PDK-SË JANË MARIONETA TË SHËRBIMEVE ARMIQËSORE
Ndërsa analisti Ibrahim Kelmendi për gazetën "Kosova Sot" thotë se nuk quhen lojë taktikat e sofistikuara që praktikojnë liderucët partiakë, për të zgjatur komandimin e tyre ndaj partive që i sundojnë, si t'i kishin korporata private."Por, meqë gjejnë anëtarë injorantë, e meritojnë të sundohen", shprehet ai."Sundimtarët e PDK-së janë marioneta të shërbimeve armiqësore, që gjatë lufte janë shquar për sabotues, komplotistë dhe profiterë, ndërsa pas lufte, në koordinim kriminal me titistët, që prezantoheshin për rugovistë, kapën dhe kriminalizuan institucionet shtetërore, në koordinim edhe me Beogradin dhe serbofilët ndërkombëtarë, plaçkitën buxhetin dhe pasuritë e Kosovës, pa pasur asnjë drojë nga populli, i cili ishte degraduar në turmë votuesish e heshtakësh zuzarë!", theksoi Kelmendi. "Edhe PDK-ja si partitë e tjera, fatkeqësisht! Kadri Veseli nuk po gënjen, por po mashtron, sepse do që anëtarët dhe populli të besojnë se PDK-ja është parti demokratike dhe jo parti e krimit të organizuar, i njohur tashmë me nofkën 'Pronto'", tha Ibrahim Kelmendi për "Kosova Sot". 

HERTICA: KLANI MAFIOZ I PDK-SË KA BËRË SHUMË DËME
Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ali Hertica, për gazetën "Kosova Sot", thotë se klani mafioz i PDK-së ka bërë shumë dëme."Dyshoj që ky klan mafioz do të laget ndonjëherë, pavarësisht se çfarë kanë bërë dhe çfarë janë duke bërë, edhe pse thuhet për reforma brenda subjektit. Ndonëse, gjatë gjithë javës u bënë publike përgjimet telefonike, në të cilat dëgjohen zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës duke bërë marrëveshje ndërmjet vete për punësimin e militantëve. Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka thënë se nuk ka bazë për ngritje të aktakuzë, ndaj protagonistëve të aferës 'Pronto 2'", u shpreh ai. "Kjo edhe po na tregon se forca e krimit të organizuar është e jashtëzakonshme dhe se shteti nuk funksionon, apo edhe nuk ekziston fare, sepse kjo që po shohim se po ndodh, tregon se është duke shkuar kah shkatërrimi total. Fatkeqësia në Kosovë qëndron tek simptomat e klientelizmit dhe klaneve, të cilat kanë uzurpuar çdo institucion publiko-privat me ryshfete, propaganda, kërcënime dhe lojëra tjera politike se kush kë po e punëson më shumë", vijoi më tej Hertica. "Në botën demokratike udhëheqësit e inkriminuar mund të ndëshkohen dhe të largohen përmes një rruge me dy alternativa, përmes reformës strukturore të subjektit dhe përmes popullit në bashkëpunim me institucionet ligjvënëse, respektivisht organet e drejtësisë. Fatkeqësia jonë qëndron tek simptomat e klientelizmit dhe klaneve të cilat kanë uzurpuar çdo institucion publiko-privat me ryshfete, propaganda, kërcënime dhe lojëra tjera politike se kush kë po e punëson më shumë", u shpreh Ali Hertica për "Kosova Sot"

Qytetarët nuk i besojnë më partisë së klanit 'Pronto'
Edhe qytetarët e anketuar nuk po i besojnë më farsave Kadri Veselit për zgjedhjet në PDK. Kësisoj, qytetari nga Prishtina, Hakif Hamiti, për gazetën "Kosova Sot" thotë se trumbetimet në media të krerëve të PDK-së se në këtë subjekt politik gjoja po na u mbajkan zgjedhje të brendshme partiake nuk qëndrojnë fare dhe se ato janë një farsë e kulluar dhe ato si zakonisht janë lojë dhe një tallje me qytetarët e vendit. "Edhe një herë ish-kreu i SHIK-ut, Kadri Veseli, që tash e drejton PDK-në, pa fije turpi po e gënjen edhe kësaj radhe popullin se gjoja PDK-ja po na bëjka reforma", u shpreh ai. "Është për keqardhje dhe tashmë po dihet botërisht se hajnat më të mëdhenj janë në krye të shtetit që është shndërruar në si në Korenë e Veriut, në një parti dhe shtet, dhe se si shteti dhe partia janë të kapura nga mafio-politika kriminale", vijoi më tutje Hamiti. "Në veçanti jam i zhgënjyer se si Kadri Veseli nuk po ka fije turpi që ta quajë PDK-në si një prijëse e proceseve politike e shtetërore nga paslufta e deri më sot, kur po dihet se janë pikërisht ata që e sollën vendin në këtë katrahurë ku jemi. Kjo ngase është e ditur botërisht se PDK-ja dhe klani 'Pronto', por edhe klane të tjera të nëntokës kriminale, janë pikërisht nga kjo parti politike sunduese", theksoi ai. Ndërsa bashkëbiseduesi tjetër po ashtu nga Prishtina, qytetari Mirsad Krasniqi, për gazetën "Kosova Sot" thotë se edhe këto të ashtuquajtura zgjedhje të brendshme janë një lojë e radhës e Kadri Veselit me shokë, që po premton se do të bëjë reforma në këtë parti."E keqja është se Kadri Veseli me shokët e vet të SHIK-ut jo vetëm që e kanë kapur këtë parti, por e kanë kapur edhe tërë shtetin e pushtetin. Prandaj, këto zgjedhje janë sa për sy e faqe, në mënyrë që t'i hedhin sy opinionit vendor, duke i mashtruar njerëzit se gjoja ne po bëjmë reforma partiake. Ngase kjo bëhet duke i joshur qytetarët e kuadrot që të fitojnë ndonjë anëtar të ri dhe duke i gënjyer se po na vijnë kuadro të reja dhe po pastrohemi nga kuadrot e vjetra, gjë që është një lojë e tyre dhe mashtrim i radhës i qytetarëve. Ndërsa qytetarët që 18 vjet po bien pre e këtyre gënjeshtrave të të gjitha partive politike, e veçanërisht të PDK-së", theksoi ai, duke fajësuar edhe vetë qytetarët tanë që po lejojnë të gënjehen e të manipulohen në kontinuitet nga paslufta nga kjo parti. 

(Kosova Sot)