Shteti amniston vjedhjen milionëshe SIM2SIM

  • 17 October 2018 - 08:13
Shteti amniston vjedhjen milionëshe SIM2SIM
Kryesindikalisti Balaj: Do të kërkojmë largimin e menjëhershëm të 'Z-Mobile' nga PTK-ja, sepse është një kompani që na ka shkaktuar dëme të mëdha dhe e ka vrarë PTK-në

"A ka krim më të madh se kur prokuroria e lejon hapur këtë bandë të vjedhë djersën e taksapaguesve të varfër kosovarë e këto banda dhe banditët janë bërë të kamur, duke siguruar pasuri disa miliardëshe. Shikuar realisht, Prokuroria ose ushqehet nga grazhdi i kësaj bande serbiane ose nuk guxon të bëjnë zë, sepse është e futur thellë në krim të organizuar, nga nëntoka kriminale te mafio-oligarkët. Prokuroria, policia, heshtin se janë të pafuqishëm kundrejt kësaj bande të rrezikshme 'Devolli' dhe se këtu i ka gishtat thellë politika", thotë për "Kosova Sot" analisti Reshat Badallaj-Zhuriani

Ka qenë ish-drejtori i Postës dhe Telekomit të Kosovës, Shyqyri Haxha, që ka thënë se PTK-së i janë marrë nga 400 mijë euro çdo muaj nga fenomeni SIM2SIM". Ndërsa për rritjen e këtij fenomeni ilegal, PTKja vite më parë kishte akuzuar kompaninë 'Z-Mobile', me të cilën kishte bërë marrëveshje për dhënie të numrave telefonikë. Por, sipas analistëve, deri më sot as Policia , as Prokuroria e Kosovës, e as ART-ja nuk kanë bërë asgjë për vjedhjen, gjegjësisht krimin më të madh ekonomik që ka bërë kompania "Z-Mobile", pronë e Blerim Devollit, me vjedhjen SIM2SIM (vjedhje e impulsave). Siç pati deklaruar Haxha, PTK përmes dukurisë së vjedhjes SIM2SIM ka humbur rreth 20 milionë euro. Ai ka thënë se nga hetimi që është zhvilluar ka dalë se nga 10 numra të " Z-Mobile", 9 numra kanë dalë e rezultuar de-facto se kanë përdorur dukurinë- vjedhjen "SIM2SIM". Analistët dhe deputetët thonë se mbetet enigmë se përse nuk është ndërprerë kontrata me 'Z-Mobile', qysh në vitin 2009-2010, kur janë zënë 'Z-Mobile' duke vjedhur me SIM2SIM. Ata pyesin se përse bordi i atëhershëm me Rexhë Gjonbalajn nuk ia ndërpreu kontratën Blerim Devollit të inkriminuar. Analistët dhe njohësit e kësaj fushe ankohen se përse as policia, e as prokuroria vendore nuk janë marrë me këtë skandal ekonomik qindra milionësh. Pyetja që ata shtrojnë është se a ka guxim prokuroria që ta hetojë këtë proces nga fillimi e deri në fund, meqë aty janë përshirë krerë të lartë të shtetit të lidhur në bashkë-ortakëri me mafio-oligarkët tanimë të kriminalizuar Devolli? Ndonëse gazetari ua ka drejtuar pyetjet përmes postës elektronike në adresë të PTK-së dhe kompanisë "Z-Mobile", si dhe pronarit Blerim Devolli, asnjëri nuk kanë kthyer përgjigje. Veç tyre as Policia e Kosovës, përkatësisht Departamenti për krime ekonomike, as Prokuroria e Shtetit e as ajo Speciale nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet e gazetarit. 

SINDIKATA KËRKON LARGIMIN E OPERATORIT VIRTUAL
Ndërsa kryetari Sindikatave të PTK-së, Lamih Balaj, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", përmes celularit, thotë se tashmë dihen botërisht se cilat janë qëndrimet e sindikatës sonë rreth kësaj afere SIM2SIM. "Pra, do të kërkojmë largimin e menjëhershëm të 'Z-Mobile' nga PTK-ja, sepse është një kompani që na ka shkaktuar dëme të mëdha dhe e ka vrarë PTK-në. Ne nuk kemi nevojë për një kompani të tillë si 'Z-Mobile'. Qëndrimi ynë varet se cili do të jetë vendimi gjykatës dhe nëse gjykata e konstaton se neve si PTK na janë shkaktuar dëme, gjë që dihet botërisht, ne si sindikatë do të kërkojmë edhe kompensimin e dëmeve nga kompania "Z-Mobile", tha Lamih Balaj për "Kosova Sot"

BORDI NUK KA QËNDRIM
Ndërsa, kryetarja e Bordit të PTK-së, Besa Shatri, në një prononcim të shkurtër përmes celularit për gazetën "Kosova Sot", tha se ata si bord i PTK-së akoma nuk kanë marrë ndonjë qëndrim rreth kësaj afere 'Sim2Sim'. "Andaj për momentin edhe nuk mundem që të deklarohem për gazetën tuaj për temën që po e trajtoni", është justifikuar ajo.

Salihu: Ka pasur një skenar dhe një kurdisje të vjedhjes së PTK-së nga 'Z-Mobile' për ndarje të 'pjesës së kulaçit' me pushtetarë
Ndërsa deputeti i Kuvendit të Kosovës, Salih Salihu, për gazetën "Kosova Sot", tha se është për keqardhje se përse deri më tash nuk kemi pasur asnjë lloj transparence në zbardhjen e kësaj kontrate të PTK-së me 'Z-Mobile'. "Së këndejmi kemi edhe arsye për të dyshuar në të gjithë ata që apo heshtin, duke filluar nga Qeveria që deri vonë ka heshtur dhe më në fund u zgjua nga presioni i opinionit". Por, ndonëse janë këto padi, për habinë e të gjithëve, Qeveria, ART-ja dhe PTK-ja akoma nuk kanë bërë ekipe hetimore, që do të ndriçonin rastet e aferës Sim2Sim, përmes të cilave u humbën miliona euro nga vjedhjet e 'Z-Mobile'", u shpreh ai."Edhe kjo heshtje e tyre, Qeverisë, ART-së dhe PTK-së, sikur e tregon se këtu nga fillimi e deri në fund ka pasur një skenar dhe një kurdisje të vjedhjes së PTK-së nga 'Z-Mobile' për ndarje të 'pjesës së kulaçit' me pushtetarët dhe për këtë qëllim ata edhe nuk janë treguar të interesuar që Prokuroria dhe hetuesia të ndriçojnë rastin për të mbrojtur paratë e taksapaguesve të Kosovës", potencoi më tej Salihu. Institucionet mjegulluan të vërtetën Ndërsa eksperti ekonomisë, Dardan Grapci, për gazetën "Kosova Sot", thotë se Policia e Kosovës, Prokuroria e Kosovës dhe ARKEP-i, nuk kanë bërë asgjë për ndriçimin e rastit në fjalë, për shkak se dikush nga këta është së tepërmi i involvuar dhe i përfshirë në këtë krim ekonomik ndaj PTK-së, që ia ka bërë kompania "Z-Mobile", duke i vjedhur impulset përmes sistemit SIM2SIM. Së këndejmi sipas Grapcit, ish-drejtori i PTK-së, Agron Mustafa, së bashku me miqtë e tij, është dashur ta cekë këtë në gjykatë, kur 'Z-Mobile' e ka paditur PTK-në. Ndërsa analisti Ardian Nokaj, për gazetën "Kosova Sot", tha se në aferën e Sim2Sim kanë gisht shumë veta, ndërsa për mosdiskutimet e çështjes në Qeveri, PTK-ja, ARKEP-i dhe gjetiu e kanë qëllimin e caktuar. "Ngase kjo kontratë që në kohën kur është bërë e njëjta është bërë me qëllime të caktuara dhe në këtë aferë janë të përfshirë shumë veta, që kanë përfituar nga një pjesë të saj dhe qëllimisht ka qenë jotransparente, sepse po të bëhej publike, atëherë që në nismë të saj do të zbulohej se në këto kontrata kanë gisht shumë veta, prandaj edhe përgjegjësia do të jetë e shumë vetave", potencoi Grapci. Sipas tij nga heshtja e PTK-së dhe Prokurorisë lënë vend për dyshime se edhe aty kanë përfituar grupe të interesit, përfshirë edhe njerëz nga politika.

LAJÇI: THAÇI E DINTE PËR MANIPULIMET E 'Z-MOBILE'
Deputeti i opozitës, Ali Lajçi, për gazetën "Kosova Sot" tha se Qeveria 'Haradinaj' duhet që të kërkojë përgjegjësi institucionale nga kryeministri dhe ministrat e atëhershëm, nga ARKEP-i dhe nga bordi dhe menaxhmenti i PTK-së."Sepse me përgjegjësi penale ka kush të merret, janë organet kompetente, kurse Qeveria duhet që të merret me përgjegjësi institucionale", u shpreh ai. Lajçi thotë se që nga paslufta, PTK-ja, veçanërisht 'Vala', kanë qenë për vite e vite të tëra një çerdhe e keqpërdorimeve e vjedhjeve të qindra milionave të parasë publike nga klanet dhe bandat, duke përfshirë edhe nivelet e larta qeveritare."Deklarata nga ish-drejtori i Postës dhe Telekomit të Kosovës, Shyqri Haxha, i cili ka thënë se PTK-ja nga 'Z-Mobile' përmes dukurisë se vjedhjes SIM2SIM, ka humbur rreth 20 milionë euro nga vjedhja që ka bërë "Z-Mobile" 'Devollit', është skandaloze dhe për çudi se as Prokuroria e Shtetit dhe as EULEX-i nuk kanë ndriçuar deri më tani këtë rast", theksoi ai. Lajçi tërhoqi vërejtjen se Qeveria e Kosovës asokohe drejtohej nga Hashim Thaçi, i cili jam shumë i bindur se kishte njohuri të plotë për manipulimet e 'Z-Mobile', por heshtja e tij na tregon se duke qenë palë me të u bë kinse asgjë nuk po ndodhte dhe me këtë heshtje të qëllimshme i kanë shkaktuar PTK-së humbje milionëshe, rrjedhimisht duke dëmtuar buxhetin e shtetit."Është për kritikë edhe heshtja e drejtorit Agron Mustafa dhe njerëzve të tij të ngushtë. Por kjo po na tregon se këtu është bërë një skemë skandaloze e vjedhjes, ku janë të përfshirë nga ish-kryeministri dhe të tjerët, ndërsa nuk ka asnjë prokuror që ka guxuar ose guxon që të hetojë këtë rast", vijoi më tutje Lajçi. Sipas tij, kjo është ndër skemat më të famshme mafioze, që është bërë në Kosovën e pasluftës, ndaj edhe duhet urgjentisht që të hetohet ky rast, të zbardhet e vërteta dhe faktet do të jenë tronditëse për të gjithë të përfshirët në këtë skemë të krimit ekonomik.

BADALLAJ: PROKURORIA DHE POLICIA HESHTIN, SE JANË TË PAFUQISHME KUNDREJT KËSAJ BANDE TË RREZIKSHME 'DEVOLLI' DHE SE KËTU I KA GISHTAT THELLË POLITIKA
Analisti politik, Reshat Badallaj-Zhuriani, për gazetën "Kosova Sot", thotë se tashmë është vërtetuar se kanceri i Kosovës është banda serbiane Devolli, që nuk zgjedh mjete për të shkatërruar vendin deri në palcë, për të vjedhur buxhetin e Kosovës dhe për të rritur papunësinë në vend, krejt me qëllim që të pasurohet me hajni dhe të çojë ujë në mullirin e Serbisë fashiste, që është nëna e kësaj bande. Këta banditë shkuar banditëve qëllimisht kanë bërë dallavere për të vjedhur PTK-në dhe për ta hedhur në gjunjë dhe t´i nxjerrin punëtorët në rrugë", u shpreh ai. "Këta natyrisht vjedhin pa frikë dhe pa u hyrë ferrë në këmbë, se këta banditë shkuar banditëve e kanë blerë shtetin dhe mbështeten edhe nga kopilët e majave të larta të shtetit, që nga Presidenca, nga Qeveria kuislinge e hajdute, nga Kuvendi kukull i mbushur me plotë e përplot rrugaçë, e deri te bandat politike. Pra, këta mbështesin krimin ekonomik të shkaktuar nga kriminelët e rrjetit më të rrezikshëm kriminal të kanaleve të nëntokës", vijoi më tej ai. Sipas tij, prokuroria, policia, heshtin se janë të pafuqishëm kundrejt kësaj bande të rrezikshme 'Devolli' dhe se këtu i ka gishtat thellë politika."A ka krim më të madh se kur prokuroria e lejon hapur këtë bandë të vjedhë djersën e taksapaguesve të varfër kosovarë e këto banda dhe banditë janë bërë të kamur duke siguruar pasuri disa miliardëshe. Shikuar realisht, më thotë mendja se Prokuroria ose ushqehet nga grazhdi i kësaj bande serbiane ose nuk guxon të bëjë zë, sepse është e futur thellë në krim të organizuar nga nëntoka kriminale te mafio-oligarkët", shpjegon analisti Badallaj-Zhuriani. "Nuk e ka guximin që Prokuroria e Shtetit t'u trokasë në derë këtyre hajnave për t'i larë hesapet. Është zor i madh se tani për tani shumë fuqishëm është duke u përkrahur nga banditët e majave të shtetit, ndërkaq në anën tjetër kjo kope bagëtish merr hisen e saj të tradhtisë se është betuar para Kushtetutës së vendit. Në këtë hajni pa më të voglin dyshim se janë të përzier edhe politikanët e inkriminuar, me afera, skandale dhe hajni të pafundme. Pra, pazarin e krimit e ndajnë bashkë duke dëmtuar buxhetin e shtetit e këto banda e banditë janë bërë supermilionerë me djersen haram, duke i trashur xhepat e tyre", tha analisti Badallaj-Zhuriani për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)