Qeveria 'Haradinaj', më e dobëta në historinë e Kosovës

  • 17 October 2018 - 08:20
Qeveria 'Haradinaj', më e dobëta në historinë e Kosovës
Ekzekutiv i skandaleve, hajnisë dhe matrapazllëqeve 

"Edhe 100 'riformatime' le të bëhen, por kjo qeveri kurrë nuk do të arrijë as minimumin e performancës optimale, sepse është e dobët nga koka. Kjo është qeveria më e dobët që ka pasur Kosova që nga viti 1999. Është formuar për të kryer punë të mëdha, ndërkaq e vetmja punë e madhe është numri enorm i anëtarëve të kabinetit qeverisës, me 22 ministra, pesë zëvendëskryeministra, mbi 83 zëvendësministra, e që, bashkë me stafin përcjellës, bëjnë mbi 520 persona", u shpreh për "Kosova Sot" analisti Ali Hertica

Njohës të rrethanave politike vlerësojnë se Qeveria 'Haradinaj' ka rënë në fund të pusit dhe pothuajse asnjë qeveri e pasluftës në Kosovë nuk ka qenë më e dobët se kjo. Sipas tyre, ndryshimet e bëra kohët e fundit në qeveri nga AKR-ja nuk do të sjellin asgjë gjë pozitive, edhe pse Pacolli i donte ministritë kryesore, se kinse donte të sillte ndryshime e në fakt pikërisht kjo parti as që ka kuadro për të bërë ministra. Analistët vlerësojnë se qeveria aktuale është bërë një tallava ekzekutive, ku emërohen zyrtarë të lartë shtetërore pa kurrfarë kriteri, vetëm sipas shijeve dhe interesave klanore partiake, duke dëmtuar kështu synimet e Kosovës si shtet për të ecur drejt BE-së. Sipas tyre, sa më parë që të bjerë nga pushteti kjo qeveri është më mirë për Kosovën, sepse po shihet se nuk po funksionon fare. Analisti politik Ibrahim Kelmendi, për gazetën "Kosova Sot", thotë se kjo qeveri dallohet për dy absurde ekstra."Kryeministri harambash u deklarua se nuk është i zoti për të udhëhequr negociatat me Serbinë dhe ka emëruar 77 zëvendësministra e 5-6 zëvendëskryeministra, prandaj e meriton kartonin e kuç vetëm për këto dy faje", u shpreh ai. Sipas Kelmendit, AKR-ja nuk do të ishte në Kuvend as në Qeveri, po të mos e riciklonte LDK-ja. "Kjo ishte një dëshmi flagrante që ishte një matrapazllëk i shpifur dhe një komplot ndaj shtetit të Kosovës, meqë Pacolli përditë po na e neverit pushtetin me skandale të tij prej marionete ordinere", vlerësoi ai. 

Riformatimi me këtë kryeministër, i padobishëm
Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ali Hertica, për gazetën "Kosova Sot", thotë se është e pakuptueshme dhe tërësisht joracionale të ketë riformatim të kësaj qeverie përderisa kryeministër mbetet Haradinaj ."Asnjë ministër apo zëvendësministër nuk ka qenë më i dobët se tani për atë edhe hidhen si topi në fushë nga të dobëtit, siç bën Pacolli me ministrat e tij", u shpreh ai."Edhe njëqind 'riformatime' le të bëhen, por kjo qeveri kurrë nuk do të arrijë as minimumin e performancës optimale, sepse është e dobët nga koka. Kjo është qeveria më e dobët që ka pasur Kosova që nga viti 1999. Është formuar për të kryer punë të mëdha, ndërkaq e vetmja punë e madhe është numri enorm i anëtarëve të kabinetit qeverisës, me 22 ministra, pesë zëvendëskryeministra, mbi 83 zëvendësministra, e që, bashkë me stafin përcjellës, bëjnë mbi 520 persona. Sepse përbërja e këtij koalicionit qeverisës është e tillë që nuk siguron funksionim efikas të ekzekutivit", potencoi Hertica. "Me këtë qeveri të dobët kryeministri Haradinaj e ka të pamundur të marrë vendime pa pajtimin e partnerëve të vegjël. Dhe kjo qeveri është e dobët, sepse shumica parlamentare është shumë e ngushtë, përbëhet nga partnerë të vegjël, siç është AKR-ja, që përcakton fatin e qeverisë dhe që janë të motivuar për të mos lejuar progres në Kosovë. Mbi të gjitha, i pari i qeverisë vjen nga partia e katërt në Kuvendin e Kosovës, prandaj me vetëm disa deputetë e ka të pamundur të determinojë çfarëdo nisme legjislative ose vendim madhor, apo për të shtyrë proceset përpara si shtet drejt trokitjes në dyert e BE-së", vijoi më tej ai. Sipas Herticës, sa ma shpejt të bjerë kjo qeveri, do ishte një shpëtim për Kosovën dhe qytetarët e saj.

KOALICION I VARUR NGA SERBËT
"Kjo qeveri nuk do të duhej fare të ishte me këtë format koalicionist dhe qeveritar, meqë u imponuan rreth 41 parlamentarë 'pozitarë' shqiptarë, më të fortë sesa rreth 59 'opozitarë', duke qenë vendimtarë 9 parlamentarë çetnikë (dhe 10 meshavinë që shkojnë paketë në pushtet)! Por, fatkeqësisht, nuk kemi gjasa reale për të shpresuar se qeveria e ardhme do të bëhet më e mirë. Megjithatë, duhet ta provojmë, meqë jemi katandisur si mijtë eksperimentalë në laborator", tha Ibrahim Kelmendi për "Kosova Sot".

Klanet e mbajnë në këmbë ekzekutivin
Ndërsa analisti politik Arsim Haziri, për gazetën "Kosova Sot", thotë se kjo qeveri karakterizohet me shumë parregullsi, mbi të gjitha është numri enorm i kabinetit Haradinaj, performanca e dobët si dhe klientelizëm i skajshëm."Tashmë kur kemi këto defekte parasysh në asnjë moment nuk ka qenë as e mundshme dhe as e pritshme për ndonjë ndryshim me përmasa nacionale", u shpreh ai."Vazhdimi i jetës së qeverisë është vetëm arsye klanore, se për sa është valid kjo qeverisje e ky sistem funksional mund të realizohen ambiciet e tyre politike, ambicie të cilat edhe po e përvetësojnë gradualisht pasurinë publike", vlerësoi Haziri. Ndërsa njohësi i rrethanave politike, Ragip Guraziu, për gazetën "Kosova Sot", thotë se Behgjet Pacolli po luan me ministrat e tij të AKRsë si macja me miun. "Kjo ngase kemi të bëjmë me një qeveri që ka rënë në fund të pusit dhe që po cilësohet si qeveria më e dobët deri më tani, ndonëse Kosovës i kanë ardhur punët piskë. Dhe kjo po dëshmohet dita-ditës se udhëheqësve që udhëheqin në krye të shtetit u ka humbur 'busulla' në oborr", potencoi ai. "Këto ndryshimet në qeveri nga AKR-ja nuk do të sjellin asnjë të mirë edhe pse Pacolli i donte ministritë kryesore, se kinse donte të sillte ndryshime e në fakt pikërisht kjo parti as që ka kuadro për të bërë ministra,kjo po shihet edhe pas 20 viteve pas lufte se AKR-ja e Pacollit ka ngelur në vend", vijoi më tej Guraziu. Sipas tij, kjo qeveri duhet të bjerë, sepse është bërë një tallava ekzekutive, ku emërohen zyrtarë të lartë shtetërorë pa kurrfarë kriteri, vetëm sipas shijeve dhe interesave klanore partiake, duke dëmtuar kështu synimet e Kosovës si shtet për të ecur drejt BE-së.

QEVERI E ZHVATJES
"Vetë ndërtimi i qeverisë fillimisht ka qenë mbi baza materiale e politike, pikërisht kjo qasje ka mundësuar që Kosova të mos ketë qasje pozitive në asnjë dikaster qeveritar. Alternativë thelbësore mbetet sërish protesta, ajo ndoshta do të arrijë ta pamundësojë vazhdimin e kësaj qeverisje të shtrenjtë e të pangopshme", theksoi Arsim Haziri për "Kosova Sot".

Qytetarët të dëshpëruar me qeverisjen skandaloze
Krahas analistëve edhe njohësve të rrethanave politike, edhe qytetarët e anketuar thonë se janë tejet të zhgënjyer me Qeverinë 'Haradinaj'. Pensionisti nga Prishtina, Hetem Maqedonci, për gazetën "Kosova Sot", thotë se koha po tregon se kjo është qeveria më e dobët e pasluftës dhe si e tillë kjo qeveri ka rënë në fund të pusit, sepse edhe ndryshimet që po i bën Pacolli në Qeveri me ministrat e partisë së tij nuk janë aspak të mira dhe nuk do të sjellin fare rezultate."Edhe heqja e ministrit të Punëve të Brendshme nga ky post ishte e gabuar se kemi të bëjmë me një ministër të shkolluar. Por, besojë se atë e kanë ndërruar se nuk ka qenë ministër i korruptuar dhe ndaj tij kanë bërë presion të afërmit e Behgjet Pacollit ", shprehet ai. Ndërsa qytetari tjetër nga Prishtina, Jonuz Fetahaj, për gazetën "Kosova Sot", thotë se kjo qeveri jo vetëm se ka rënë në fund të pusit, por edhe më poshtë se fundi i pusit."Prandaj kjo qeveri duhet larguar sa më parë nga pushteti. Loja e Pacollit me ministrat e tij ët AKR-së është për keqardhje dhe ajo shërben sa për ta zhvatur edhe më gjatë këtë sistem dhe këtë shtet. Prandaj, me këta ministra ata e kanë bërë qeverinë lëmsh", potencoi ai."Faji nuk qëndron te qeveria, por te populli, që po duron e po hesht. Prandaj, me këtë qeveri nuk ka liberalizimin vizash, ngase Qeveria nuk po e lufton krimin dhe korrupsionin. Prandaj, ndryshimi i ministrave të AKR-së nuk do të sjellë asgjë të mirë për vendin", vlerësoi më tej Fetahaj. Ai shton se ndërrimi i ministrit Gashi ishte pjesë e lojërave politike që bëhen për ta vazhduar agoninë e kësaj qeverie deri në pranverë.

(Kosova Sot)