Pushteti mbron "peshqit" e korrupsionit dhe krimit të organizua

  • 17 October 2018 - 08:23
Pushteti mbron
Pushteti mbron "peshqit" e korrupsionit DHE KRIMIT TË ORGANIZUAR

"Politika e pushteti bëjnë zhurmë për zbatimin e ligjit, për shtetin ligjor, për luftë kundër krimit e korrupsionit, por realisht ata mbrojnë krimin, korrupsionin dhe hajdutërinë e vet, pra 'peshqit e mëdhenj' dhe krimin, pra hajdutët e mëdhenj bërtasin 'kapeni hajdutin'", thotë analisti Skënder Kapiti për "Kosova Sot" 

Ekspertët e fushës së drejtësisë dhe analistët vazhdojnë të kritikojnë drejtësinë kosovare, që është e heshtur krejtësisht, ndërsa nuk po i ndjek të inkriminuarit dhe të korruptuarit e nivelit të lartë politik, të ashtuquajturit "peshqit e mëdhenj" të krimit dhe korrupsionit, të cilët madje edhe mbajnë ligjërata kinse për domosdonë e sundimit të ligjit, e nga ana tjetër, ata flenë mbi miliardat e krimit dhe mafisë që po i shkatërron themelet e shtetit të Kosovës. Se sa thellë është ngulitur krimi dhe korrupsioni në politikë dhe në institucione, sipas njohësve të kësaj fushe, më së miri flet fakti se si e anashkaluan edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës miratimin e Ligjit për vërtetimin e pasurisë se pajustifikueshme në seancën e së hënës. Sipas analistëve, ata e luajtën fare mirë këtë lojë që tani pamundëson zbardhjen e së vërtetës për pasurim përmes krimit e korrupsionit, derisa në deklarimet publike të gjithë, pa dallim, pozitë e opozitë, angazhohen për kinse konfiskimin e pasurisë se kundërligjshme si masa më e mirë ndëshkuese për pasurinë e fituar nëpërmjet krimit të organizuar. Eksperti i së drejtës, Blerim Burjani thotë se në asnjërën nga partitë politike nuk po tregohet vullnet serioz për fuqizimin e sundimit të ligjit, prandaj jemi në këtë gjendje ku jemi. "Situata është e qartë,nuk ka vullnet e as gatishmëri për të luftuar korrupsionin dhe pasurimin pa bazë. Edhe kjo legjislaturë, sikur të tjerat, nuk ua prish rehatin njerëzve hajna dhe keqbërësve, të cilët janë të shumtë dhe të pandalshëm. Po vazhdojnë problemet e njëjta pa interesim për të ndalë pasuruesit", u shpreh ai për "Kosova Sot". 

KELMENDI: LIGJI E DREJTËSIA VAZHDOJNË TË MOS I PREKIN "PESHQIT E MËDHENJ" TË KRIMIT E KORRUPSIONIT
Sipas analistit dhe publicistit Naim Kelmendi, është një fatkeqësi e madhe që edhe për kaq kohë drejtësia kosovare nuk denjoi të nxjerrë ne bankën e të akuzuarve "peshqit e mëdhenj"të krimit e korrupsionit, e të cilët kanë bërë skandale e hajni, por ata ligji e drejtësia vazhdojnë te mos i prekin."Kjo edhe mbetet një dështim i madh i drejtësisë kosovare kundrejt luftës më efikase ndaj krimit e korrupsionit të nivelit të lartë. Kështu, pra, drejtësia kosovare vazhdon edhe më tutje të mbetet një nga hallkat më të dobëta institucionale dhe në vazhdimësi edhe këtë vit nuk mund të themi se ka pasur lëvizje kualitative dhe ndonjë hap të vetëm drejt forcimit të shtetit të së drejtës. Ky është një dështim i madh si shoqëri demokratike që pretendon integrim të shpejtë në BE, sepse pikërisht me forcimin dhe fuqizimin e shtetit ligjor, do të përshpejtohet procesi i integrimit drejt BE-së, drejtësia kosovare do të mund të ishte më efikase në luftën e krimit të organizuar apo korrupsionit dhe do të kishim po ashtu edhe më shumë efikasitet në sundim të ligjit dhe të drejtës", potencoi Kelmendi për "Kosova Sot".

SHTETI NË ANARKI
"Kosova është shtet i partive politike, të cilat nuk i kap ligji fare. Partitë politike po funksionojnë dhe janë shndërruar në 'ndërmarrjet' më profitabile në vend. Nuk ka mekanizëm për t'i ndalur, partitë janë pa dallim të njëjta mbi rendin ligjor dhe mbi rendin publik. Deri më tash, nuk dihen as financat dhe financimi i tyre. Ka përplot konfuzitet, ka parregullshmëri dhe anarki, përderisa ky shtet po vjen duke u forcuar vetëm me tatime të larta për qytetarët", tha Blerim Burjani për "Kosova Sot".

Kuvendi i papërgjegjshëm
Me notë të dobët e vlerëson sistemin e drejtësisë edhe analisti politik Bislim Aliu "Pa dyshim, drejtësia kosovare është shukatur dhe tërësisht i ka shtënë 'veshët në lesh', karshi 'peshqve të mëdhenj' të krimit dhe korrupsionit, e ata vazhdimisht mbajnë ligjërata për drejtësi e sundim të ligjit, e në anën tjetër flenë mbi miliardat e krimit dhe mafisë, që gjithnjë po shkatërron themelet e shtetit të Kosovës", potencoi ai. "Një përgjegjësi tepër e madhe në këtë rrafsh i bie edhe Kuvendit të Kosovës me sjelljen e papërgjegjshme të deputetëve të zgjedhur. Ata u dëshmuan për të keq në seancën e së hënës, duke ikur nga përgjegjësia në procesin ligjvënës. E them këtë, sepse mu për këtë, deputetët e Kuvendit të Kosovës e anashkaluan Ligjin për vërtetimin e pasurisë të pajustifikueshme në seancën e së hënës, në të cilën luajtën vetëm lojë teatrale për interesa të ulëta politike. Ata duhet ta dinë fare mirë që me këtë lojë joserioze po e irritojnë edhe qytetarin që i përcjell vazhdimisht sjelljet e tyre në Parlament", shtoi më tej Aliu."Me këtë veprim ata pamundësojnë zbardhjen e së vërtetës për pasurim, përmes krimit e të korrupsionit, derisa në deklarimet publike të të gjithë atyre, pa dallim, pozitë e opozitë, janë kinse konfiskimin e pasurisë së kundërligjshme, si masa më e mirë ndëshkuese për pasurinë e fituar nëpërmjet krimit të organizuar dhe korrupsionit shumë të lartë", vlerësoi ai për "Kosova Sot". Sipas Aliut, mosmiratimi i ligjit, që ishte në rend dite, demanton katërçipërisht deklarimet e tyre për konsum politik.

PRETENI:NË KOSOVË ËSHTË NJË SITUATË E PASHPRESË!
Sipas Hasan Pretenit, ish-kryesues i AKK-së në dy mandate, mungesa e drejtësisë në shtetin e Kosovës po e zbeh edhe shpresën e qytetarëve për të jetuar në këtë shtet, andaj rinia e pashpresë po mësyn rrugët e botës."Në një anketë në Kroaci, në pyetjen pse po largohen të rinjtë kroatë nga vendi, në shumicën e rasteve përgjigjja ka qenë: 'Po ikim prej korrupsionit dhe prej veteranëve të luftës'… Kjo disi po më asocion edhe në situatën në Kosovë. Nga Kosova nuk do të largohen vetëm ata që nuk do të kenë mundësi për të blerë biletën edhe atë në fazën e parë, por pastaj edhe ata do të gjinden disi. Është një situatë e pashpresë. Nuk është problem legjislacioni, edhe ligji në fjalë nuk do të bëjë çudira, nuk kemi probleme me strategji dhe me legjislacion, problemi është te zbatueshmëria", vlerësoi ai për "Kosova Sot". Preteni thotë se ligjet nuk zbatohen jo pse janë të pazbatueshme, por se nuk kujdeset askush që ato të zbatohen. Sipas tij, edhe Ligji për Konfliktin e Interesit është njëri nga të dështuarit, sepse nga përvoja e tij në AKK ka parë se shumë më i mirë dhe më efikas ka qenë ligji i vjetër."Hipokrizia më e madhe është se për të treguar se diçka po punohet, ata shkojnë dhe i ndërrojnë ligjet, me ndërrimet e shpeshta ata po krijojnë huti. Ligjet e reja, pastaj rregulloret, pastaj trajnimet për stafin, dhe në fund kur plotësohet ky rreth vicioz, atëherë prapë nga fillimi. Ligjet po shënojnë regres. Edhe ligjet që janë aprovuar së fundi gjatë këtij viti janë shumë më të dobët se ata që ishim më parë. Sa paraja enorme shpenzohet për ekspertë, sa koha harxhohet në punën nëpër komisione, sa shpenzimet për punëtori jashtë Kosovës, dhe në fund implementimi i atyre ligjeve mbetet në pikën zero", tha Hasan Preteni për "Kosova Sot".

KAPITI: NË KOSOVË KEMI NJË DREJTËSI KREJTËSISHT POLITIKE
Eksperti tjetër i kësaj fushe, Skënder Kapiti, konstaton se drejtësia në Kosovë është shukatur, sepse është joefikase, dhe nuk është as e aftë për të vepruar konform ligjeve të shtetit,sepse ajo është vetëm një drejtësi krejtësisht politike. "Pra, është e emëruar, e zgjedhur dhe e mbrojtur sipas preferencave të kastës politike të korruptuar dhe të kriminalizuar. Si politika, ashtu edhe drejtësia janë e njëjta gjë; janë korrupsioni, hajdutëria, nepotizmi, familjariteti dhe krimi, të cilat e kanë kapur shtetin ,shoqërinë, pushtetin dhe drejtësinë në Kosovë. E para, në këtë zallamahi korrupsioni dhe degradimi si shkaktare dhe autore kryesore është politika , sepse ajo, pushteti, korrupsioni dhe kriminalizimi i politikës kanë prodhuar edhe këtë drejtësi ligjore, e cila është shëmbëlltyra, apo kopja e kësaj politike", theksoi ai."Politika e pushteti bëjnë zhurmë për zbatimin e ligjit, për shtetin ligjor, për luftë kundër krimit e korrupsionit, por realisht ata mbrojnë krimin, korrupsionin dhe hajdutërinë e vet, pra 'peshqit e mëdhenj' dhe krimin, pra hajdutët e mëdhenj bërtasin 'kapeni hajdutin'. Dhe fakti se deputetët e pozitës dhe të opozitës e anashkalojnë miratimin e ligjit për vërtetimin e pasurisë së pajustifikueshme përbën kulmin e asaj se çfarë politike e papërgjegjshme dhe tejet abuzive dhe e korruptuar e sundon sot Kosovën. Ky fakt vërteton atë se kush janë përfaqësuesit e popullit prej të cilëve populli i ka zgjedhur ata, që ata t'i shërbejnë popullit dhe jo që ta mashtrojnë e ta vjedhin popullin me pushtetin që ua jep populli atyre", tha Kapiti për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)