Mafio-politikanët po e zbrazin Kosovën

  • 17 October 2018 - 08:26
Mafio-politikanët po e zbrazin Kosovën
Hertica: Në krye të shtetit erdhën profiterët e luftës, bashkë me ata të paqe

"Me këta politikanë të inkriminuar dhe të bastarduar, qofshin në pozitë apo opozitë, realisht Kosova ka mbetur një shtet në letër. Realiteti jetësor është shumë i disfavorshëm për nga gjendja ekonomike për jetën e shumicës së qytetareve. Është një fatkeqësi kombëtare, që edhe për aq kohë të mbesin në pushtet po të njëjtit që ishin dje, duke qeverisur Kosovën nën petkun e politikës me krim të organizuar dhe me korrupsion, duke e kapur shtetin në të gjitha segmentet e tij në mënyrë kriminale, Kosova do të vazhdojë të katandiset pafundësisht", thotë për gazetën "Kosova Sot" eksperti i fushës së integrimeve evropiane, Jeton Kelmendi

Njohës të rrethanave politike dhe qytetarë të vendit vlerësojnë se skena politike kosovare me partitë politike aktuale është bastarduar tërësisht, duke qenë e degraduar dhe tej mase e inkriminuar. Sipas analistëve, por edhe qytetarëve tanë, tashmë nuk ka asnjë fije dyshimi se kjo klasë politike, me këta politikanë dhe me këto parti politike, qofshin ata në pozitë apo edhe në opozitë, e kanë katandisur Kosovën, duke e bërë një shtet pa asnjë pikë perspektive dhe në një shtet tërësisht në duart e krimit të organizuar. Sipas tyre, kjo ka bërë që qytetarët tanë të vetmen shpresë po e shohin që të gjejnë mënyra për të ikur sa me shpejt dhe sa më larg Kosovës, qoftë legalisht apo ilegalisht, ashtu siç munden.

Kelmendi: Perspektiva e Kosovës është bllokuar nga politikanët mafiozë
Eksperti i fushës së integrimeve evropiane, Jeton Kelmendi, për gazetën "Kosova Sot" theksoi se përderisa Kosovën e udhëheqin një grup politikanësh mafiozë të inkriminuar në krimin e organizuar dhe korrupsion, qytetari nuk mund të shohë perspektivën e vet në këtë hapësirë. "Prandaj, është një fatkeqësi kombëtare që edhe për aq kohë të mbesin në pushtet po të njëjtit që ishin dje, duke qeverisur Kosovën nën petkun e politikës me krim të organizuar dhe me korrupsion, duke e kapur shtetin në të gjitha segmentet e tij në mënyrë kriminale, e që tash po kthehen sërish në pushtet përmes formave politike të koalicioneve së bashku edhe me partitë e tjera, atëherë kjo kapje e shtetit dhe gjendja e katandisur e Kosovës do të vazhdojë pafundësisht. Këto janë vetëm disa nga shkaqet që e kanë sjellë gjendjen e pashpresë për qytetarin e Kosovës, derisa ai të fillojë të mendojë që të ikë sa më larg Kosovës, duke shpresuar për një jetë më të mirë dhe perspektivë të jetës, ngase njeriu është njeri dhe sikur nuk sheh perspektivë, as formë, as mënyrë të ekzistojë në një hapësirë jetësore ku jeton e frymon i ngulfatur. Me këta politikanë të inkriminuar dhe të bastarduar, qofshim me pozitë apo opozitë, realisht Kosova ka mbetur një shtet në letër, ndryshe realiteti jetësor është shumë i disfavorshëm për nga gjendja ekonomike për jetën e shumicës së qytetarëve", është shprehur analisti Jeton Kelmendi për gazetën "Kosova Sot".

HERTICA: KOSOVA U SOLL NË MJERIM SOCIAL NGA PUSHTETARËT PLAÇKITËS
Analisti Ali Hertica për gazetën "Kosova Sot" theksoi se skena politike kosovare aq shumë është bastarduar, saqë në këndvështrimin qytetar të gjitha partitë janë bërë të njëjta, në mungesë të një konkurrence të mirëfilltë politike dhe një shoqërie civile që ka humbur shpresën."Në rrethanat e krijuara politike, pa një alternativë të re politike, zgjedhjet e parakohshme jo vetëm që nuk do të sillnin diçka të mirë për vendin, por do të prodhonin vetëm vazhdimin e bastardimit tërësisht të degraduar nga bandat dhe politikanet e inkriminuara në të gjitha krimet më ordinere në shoqërinë kosovare. Sepse në krye të shtetit erdhën profiterët e luftës, bashkë me profiterët e paqes, të cilët e kanë sjellë gjendjen e mjerimit social. E kanë shndërruar Kosovën në pronë private. Kështu që qytetarët të vetmen shpresë për një jetë më të mirë po e kanë të gjejnë mënyra për të ikur sa më shpejt e sa më larg Kosovës, duke ikur nga shteti i bastarduar, nga politikanët e subjekteve politike ku shteti është i kapur nga mafio-politikanët sundues e mafio-oligarkët zhvatës të buxhetit dhe aseteve të shtetit", theksoi për "Kosova Sot" analisti Ali Hertica

AMBICIET E SËMURA EKONOMIKE TË QYTETARËVE
Analisti politik Arsim Haziri për gazetën "Kosova Sot" thotë se çdo gjallesë ose krijim biologjik për të pasur ekzistencë kërkon kushte bazike, ashtu edhe çdo qytetar për të pasur një jetë të dinjitetshme duhet domosdo të ketë një punë, përgjithësisht një ekonomi stabile. "Kosova, shteti me pavarësinë e 2008-s, si dhe me bartësit pothuajse të njëjtë politikë, nuk e ofruan stabilitetin socio-ekonomik, nuk ofruan një perspektivë kolektive. Tashmë pyetja që mundet çdokush t'ia parashtrojë vetvetes është pse Kosova edhe po aq vite e pavarur nuk mund t'i krijojë kushtet më bazike vetvetes". Sipas Hazirit, Kosovën fatkeqësisht e sundojnë, jo edhe qeverisin, disa subjekte që para çdo përpjekje kolektive e shtyjnë më tej interesin e tyre, përmbushjen e ambicieve të sëmura ekonomike dhe ashtu siç kanë pretenduar ashtu edhe kanë realizuar. "Sot çdo i ri, në mesin e kësaj edhe studentët, me vrap interesohen për të migruar diku në perëndim, për të kërkuar një jetë më të levërdishme, një jetë ku zhvillimi është shumë prosperues", është shprehur ai. Haziri thotë se politika aktuale përbën fajin më të madh për aktualitetin dhe mënyrën e jetesës. Me këtë klasë politike, e ardhmja mund të jetë vetëm ëndërr e tendenca për zhbërje të shtetit ngadalë po merr përmasa shqetësuese", është shprehur Haziri për gazetën "Kosova Sot".

Maloku: I tërë spektri politik i Kosovës pas lufte e meriton një karton të kuq
Qytetarët ndërkaq po i akuzojnë politikanët tanë të pasluftës se e kanë bërë Kosovën një shtet pa asnjë perspektivë, sepse me qeverisjen e tyre ata na zhgënjyen, ngase kjo nuk është Kosova e idealeve tona. Kështu, qytetari Albert Maloku, nga Prishtina, për gazetën "Kosova Sot" thotë se kjo është më se e vërtetë, sepse është për keqardhje, ngase Kosova është e katandisur nga kjo klasë politike e gjertanishme e pasluftës dhe kjo ka bërë që të zhgënjehemi si popull që pas 1999 kemi menduar se shtetin e Kosovës do ta udhëheqin dhe do ta marrin në timon njerëzit e edukuar, adekuatë, profesionalë, të sinqertë dhe si pikë e parë njerëzit atdhetarë. Por e keqja është se të gjithë u zhgënjyem nga këto parti politike dhe tashmë erdhëm në një gjendje degraduese, me një gjendje varfëri e pa asnjë perspektivë në Kosovë". Andaj, sipas Malokut, faktori kohë tashmë po e tregon se Kosova ka nevojë për një klasë të re politike, që nuk janë hajna, sikurse këta të deritashmit dhe që në radhë të parë ata mendojnë për qytetarin e jo vetëm për veten e tyre. Ngase Kosova duhet që të rigjallërohet, duke nisur që nga germa A, sidomos me kuadro e gjenerata të tilla të rinjsh tanë që janë shkolluar në Perëndim, ngase Kosova ka kuadro të tilla në mbarë botën, andaj Kosovës i nevojitet një gjeneratë e tillë në mënyrë që ta nxjerrin Kosovën nga kjo e keqe që është katandisur vendi, duke qenë i qeverisur qoftë nga pozita qoftë nga opozita. Andaj, me të drejtë e themi se të gjithë qytetarët tanë kanë vërejte të madhe ndaj spektrit tonë politik dhe me këtë rast duke e përdorur fjalorin sportiv e them lirshëm se i tërë spektri politik i Kosovës së pasluftës e meriton një karton të kuq. Sepse duhet thënë troç se me qeverisjen e tyre ata na zhgënjyen, sepse kjo nuk është Kosova e idealeve tona". 

Hamiti: Sundimtarët e pasluftës e kanë degraduar dhe inkriminuar shtetin Qytetari Hakif Hamiti theksoi për "Kosova Sot" se nuk ka asnjë dyshim se skena politike kosovare me partitë politike aktuale, qofshin pozitë apo opozitë, janë bastarduar tërësisht, ngase me sundimin e tyre të pasluftës ato janë të degraduara dhe të inkriminuara deri në palcë në fushën e krimit. "Andaj kjo ka bërë që kjo klasë politike, me këta politikanë dhe me këto parti politike, qofshin pushtetarë apo opozitarë, e kanë katandisur Kosovën, duke e shndërruar në një shtet pa asnjë lloj perspektive dhe në një shtet që gjendet tërësisht në duart e krimit të organizuar. Andaj qytetarët tanë po e shohin të vetmen shpresë që u ka mbetur ikjen sa më parë nga Kosova, madje qoftë legalisht apo ilegalisht", është shprehur ai. Sipas Hamitit, të gjitha këto që u thanë po e bëjnë më se të nevojshme ardhjen në skenë politike të një garniture të re politike të shkolluar e që nuk janë të korruptuar, ngase koha po tregon se pas sundimit të tyre Kosova ka nevojë imediate për ndryshime në skenën politike, në mënyrë që të bien nga pushteti këta pushtetarë të korruptuar e të bastarduar dhe në pushtet duhet të vijnë forca të reja dhe të pakorruptuara."Partitë politike janë këmbë e krye bashkë me krimin e organizuar, duke i vënë nën kontroll të plotë gjykatat, prokurorinë, hetuesinë dhe e kanë kapur tërë shtetin duke e keqëprdorur pa asnjë turp pushtetin që të punojnë për ata", është shprehur ai.

(Kosova Sot)