Kërkohet angazhim për të drejtat e fëmijëve me nevoja të veçanta

  • 18 October 2018 - 15:22
Kërkohet angazhim për të drejtat e fëmijëve me nevoja të veçanta

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve ( KOMF), në një tryezë të hapur ka diskutuar dhe adresuar rekomandimet e dala nga Indeksi për Mbrojtjen e Fëmijëve.

Rekomandimet e dala nga ky raport janë: Qeverisja e mirë – ku specifikon shkrirjen e mekanizmave koordinues për mbrojtjen e fëmijëve në nivel lokal në një mekanizëm; Ndalimi i dhunës ndaj fëmijëve, shfrytëzimi seksual, trafikimi; Strehimi familjar për fëmijët pa kujdes prindëror dhe në veçanti të theksuar Mbrojtja e të drejtave të fëmijëve me nevoja të veçanta.

Indeksi i Mbrojtjes së Fëmijës është një mekanizëm i pavarur i shoqërisë civile për matjen e reformave të çdo vendi në fushën e mbrojtjes së fëmijëve në përputhje me Konventën e Kombeve të Bashkuara mbi të Drejtat e Fëmijës.

Indeksi vë në pah se Kosova ka një boshllëk të madh mes legjislacionit të miratuar dhe zbatimit të tij. Pritet që qeveria, komunat, donatorët dhe pjesëtarët e shoqërisë civile të mund të përdorin rekomandimet nga Indeksi në rritjen e ofrimit të shërbimeve, kapacitetit institucional, koordinimit dhe llogaridhënies, për mbylljen e hendekut midis legjislacionit dhe zbatimit të tij.

Deputetja Arbërie Nagavci që ishte e pranishme, tha edhe pse legjislatura për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve është e mirë, implementimi në praktikë nuk po ndodh.

“E ka dëshmuar edhe hulumtimi, se legjislatura dhe korniza ligjore është e mirë dhe e krahasueshme me vendet e Bashkimit Evropian dhe i rregullon mjaftë mirë këto çështje, por implementimi lë për të dëshiruar. Mendoj se të gjeturat nga Indeksi janë shumë konkrete dhe duhet angazhim që ta bëjmë të mundur përmirësimin e jetëve të fëmijëve me nevoja te veçanta’’, tha ndër tjera Nagavci.

Ndërsa Lulavere Kadriu nga Divizioni për arsimin e fëmijëve me nevoja të veçanta në Ministrinë e Arsimit tha se kërkohet që të përmirësohen kapacitetet në Fakultetin e Edukimit.

“Ajo çfarë na kërkohet neve të bëjmë më shumë, është që të përforcojmë sa më shumë të jetë e mundur kapacitetet e Fakultetit të Edukimit, që t`i përgatisim mësimdhënësit sepse vështirësitë në të nxënë nuk vjen vetëm nga aftësitë e kufizuara por edhe nga shumë faktorë të tjerë’’, tha Kadriu.

(Kosova Sot)