Shkrimi i fundit i Khashoggit bën thirrje për shtyp të lirë

  • 18 October 2018 - 15:31
Shkrimi i fundit i Khashoggit bën thirrje për shtyp të lirë

Gazeta The Washington Post publikoi një artikull të ri të gazetarit të zhdukur saudit, Jamal Khashoggi, në të cilin ai thotë se qeverive në Lindjen e Mesme “u janë dhënë frena të lirë për të heshtur mediat me një ritëm të shtuar”.

Khashoggi u pa për herë të fundit më 2 tetor, duke hyrë në konsullatën saudite në Stamboll. Autoritetet turke dyshojnë se ai u vra brenda konsullatës nga agjentët sauditë, por Qeveria në Riad e mohon një gjë të tillë.

Në një shënim mbi artikullin e Khashoggit, redaktorja e opinioneve globale në gazetën The Washington Post, Karen Attiah, tha se ajo e ka marrë shkrimin nga përkthyesi i gazetarit një ditë pasi ai u raportua i zhdukur.

Khashoggi nisi të shkruante për The Post në shtator të vitit 2017. Shkrimet e tij kritikonin princin saudit të kurorës, Mohammed bin Salman, dhe udhëheqës të tjerë të mbretërisë saudite.

Në artikullin e titulluar "Jamal Khashoggi: Ajo që i duhet botës arabe më së shumti është shprehja e lirë", Khashoggi rikujtoi burgosjen e një shkrimtari të shquar, i cili ka folur kundër establishmentit saudit, dhe përmendi një incident në të cilin Qeveria egjiptiane ka marrë kontrollin e një gazete.

"Këto veprime nuk bartin më pasojat e një reagimi të ashpër të bashkësisë ndërkombëtare. Në vend të kësaj, këto veprime pasohen nga heshtja", shkroi Khashoggi.

“Për rrjedhojë, qeverive në Lindjen e Mesme u janë dhënë frena të lirë për të vazhduar heshtjen e mediave me një ritëm të shtuar”, thuhet në artikull.

"Bota arabe po përballet me versionin e saj të Perdes së Hekurt"

Khashoggi, shtetas saudit, i cili ka migruar në SHBA, shkroi në këtë artikull edhe për praktikat e qeverive në Lindjen e Mesme për të bllokuar qasjen në internet, me qëllim kontrollimin e informacioneve që qytetarët e tyre mund t’i shohin.

"Bota arabe po përballet me versionin e saj të Perdes së Hekurt, i imponuar jo nga aktorë të jashtëm, por përmes forcave të brendshme që konkurrojnë për pushtet", shkroi Khashoggi.

Ai e vlerësoi gazetën The Washington Post për përkthimin e shumë artikujve të tij nga anglishtja në arabisht dhe tha se është e rëndësishme për qytetarët e Lindjes së Mesme që të lexojnë për demokracinë në Perëndim.

Ai, po ashtu, tha se është e rëndësishme që zërat arabë të kenë platoformë, në të cilën mund të dëgjohen.

"Ne vuajmë nga varfëria, keqmenaxhimi dhe arsimi i dobët", shkroi Khashoggi.

"Nëpërmjet krijimit të një forumi të pavarur ndërkombëtar, të izoluar nga ndikimi i qeverive nacionaliste që përhapin urrejtjen përmes propagandës, njerëzit e zakonshëm në botën arabe do të mund t'i trajtonin problemet strukturore me të cilat ballafaqohen shoqëritë e tyre", tha ai.

Redaktorja në gazetën The Post, Karen Attiah, tha se publikimi i shkrimit është shtyrë me shpresën se Khashoggi do të kthehet i gjallë.

“Tani duhet ta pranoj: kjo nuk do të ndodhë. Ky është artikulli i fundit i tij i shkruar për gazetën The Post”, tha ajo.

"Ky shkrim përkon në mënyrë të përkryer me përkushtimin dhe pasionin e tij për liri në botën arabe”, tha Karen Attiah.

(Kosova Sot)