Matoshi: Pa teknologjinë e fundit të filtrave s’japim leje për termocentralin “Kosova e Re”

  • 18 October 2018 - 15:35
Matoshi: Pa teknologjinë e fundit të filtrave s’japim leje për termocentralin “Kosova e Re”

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, sot ka marrë pjesë në aksionin “Ta pastrojmë Kosovën”, që është realizuar në Komunën e Obiliqit.

Ai së bashku me kryetarin e Obiliqit, Xhafer Gashi kanë vizituar njërën nga deponitë ilegale të mbeturinave në këtë komunë, e cila gjatë këtij aksioni është pastruar dhe do të shndërrohet në park për banorët e Obiliqit.

Me këtë rast, Matoshi tha se Komuna e Obiliqit është prioritet i Qeverisë së Kosovës për shkak të ndotjes së ajrit që shkaktohet nga termocentralet.

“ Jemi duke bashkëpunuar me KEK-un dhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik për vendosjen e filtrave të ri në Kosovën B. Është një donacion nga Komisioni Evropian mbi 70 milion euro dhe shpresojmë shpejt që do të vendosen filtrat në Kosovën B. Jemi të përkushtuar dhe të vendosur që pa teknologjinë e fundit të filtrave të mos japim leje ndërtimore dhe leje mjedisore për termocentralin Kosova e Re”, deklaroi Matoshi.

Ai po ashtu bëri të ditur se MMPH-ja është e fokusuar që të ndalojë edhe shitjen e thëngjillit në mënyrë ilegale.

Ndërsa, kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi, falënderoi ministrin Matoshi për mbështetjen e dhënë për përmirësim të mjedisit ndërsa tregoi se kjo komunë ka larguar 19 deponi ilegale.
 

(Kosova Sot)