Limaj investitorëve nga diaspora: Duke investuar në Kosovë ju nderoni e respektoni vendin tuaj

  • 18 October 2018 - 15:43
Limaj investitorëve nga diaspora: Duke investuar në Kosovë ju nderoni e respektoni vendin tuaj

Të bëhemi bashkë për të zhvilluar ekonominë siç u bëmë për ta fituar lirinë Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj ka thënë se diaspora është pjesë përbërëse e lirisë së Kosovës. Pa një angazhim të gjithmbarshëm, Limaj thotë se Kosova nuk do ta fitonte lirinë. Pas lirisë dhe pavarësisë, Limaj ka thënë se Kosova ka një sfide të madhe para vetës; shtetndërtimin dhe në këtë proces, Kosova sipas Limajt ka nevoje për mbështetjen e diasporës. Limaj në hapjen e javës me bizneset e diasporës në emër të qeverisë së Kosovës ka kërkuar ndihmën profesionale e njerëzore dhe përvojën e investitorëve shqiptarë që jetojnë në diasporë.

“Ne nuk po kërkojmë ndihma siç keni dhënë më herët, por po ju them ejani investoni e jetoni në Kosovë. Ejani gjeni interesat tuaja dhe a ka gjë më mirë se me i shërby venit duke fituar dhe duke gjetur interesin tuaj. Ne kemi nevoje shumë për ju. Ne identifikohemi e gëzohemi me interesa tuaja në diaspore. Çdo sukses i një djalë a vajze atje neve na lumturon dhe fëmijët tanë i marrin për idol. Edhe ju besoj i gëzoheni çdo të mirë që vjen nga Kosova e Shqipëria. Por, këto identifikime janë të pamjaftueshme, nëse nuk I kthejmë një investim. A’ka mundësi me bërë Kosovën një shtet krenar. Ne nuk mund ta bëjmë pa ndihmën tuaj”, ka thënë Limaj. Më tutje, ai ka thënë se vendi ka mundësi të jashtëzakonshme që investitorët nga diaspora ta gjejnë interesin ekonomik për ta zhvilluar e fuqizuar vendin. Ai ka thënë se rrugës, mund të hasin në problem, por si qeveri e Kosovës po përpiqen që të eliminoojnë çdo procedure burokratike. Limaj ka thënë se duhet të bëhet diferenca mes atij që punon dhe atij që nuk punon. Sa i përket infrastrukturës, zëvendëskryeministri ka thënë se Kosova e ka infrastrukturën më të mirë në rajon.

“Neve na duhet përvoja e ndihma juaj për ta çuar në një stad tjetër vendin. Ftesa ime është ky vend është i juaji. Mos e bëni për hir të qeverisë, por bëni për shtetin tuaj. Nuk lidhet fati i angazhimit tuaj me një qeveri. Ejani të bëhemi bashkë. Nuk ka biznes në diasporë që nuk mund t’i hap pesë gjashtë vende pune. Ju jeni paragjykuar atje në vendet ku punoni dhe krejt çka keni arritur e keni bërë me mund. Por, duke investuar në Kosovë ju keni nderuar e respektuar vendin tuaj”, ka përfunduar Limaj.

(Kosova Sot)