Siguria e Evropës, në rrezik, të pasurit shpëlajnë miliarda dollarë parash të pista

  • 18 October 2018 - 16:30
Siguria e Evropës, në rrezik, të pasurit shpëlajnë miliarda dollarë parash të pista

Siguria evropiane është komprometuar nga vendet e BE-së me tatime të ulëta, të cilat iu shesin pasaporta kriminelëve të pasur, duke ua mundësuar atyre lëvizjen e lirë në kontinent, bëri me dije një zyrtar i BE-së të martën. Një raport i përpiluar nga OECD përmendi 21 shtete, skemat e të cilave 'shtetësia në shitje', paraqesin rrezik ndaj përpjekjeve të qëllimshme për ta luftuar evazionin tatimor, duke ua lehtësuar kriminelëve që të fshehin paratë e pista jashtë vendit. Në këtë listë ishin juridiksionet evropiane të Maltës, Qipros dhe Monakos, duke rritur frikën se me qindra kriminelë potencialë, që mund të jenë banorë në këto shtete, mund të udhëtojnë kudo nëpër BE, për shkak të lirisë së lëvizjes, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Pikat e dobëta në BE

Komisionari evropian i drejtësisë, Vera Jourova, të martën deklaroi se këto skema paraqesin rrezik për çdo shtet të BE-së. 'Ne kemi shqetësime legjitime, meqë nëse një vend i jep shtetësinë një personi të rrezikshëm, atëherë ai merr shtetësinë për tërë Evropën", tha ajo. "Pasi të kemi disa pika të dobëta në BE, atëherë tërë Evropa ka problem". Ajo shtoi se këto skema duhet të rishikohen, më mirë tash, sesa më vonë. "Ndoshta do të na duhet ta rinegociojmë tërë sistemin dhe tërë kompetencat e Evropës', tha ajo. Skemat e ashtuquajtura 'pasaporta e artë', apo 'viza e artë' kanë filluar që të praktikohen në botë qyshkur Ishujt e Karaibeve St Kits dhe Nevis dolën me këtë ide në vitin 1984, me qëllim që të bënin para. Ato skema kërkojnë persona të pasur, për të blerë pronë, apo bono qeveritare, për të vendosur para në bankë, apo thjesht, duke e bërë një donacion për ndonjë bamirësi, në këmbim të lejes së përhershme të banimit, apo edhe dhënien e pasaportës. Raporti i OECD-së thotë se ka frikë se disa nga këto skema mund të keqpërdoren për të fshehur asetet jashtë vendit, duke i ikur raportimit të tyre, sipas Standardeve të përbashkëta të raportimit OECD/G20'. Për shembull, nëse një shtetas britanik pretendon të jetë qipriot, ai mund t'i ikë ndarjes së informatave me qeverinë britanike, rreth llogarive bankare jashtë shtetit. 

Sipas FMN-së, 800 persona të pasur morën shtetësinë e tyre në Malta, për vetëm tre vjet

Kjo ka rritur frikën se skemat në fjalë mund të jenë duke u përdorur nga kriminelët, për të shpëlarë paratë e tyre të pista. Skema për marrjen e shtetësisë së Maltës kërkon një shumë parash prej 650,000 dollarësh, në formë të një donacioni dhënë fondit nacional të zhvillimit dhe blerje të patundshmërisë me vlerë prej 350 000 eurosh. Sipas FMN-së, 800 persona të pasur morën shtetësinë e tyre në Malta, për vetëm tre vjet pasi ishte publikuar skema, në vitin 2014 - kryesisht nga Rusia, Kina apo Lindja e Mesme. Në Qipro, një njeri i pasur duhet të investojë 2 milionë dollarë në patundshmëri, bono qeveritare apo biznese lokale, në këmbim të lejes së përhershme të banimit. Por, numri i pasaportave të lëshuara në vit u kufizua në 700, pasi ishte kritikuar policia. Programi i Monakos për marrjen e lejes së banimit, kërkon nga personat që të fusin 500,000 euro në ndonjë bankë lokale dhe të blejnë pronë në vlerë prej 500,000 dollarësh. Britania e Madhe nuk ka skemë të 'pasaportës së artë', por ofron një 'vizë investuese Tier 1' për personat që investojnë 2,000,000 funte në bonot qeveritare, apo bizneset britanike.

 

(Kosova Sot)