Zënka Haradinaj - Haliti, historia e "8 milionë markave që Zeka i kishte marrë nga Bukoshi"

  • 18 October 2018 - 16:41
Zënka Haradinaj - Haliti, historia e

Në ditën kur Kuvendi i kaloi tre projektligje, që do të çojnë në krijimin e ushtrisë së Kosovës, u përplasën Ramush Haradinaj dhe Xhavit Haliti, diçka që ishte shmangur gjatë gjithë kohës së pasluftës nga këto dy figura.

Zënka e tyre nisi kur Ramush Haradinaj tregoi mosdurim nga ngadalësia e Halitit në drejtimin e seancës.

"A je në gjumë a çka, a po e sheh çka po ndodh", pyeti kryeministri Halitin gjatë seancës së sotme.

Haliti ia ktheu: "Haradinaj këqyri punët e tua, unë nuk jam argat i askujt, as i Qeverisë as i askujt".

Por, kjo zënkë e vogël që u tejkalua menjëherë, e ka një histori që lidhet me një ushtri tjetër - Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E kjo histori është rrëfyer nga Haradinaj pas luftës, i cili në një intervistë të gjatë me gazetarin Bardh Hamzaj, që është botuar si libër, e ka bërë të qartë se me Halitin (i njohur si Zeka), nuk ka pasur ndonjë kimi. Në vitin 1999, duke folur për luftën, Haradinaj shfaq mosdurim për “civilët” e UÇK-së si Xhavit Haliti e ndonjë tjetër që donin ta kontrollonin luftën.

Sipas Haradinajt, Haliti si përgjegjës për UÇK-në për territorin e Shqipërisë ka marrë miliona nga Qeveria Bukoshi. Haliti e kishte hedhur poshtë me këmbëngulje kur kjo akuzë i ishte bërë nga Anton Quni në Kuvend muaj më parë.

“Një herë janë marrë 1 milion e 700 mijë DM, 2 milionë e gjysmë – herën tjerët edhe 3 milionë DM- herën e tretë. Këto të holla janë dhënë deri në mars të vitit 1999. Pra, fjalë është për një shumë rreth 8 milionë DM, që në emër të ushtrisë, të Shtabit të Përgjithshëm ose të logjistikës, Xhavit Haliti i ka marrë nga Bukoshi. Të sqaroj se kjo shuma e fundit mbi 3 milionë DM është marrë nga Dervishi, do të thotë nga bashkëpunëtori i Sokol Bashotës, të cilat janë tërhequr jashtë në Perëndim gjoja me urdhrin e Shtabit të Përgjithshëm”, kishte thënë Haradinaj.

“Unë e njoh (Dervishin), e di përafërsisht prej nga është, por nuk kam pasur kontakte të shpeshta me të. Pra e di për kë është fjala, por nuk e di emrin dhe mbiemrin e tij të plotë”, kishte shtuar Haradinaj.

Puna e 8 milionë markave ishte përmendur edhe para disa muajve në Kuvendin e Kosovës kur këtë shumë Xhavit Halitit ia kishte përmendur Anton Quni i LDK-së.

“Është gënjeshtër e kulluar, është gënjeshtër prej kuzhinave të tyre… Nëse ke informata të tilla dhe i jep vetit zor që di diçka për UÇK-në. Nëse unë i kam marrë 8 milionë marka, unë prej sot nuk jam në këtë Kuvend”, tha Haliti.

“Duhet ta kesh parasysh që në strukturat politike e ushtarake ka pasë bashkëpunim të ngushtë mes Qeverisë së Kosovës dhe UÇK dhe ato struktura nuk janë marrë me kalamaj që kanë nejtë nëpër thera”, ishte përgjigjur Haliti.

“Për të biseduar dhe për t’u marrë vesh kam pasë veç një njeri, Bujar Bukoshin, juve as nuk ju kam njoftë. Nuk e din as nuk ke qenë prezent në bisedime”, kishte thënë Haliti. Ai nuk e kishte mohuar se kishte marrë para nga Bukoshi, por kishte kundërshtuar shumën e parave duke thënë se nuk bëhet fjalë për 8 milionë.

(Kosova Sot)